Bisedoi Andreas Dushi
Për të parën herë, nuk është Ministria e Kulturës ajo që ndan drejtpërdrejt Çmimet Kombëtare të Letërsisë, por Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit. Në një vit si ky që po lëmë pas, ishte i vështirë një organizim i tillë?
Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë ngjarja më e rëndësishme në botën e letrave të një viti dhe në këtë kontekst, organizimi i tyre ka një rëndësi të veçantë për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Viti që po lëmë pas ishte një vit i vështirë, pandemia në një mënyrë a një tjetër ka kushtëzuar jetët e punët e gjithsecilit prej nesh, ndaj dhe realizimi i një procesi të gjatë pune që shoqëron çdo vit këto çmime ishte një sfidë, për të ruajtur vijimësinë e një tradite të nisur herët në nderim të autorit shqiptar.
Sivjet, juria përbëhej nga njerëz të letrave, që vinin prej të gjitha fushave: poetë, shkrimtarë, studiues e botues. Si rrallëherë, të paktën deri tani, nuk kemi dëgjuar a lexuar kundërshtime për përzgjedhjen e tyre. Mendoni se për librat që u gjykuan, kjo ishte zgjedhja e duhur?
Në një proces pune të nisur herët, për të seleksionuar rreth 700 botime në gjini të ndryshme, si poezi, prozë, përkthime, studime apo libri për fëmijë, për të dalë tek 5 autorët përfaqësues për çdo kategori, nuk është një proces i lehtë, por një proces i shoqëruar me diskutime, debate, argumente për të ruajtur atë çfarë është thelbësore në punën e çdo jurie, meritokracinë dhe cilësinë.
Juria funksionon e pavarur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Puna e tyre bazohet në rregulloren e Çmimeve Kombëtare. Ne realizojmë vetëm infrastrukturën mbi të cilën ngrihet ky proces, duke u siguruar tekstet që do të merren në shqyrtim, apo duke krijuar lehtësira të tjera teknike, në këtë rast, duke qenë se, për shkak të pandemisë, një pjesë e anëtarëve të jurisë merrnin pjesë në mbledhje virtualisht. Për sa i përket këtij edicioni, edhe pse në kushte pandemie, juria ka realizuar mbi 15 takime intensive të dokumentuara, duke treguar një profesionalizëm e seriozitet në çdo fazë të këtij procesi.
Nuk do të doja t’i komentoja vendimet e jurisë, pasi për mua, secili nga 5 kandidatët, për çmim në çdo kategori, mund të ishte fitues.
Ndoshta mund të shtoja që në kategorinë e romanit, për herë të parë, në traditën e këtij çmimi vlerësohet një autore grua. E duke parë historinë e autoreve gra në letrat shqipe, kjo mund të shënjohej si një ngjarje.
Duhet thënë se viti 2019 ishte një vit i romanit. Emra të njohur e me kontribute në prozën shqipe, erdhën me vepra të reja gjatë këtij viti, e kjo është një ngjarje për prozën bashkëkohore shqipe. Por do të doja të kishte më shumë autorë të rinj në të gjitha kategoritë.
Është shumë e rëndësishme të kthejmë besimin në institucionet e gjykimit, ndaj në ngritjen e rregullores së Çmimeve Kombëtare, QKLL-ja, përmes kritereve, ka pasur si qëllim ta rikthejë këtë besim të munguar ndër vite.
Nga ana tjetër kam lexuar këto kohë kohë, shënime shkrimtarësh që dikur janë nderuar me këto çmime, të shprehen skeptikë, deri të vënë në dyshim integritetin e këtij procesi, mbi paragjykime që e kanë dëmtuar gjithnjë skenën letrare shqiptare.
Kur shkrimtarët flasin më shumë për çmime se për ide, zhanre, apo arritje letrare, kjo është vërtetë trishtuese. Do të doja që autorët të jenë modeli i një shoqërie të mendimit, diskutimit e alternativave, duke i ngritur debatet për letërsinë në universin ku ajo i përket, pasi letërsia nuk mund të durojë mediokritetin as nuk mund të bjerë në atë nivel. Nga ana tjetër, skena letrare ka doemos të gjithë të drejtën, të diskutojë, komentojë dhe madje edhe të mos mendojë njësoj mbi të njëjtën çështje. Duke besuar se letërsia si gjithnjë ia del të mbrojë vetveten, dhe të tejkalojë paragjykimet, jam shpresëplotë, se në çdo rast, letërsia e mirë do mbijetojë përtej çmimeve a mendimeve ndryshe
Cili mendoni se është ndikimi i ndarjes së Çmimeve Letrare në gjashtë kategori të ndryshme?
