To top
5 Nën

Aiden, dashuria ime në Uashington

Riktheheni pas disa vitesh qëndrimi në ShBA, në krye të një televizioni informativ, siç është ABC News, në rolin e spikeres kryesore. Si po  ndiheni?                 
   Ndihem shumë mirë. Jam në terrenin tim dhe me njëstaf, me të cilin puna është komode dhe jo e lodhshme.
Si e gjetët klimën këtu, krahasuar me atë të para pak vitesh, kur ju udhëtuat drejt  Amerikës?                                                                                                                                  
  Klimën e shoh më të kuruar nga ana profesionale dhe me prirje drejt profesionalizmit. Televizioni është një punë që përditësohet nga pikëpamja teknologjike dhe krijuese, ndaj duhet të jesh përherë në ritmin e duhur. Këtë përpjekje e gjej në ABC.
Ç’ju shtyu të provonit të jetonit në Amerikë dhe si ishin fillimet tua ja aty, sa e lehtë ishte të jetoje atje me gazetarinë?                                                                            
  Shkova në ShBA për arsye personale dhe me gazetarinë atje jetohet normalisht. Nuk kishte as lehtësi e as vështirësi.
Jeni vendosur në rolin e spikeres kryesore, a ka ngjallur xhelozi kjo gjë dhe si është terreni i botës së ekranit, pasi thonë se është ca i egër?                                                                                                                                                                                                                                                                                                                Nuk ndjej ndonjë xhelozi e nuk besoj se ka. Ekrani është një dritare, ku secili ka hapësirën e tij. Mjafton të jesh i përgjegjshëm, të kesh talent e pasion për të e, mbi të gjitha, të punosh. Kush i ndërthur ato çka sapo përmenda, nuk ka kohë për xhelozi.
Prej gjashtë vitesh ju keni punuar te Zëri i Amerikës, një televizion i rëndësishëm. Mund të na thoni si ishte kjo eksperiencë?                                                           
Periudha, gjatë së cilës punova te Zëri i Amerikës është shumë e rëndësishme për mua. Mësova dhe u pasurova në atë redaksi në disa aspekte, por do të veçoja trajtimin profesional e serioz që i bëhet gjuhës shqipe. Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës është vërtet një shkollë e ruajtjes së gjuhës sonë, nga ndikimet dhe fjalët e huaja.
Të jetosh në një vend të huaj, të punosh në profesionin tënd, a është vërtet një mundësi e mirë?                                                                                                                            
Po, mendoj se është një mundësi që nuk u jepet të gjithëve. Megjithatë, nuk jam e vetmja, pasi ka edhe gazetarë të tjerë, të cilët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për agjenci të huaja lajmesh, ndaj nuk përbën çudi rasti im.
Kjo ka qenë një anë e mirë, por cila është ana negative që nuk ju ka bërë të ndiheni mirë në ShBA?                                                                                                                     
Nuk ka asnjë anë negative… Veçse më mungonte kafja ekspres e Europës. Vetëm kjo. (Qesh)
Shohim se shumë njerëz, pasi jetojnë në Amerikë thonë se nuk mund të kthehen më në Shqipëri. Sa e lehtë ishte ta merrnit këtë vendim?                                    Amerika më ka mësuar që ta shoh jetën me sportivitet. Nuk mendoj se ka formulë përfundimtare, për arsyet që e shtyjnë një pjesë të shqiptarëve të jetojnë në ShBA apo për ata që kthehen.
A mund të tregoni diçka mbi jetesën tuaj në ShBA, vendi ku u vendosët, për familjen tuaj, miqtë dhe kolegët atje?                                                                                      
Kam jetuar pranë Uashingtonit dhe kam pasur fat, pasi kam punuar me kolegë të mirë, por, mbi të gjitha, me miq të mirë.
Çfarë ju mungon nga Uashington DC, që nuk e keni në Tiranë?                                                                                                                                                                                            
  Më mungon periudha e pranverës, kur në Uashington çelin qershitë apo, siç njihet në anglisht, Cherry Blossom. Parku Kombëtar i Uashingtonit dhe zona buzë lumit Potomac janë të mrekullueshëm në atë periudhë.
