Komisioni Rregullator miratoi me 5 vota pro dhe asnjë kundër, shpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e ardhshme.
Banorët e qarkut Dibër dhe Gjirokastër do të kenë nga një deputet më pak në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ndërkohë kryeqyteti, ku është përqendruar edhe numri më i lartë i shqiptarëve, do të ketë dy deputetë më shumë, duke shkuar nga 34 ligjvënës në 36.
Ky ndryshim vjen për shkak se në regjistrat e gjendjes civile është vënë re një rënie e popullatës në këto dy qarqe dhe rritja ka shkuar në kryeqytet dhe në rrethinat e Tiranës. Për këtë arsye, në përllogaritjen e re të numrit të deputetëve që do të zgjidhen nga çdo qark, Dibra nuk do të ketë më 6 përfaqësues në Parlament, por 5.
Ndërsa Gjirokastra nuk do të ketë më 5 por 4 deputetë në Parlament. Në Dibër aktualisht PS-ja dhe PD-ja kanë nga dy deputetë, ndërsa LSI-ja dhe PDIU-ja nga një të zgjedhur. Ndërsa në Gjirokastër PS-ja ka 3 deputetë, PD 1 dhe LSI 1. Kjo listë e shpërndarjes së mandateve nuk është miratuar ende nga KQZ-ja, por është në fazën e draftimit, ku pasi ka mbërritur informacioni nga Gjendja Civile, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përllogaritjen e shpërndarjes së mandateve.
Përllogaritja e numrit të mandateve për çdo qark bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa herë që ka zgjedhje të përgjithshme. Kështu, KQZ-ja merr informacionin nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Kjo e fundit jep numrin total të shqiptarëve të regjistruar në Gjendjen Civile ku përfshihen të gjitha kategoritë: fëmijët, adoleshentët, të rriturit dhe të moshuarit.
Numri total i shqiptarëve të regjistruar në Gjendjen Civile përpjesëtohet me 140, që përbën numrin e deputetëve në Parlamentin shqiptar. Nga kjo përllogaritje del numri mesatar i qytetarëve që duhet të përfaqësojë një deputet. Ndërkohë, bashkëngjitur me numrin total të shqiptarëve të regjistruar në Shqipëri, Gjendja Civile i dërgon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe numrin e banorëve të regjistruar për çdo qark. Për të nxjerrë numrin e mandateve të deputetëve që zgjidhen në një qark, meqë sistemi zgjedhor shqiptar është proporcional rajonal, KQZ-ja përpjesëton numrin total të banorëve të qarkut me numrin mesatar që del nga përpjesëtimi i shqiptarëve të regjistruar me 140.
Kjo përbën numrin e mandateve që dalin të plota, më pas KQZja bën edhe një llogaritje tjetër me mbetjet për çdo qark. Kryesisht, kur numri pas presjes së përpjesëtimit të numrit të banorëve të qarkut me numrin mesatar del mbi 5, atëherë qarku merr një mandat shtesë. Sipas nenit 27 të Kodit Zgjedhor në fuqi, kjo përllogaritje bëhet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 muaj para zgjedhjeve.
“Zonat e administrimit zgjedhor miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Jo mëvonë se 10 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon të dhënat KQZ-së, të ndara sipas njësive të qeverisjes vendore. KQZ-ja jo më vonë se 5 muaj para datës së zgjedhjeve mund të ndryshojë kufijtë e ZAZ-së, sipas kërkesave të këtij neni, vetëm nëse ka ndryshim të kritereve për caktimin e tyre sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij neni”, përcaktohet në nenin nr. 27 të Kodit Zgjedhor.