Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot 12-vjetorin e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.
“Sot është një datë historike në rrugëtimin euro-atlantik të Shqipërisë. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin e Strasbourg/Kehl, më 4 prill 2009.
Më 7 prill 2009, në në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit të Shqipërisë në NATO. Anëtarësimi në NATO ishte kurorëzimi i arritjeve dhe kontributeve të Shqipërisë për sigurinë, stabilitetin dhe paqen. Gjatë këtyre 12 vjetëve Shqipëria është sprovuar si një anëtare e denjë e Aleancës dhe ka kontribuar në misionet e saj në ndihmë të paqes e sigurisë në disa rajone të planetit. Shqipëria, me rrënjë, kulturë dhe aspirata euro-atlantike, arriti para 12 vjetësh në një nga stacionet perëndimore të saj, në atë të sigurisë dhe paqes.
Sot jemi në portat e BE-së, stacionit të zhvillimit e mirëqenies, dhe të gatshëm për çeljen e negociatave. Me mbrritjen në këtë stacion, Shqipëria dhe shqiptarët i japim fund pozicionit asimetrik midis identitetit tonë europian, pozicionit tonë euro-atlantik dhe të cilët po vijohen e plotësohen nga bashkimi me familjen europiane dhe kthimin e plotë në habitatin politik europian. Shqipëria në NATO dhe në portat e BE-së janë meritë e të gjithë shqiptarëve.
Por sot është rasti të shprehim mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për mbështetjen e fuqishme të rrugëtimit tonë euro-atlantik.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.