Nga dita e sotme, nis vaksinimi kundër gripit. Do të jenë bluzat e bardha ata që do vaksinohen të parët, e më tutje grupet e riskut, të moshuarit, të sëmurët kronikë, fëmijët 2-5 vjeç, edukatorët dhe arsimtarët.
Vaksina e tyre do të jetë falas ndërsa nuk bëhet ende me dije se sa do kushtojë për ata qytetarë të cilët duan ta bëjnë dhe nëse mund të bëhet falas, pasi nuk do të jetë me detyrim, edhe pse ekspertët shëndetësorë këshillojnë vaksinën si një mjet mbrojtës edhe kundër koronavirusit.
Por sa na mbron vërtetë vaksina e gripit?
Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë, Andi Koraqi në intervistë ka treguar se vaksinimi është një hallkë me rëndësi ndaj uljes së sëmundshmërisë, por jo në masën 100%. Koraqi thekson se vaksina kundër grupit vë në gatishmëri sistemin imunitar dhe në këtë mënyrë mund të luftojë dhe koronavirusin.
Andi Koraqi:
“Bërja e vaksinë është një hallkë të rëndësishëm të uljes së sëmundshmërisë, jo 100 % por në një masë shumë të madhe. Është shumë e kollajshme të ngatërrohet një grip me covid. Bërja e vaksinës eliminon gripin dhe nga ana tjetër vë në gatishmëri sistemin imunitar për një përkujdesje dhe rritje të gatishmërisë të tij ndaj COVID-19″.
Sa kushton vaksina kundër gripit?
Çmimi i një vaksine në farmaci varion nga 820 lekë në 900 lekë.
Sot kryeministri Rama njoftoi se janë siguruar 368 mijë doza vaksine nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe do të jenë në dispozicion të grupeve më të rrezikuara, duke filluar nga personeli shëndetësor.