Roli i librit, letërsisë, shkrimtarit ka pësuar zhvendosje në mijëvjeçarin e ri. Teknologjia, globalizmi, media apo tensionet politike, tashmë dhe pandemia, e vënë shpesh në dyshim fatin e letërsisë. Çmimet Letrare jo vetëm kthejnë besimin në të ardhmen e letërsisë, por janë edhe një nderim ndaj gjuhës shqipe. Prurjet e një viti janë një pasuri gjuhësore e identitare, që rrisin rëndësinë e një komunikimi, i cili duhet të jetë më dominant në një shoqëri, ai përmes librit.
Nga ana tjetër, ato përcaktojnë arritjet më të larta artistike në gjini të caktuara, duke motivuar autorë e krijuar kulminacione.
Çfarë politikash do të ndjekë Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit për promovimin dhe njohjen e lexuesve me veprat fituese?
Autori shqiptar dhe libri shqip, është pjesë e rëndësishme e filozofisë së punës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Përgjatë këtij viti ne e kemi treguar përmes një sërë nismash rëndësinë që kanë autorët shqiptarë për ne, duke i mbështetur përmes një sërë programesh. Politikat tona janë të orientuara për të krijuar një sërë lehtësirash për autorin, në një sërë raportesh që ai ka, si me botuesit, të drejtat e autorit apo shpërndarjen e teksteve.
Vetëm gjatë këtij viti, me mbështetjen e QKLL-së, janë botuar rreth 15 libra të autorëve tanë, ndërkohë që kemi mbështetur 6 vepra të letërsisë shqipe për t’u botuar në gjuhë të tjera. Fondi i Përkthimit, një nismë e hapur disa vite më parë nga Ministria e Kulturës, do të vijë me një buxhet më të rritur gjatë vitit 2021, duke u dhënë mundësi sa më shumë veprave të përkthehen në gjuhë të tjera.
Por, përtej këtij fondi, ne jemi duke punuar me institucione të rëndësishme të librit në vende të ndryshme, për t’i krijuar hapësira që mund ta ndihmojnë librin shqip të promovohet në gjuhë të tjera. Hapja dhe komunikimi me kultura të tjera është një tjetër prioritet i punës së QKLL-së.
Dialogu përmes librit, takimet me autorë të ndryshëm shqiptarë, apo për libra të caktuar, kanë qenë pjesë permanente e takimeve të përjavshme që QKLL-ja ka organizuar në hapësirat e saj, për të krijuar përmes tyre një klimë që e afron më shumë lexuesin me librin dhe autorët. Fushata e Leximit është një fushatë e rëndësishme, që ne synojmë ta inkuadrojmë si pjesë të përhershme të jetës së shkollave, bibliotekave publike, apo klubeve letrare, me realizimin e një Ligji për Leximin. Ky i fundit është një prioritet i QKLL-së, duke e parë leximin si një faktor të rëndësishëm për të ardhmen e një shoqërie. Nga ana tjetër, përmes tij, do të mund të ndihmonim botuesit, librarët, bibliotekat, duke vendosur një komunikim të institucionalizuar e të detyrueshëm në shërbim të leximit. Autorët fitues të Çmimeve Kombëtare do të jenë pjesë e takimeve të ndryshme letrare që do të organizojmë përgjatë vitit 2021, e sigurisht që ky trofe i ndihmon ata të shkojnë më lehtë në duart e lexuesit.
Dhe, për ta mbyllur, planet më ambicioze të QKLL-së për vitin e ardhshëm?
QKLL-ja është një institucion i ri dhe ka përpara ka një sërë sfidash në interes të librit. Politikat ndaj të rinjve, rishikimi i Ligjit për Librin, rijetëzimi i bibliotekave, mbështetja e autorëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare, hapja ndaj kulturave të tjera dhe rritja e lexueshmërisë, rritja e partneriteteve ndërkombëtare, mbështetja e një rrjeti për kritikën shqipe, mbeten disa ndër sfidat kryesore.