E vizitoni shpesh këtë vend, dhe si ndiheni?                                                                                                                                                                                                                                
Shkoj shpesh në ShBA, ndonëse është rrugë e largët. Kur  u largova nuk mendoja se do të më mungonte, por sa herë që shkoj dhe dëgjoj në  aeroport fjalën Welcome, kuptoj se Amerika tashmë është pjesë e jetës sime.
Si e gjetët Tiranën dhe medien në përgjithësi, pas kthimit? Çfarë ka ndryshuar?
Tiranën e pashë të ndryshuar për mirë. Kur  jeton këtu të merr rutina dhe nuk i kupton ndryshimet, por kur erdha pata përjetim pozitiv për të. Medien e gjeta më profesionale, në disa aspekte, por në vendnumëro në disa aspekte të tjera.
Konkretisht, në ç’aspekt?
Është bërë përpara nga ana teknologjike, por mendoj se kemi ende shumë për të bërë në saktësinë e la jmit dhe në respektimin e gjuhës shqipe. Duket si një element i vogël, anësor, por mendoj se duhet të vëmë alarmin, për mënyrën se si shkruhet e flitet gjuha shqipe në medien e shkruar e në atë audiovizive.
Nëse do të bënit një krahasim midis medies amerikane dhe kësaj shqiptare, ku ndryshojnë e ku ndahen?
Nëse do të flasim për medien në përgjithësi, media shqiptare nga ajo amerikane ndryshon në mënyrën e ndjekjes së një ngjarjeje apo skandali që përbën interes për publikun. Në ShBA nuk mund ta publikosh një la jm, bazuar te spekulimi. Nëse ndodh kjo, media përballet me procese gjyqësore. Për sa i përket medies televizive, duhet të them që nga pikëpamja teknologjike media jonë është njësoj dhe, ndoshta në pararojën e teknologjisë televizive bashkëkohore. Problem besoj mbetet te shpenzimi i kohës televizive, ku këtu ende shpërdorohet, ndërsa atje ka vlerë edhe sekonda televizive.
Si është një ditë e jua j në Tiranë, sa kohë dhe vëmendje ju merr profesioni?
Paraditja është pak më e qetë, kafeja e parë  shoqërohet me leximin e gazetave, më pas takime pune apo një kafe me miq. Pasditja më gjen në ABC.
Ju keni një djalë të vogël, si janë raportet tuaja me të dhe sa ju mungon?
Djali im është 7 vjeç e gjysëm. Mua më duket si një marrëdhënie speciale, por besoj se është si çdo marrëdhënie mes nënës dhe djalit të saj.
Sigurisht që ju mungon, por si ia dilni ta mposhtni mallin? Cilët janë personat që ju qëndrojnë pranë?
Kam pranë dy prindërit e mi dhe dy motrat e mia. Jam me fat për familjen që kam.
Në ç’fazë të jetës tuaj gjendeni aktualisht – e lumtur, e realizuar – dhe çfarë do të donit të kishit bërë ndryshe, nëse do t’u jepej edhe njëherë mundësia?
Nuk kam bërë bilance dhe realisht nuk e kam kthyer ende kokën për të analizuar se çfarë kam arritur deri tani. Aspiroj të vazhdoj të punoj e  ende të realizohem, por mendoj se jam në një moment qetësie dhe ekuilibri në jetën time.
Ju bëni pjesë tek ato spikeret klasike, madje prej shumë vitesh kështu ju mbajmë mend, nuk kërkoni të drejtoni spektakle, nuk luani me grimin, me ngjyrën e flokëve, me tiparet tuaj. Përse kjo zgjedhje?
Është zgjedhje, është administrim i figurës dhe i punës televizive, që secili e bën sipas intuitës dhe kërkesës së tij.
Nëse nuk do të kishit zgjedhur gazetarinë, cili do të kishte qenë ai profesion i dytë që do të donit?
Patjetër mësuesia! Është ndër profesionet që respektoj dhe vlerësoj veçanërisht.