Para disa javësh, ka dalë nga shtypi ky libër, libri i karantinës, “Dashuri në kohë Koronavirusi“, nga autorja Ambra Hysa dhe Shtëpia botuese ERIK. “Dashuri në kohë Koronavirusi“ vjen si libri i parë i kësaj periudhe të trishtë të pandemisë globale, që jo rrallëherë është cilësuar si “Lufta e Tretë Botërore”. Tronditës, i dhimbshëm, po aq sa edhe artistik. “Dashuri ne kohë Koronavirusi” është bazuar dhe frymëzuar në histori të vërtetë. Në këtë dramë me përmasa tragjike, autorja shfaqet si ‘‘dëshmitare okulare’’, vijëzon me lot copëza jete të viktimave të pafajshme, bën homazh dhe nderim të thellë për mjekët ”Gardianët e Jetës”, bëhet “zemra dhe dora e ngrohtë mbi plagë”, dhuron lule për fitimtarët! U shkrua, në mes të Luftës, dhimbjes, frikës nga e panjohura dhe humnerës shpirtërore e cila la gjurmë dhe ndryshoi përgjithmonë, mënyrën e jetës së njerëzimit. Duke zbuluar edhe një herë, se Dashuria do të na shërojë dhe se, në të gjitha kohërat, vetëm ajo është përgjigjia. “Letrat e dashurisë” – kështu i ka titulluar në libër autorja letrat, të cilat janë botuar si një dëshmi e ngjarjes, duke ruajtur anonimatin dhe privatësinë e personazheve, por duke i dhënë zë mesazhit dhe historisë së tyre. Janë letra të cilat e përcjellin dashurinë në doza të forta romance, të shkruara në shtratin e sëmundjes, mes fijes së hollë që ndan jetën dhe vdekjen, duke u dhënë ndjenjave një tjetër dimension. Librin, mund ta gjeni duke kontaktuar shtëpinë botuese Erik, në disa librari të Tiranës dhe në platformën “Bukinist”. Ne kemi përgatitur një intervistë të shkurtër me autoren e librit, për ti njohur më shumë lexuesit më përmbajtjen dhe esencën e tij.
-Përshëndetje Ambra! Fillimisht ju përgëzojmë për librin, është shumë aktual dhe goditës që nga titulli. Mund të na rrëfesh, si u inspirove për ta shkruar dhe a është ky botimi yt i parë? -Përshëndetje revista Elite. Ju falenderoj shumë.
“Dashuri në kohë Koronavirusi” , është “dashuria” ime e dytë në fakt, sepse çdo botim dhe çdo projekt është një dashuri më vete për mua ashtu si për çdo krijues, çdo autor. Libri im i parë, është një përmbledhje poezish, me titullin “Baladë e bardhë”. -U inspirova për të shkruar librin, me dëshiren e mirë dhe mendimin të shkruaj për një copëz historie e cila nuk duhet të harrohet, por duhet përjetësuar dhe duhen nxjerrë mesazhe me vlerë prej saj.
-Kur u shkrua libri dhe cili ka qënë feedback që ke marrë, që nga periudha e botimit të tij?
-Libri u shkrua gjatë periudhës së pandemisë, ndërkohë që ngjarja jetohej, unë ulesha në tryezen time të shkrimit, dhe e përjetësoja këtë rrëfim emocional, duke i dhënë trajtë çdo ditë, fillimisht në formën e një ditari. Njerëzit kanë përcjellë shumë kuriozitet për ta pasur librin, për të lexuar historitë që fsheh brënda dhe për ta bërë pjesë të bibliotekës së tyre. Impakti ka qënë befasues dhe pozitiv. Lexuesit dhe dashamirësit e librit, e kanë përqafuar që në fillim dhe për mua nuk mund të ketë një ndjesi më të bukur se kjo.
-Ambra, është folur shumë për letrat e lamtumirës, letrat e bazuara ne histori të vërteta, të cilat janë pjesa esenciale dhe thelbësore e ngjarjes që trajtohet në libër. Mund të zbulosh diçka prej tyre, për të ngacmuar pak me shumë edhe ata që na lexojnë?
-Letrat janë shkruar me koefidencialitet të plotë, është ruajtur privatësia e përsonazheve por është treguar ngjarja, në të gjithë madhështinë dhe tragjizmin e saj, ngjarja që çuditi botën, dhe tronditi fort themelet e emocioneve brënda secilit prej nesh. Njeriu, kur është shumë pranë vdekjes, mund të rrëfejë dhe të ndjejë atë që nuk ka mundur dot gjatë gjithë jetës së tij. Mesazhet dhe vlerat që i transmetohen lexuesit në një moment të tillë delikat, janë rezistentë ndaj kohës… Libri është shkruar me këtë vizion. Të mbetet në kohë, si dëshmi, brez pas brezi…
-Ambra, përse “Dashuri” në kohë Koronavirusi? Përse “Dashuri” në kohë lufte, çfarë simbolizon titulli i librit?
Dashuri, sepse vetëm dashuria do të na shpëtojë. Duhet të infektohemi me dashuri, në të gjitha kohërat, është e vetmja “sëmundje ngjitëse” që shëron, është magjia që zbut zemrat, është sekreti i jetës, është përgjigjia.