Partitë politike çelin sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë vit fushata do të mbahet nën diktimin e rregullave anti-covid, ku ekspertët e Komitetit Teknik vendosën që të ndalohen edhe grumbullimet. E para që hap sot fushatën do të jetë Partia Socialiste, në orën 17:00 në sheshin Skënderbej, ndërsa vijon puna për ndërtimin e podiumit.
Ndërkohë që vetëm gjysmë orë më vonë do të çel fushatën koalicioni opozitar. Ky i fundit ka vendosur që të mbajë ceremoninë në sheshin ‘Nënë Tereza’. Në një raportim live për Neës24 nga selia e PS-së, gazetari Ergys Gjençaj deklaroi se ndryshe nga herët e tjera ky nuk do të jetë një tubim siç jemi mësuar të shohim, ku ka pasur me mijëra qytetarë. Sot do të ketë një tubim me distancim social, ku do të pasqyrohen edhe aktivitetet e qeverisë gjatë këtij mandati 4-vjeçar, ndërkohë që do të mungojnë qytetarët. Pika kulmore e këtij tubimi pritet të jetë momenti kur kryeministri Edi Rama të mbajë fjalimin. Mësohet se ky shesh do të mbushet gati me karrige, ku do të qëndrojnë kandidatët për deputetë, për të respektuar kështu masat anti-covid.
Ndërkohë, në një lidhje live nga selia blu, gazetari Osman Stafa solli detaje nga ceremonia e çeljes së fushatës së kampit opozitar. PD-ja ditën e sotme do të zhvillojë një hapje fushate me kandidatët për deputetë, ku disa prej tyre do të flasin. Kryefjala e të djathtëve sot padyshim që do të jetë fjalimi i kandidatit për kryeministër, Lulzim Basha, i cili do të bëjë një rezyme të asaj çka ka ndodhur përgjatë këtyre 8 viteve në vendin tonë.
Ai do të prezantojë dhe planin e tij për 4-vjeçarin në vijim, nëse vjen në pushtet. Kujtojmë se lideri demokrat ka nisur takimet në qytete të vendit, ku është pritur nga qytetarë. Ndërkohë që këto takime nuk janë cilësuar të drejta nga kryeministri Edi Rama, ndërsa ka akuzuar Bashën për thyerje të rregullave anti-covid.