28 kandidatet e BKH të përzgjedhur nga SPAK nisin trajnimet me prokurorë e partnerë ndërkombëtarë. Në fazën e dytë me plotësimin me 32 agjentët e rinj trajnimet të bëhen edhe me FBI.
Byroja e Hetimit Kombëtar u bo me 28 agjentët e parë, para pak ditësh.
Verifikimi i kushteve të sigurisë u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit të Pavarur të Rishikimit, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.
Për tu plotësuar përfundimisht BKH duhet të ketë 60 anëtarë. Ndaj vijon procesi i rekrutimit për 32 pozicionet “Hetues”, të pa plotësuara. Kandidatët do të duhet të kalojnë testin fizik fillimisht dhe më pas një seri kontrollesh.
Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së, në njoftimin e këtij të fundit për rihapjen e garës, cilësohet si proces sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe me integritet. Ata që janë të suksesshëm në procesin e përzgjedhjes do t’i bashkohen një skuadre elitë që mbështet Prokurorët e Prokurorisë së Posaçëm të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.