Bashkëshortja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare ka rrëfyer njohjen e Dritëro Agollit me bashkëshorten Sadije Agollin.
Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, ajo ka treguar se ka qenë pikërisht dasma e saj, e cila bëri bashkë çiftin.
Helena ka deklaruar se me Sadijen ishin shoqe konvikti, teksa vazhdonin studimet për Gjuhë-Letërsi.
Ajo është ndalur edhe takimi i fundit para se Sadija të ndahej nga jeta, ku i kishte premtuar se do takoheshin kur të kthehej në Tiranë në pranverë, por që nuk ndodhi kurrë.
“Është pikërisht siç thoni ju. Kemi qenë në një klasë me Sadijen në Fakultetin Gjuhë-Letërsi. Ishim pothuajse gjithë ditën bashkë, sepse banonim në një dhomë të konviktit të vajzave, që ishte përbri fakultetit. Me një fjalë, e ndanim çdo gjë bashkë. Që nga ushqimi i paktë deri te veshjet, kur ndonjëra prej nesh kishte ndonjë event special…
Unë u largova qysh vitin e parë nga konvikti ngaqë u martova me Ismailin. Në dasmën tonë ne bëmë një “skandal” të vogël për kohën: ftesat e dasmës i shkruam në emër të të dyve dhe jo, siç qe zakoni, që filani dhe filania (pra emrat e prindërve) martojnë vajzën e tyre. Dasmën e bëmë vetë, me kokën tonë, pa farefis e familje. Unë ftova shoqet e shokët e mi të klasës, Ismaili ftoi të gjithë Lidhjen e Shkrimtarëve. Dhe aty u njoh Sadija me Dritëroin. Pas natës së dasmës, shumë e rrëmujshme dhe shumë e bukur njëkohësisht, Sadija dhe Dritëroi vazhduan të vijnë në shtëpinë tonë dhe një pjesë të darkave i kalonim se bashku. Meqenëse në apartamentin tonë banonin edhe prindërit e Ismailit si dhe motra e vëllai i tij, unë vija rrëshqitazi në kuzhinë për të bërë ndonjë omletë me veze apo diçka të tillë dhe darkonim në dhomën tonë të gjumit mbi një valixhe që e përdornim si tryezë. Vite më vonë ne u vendosëm në të njëjtën godinë. Ata në katin e katërt ne në të tretin.
Vazhdonim të vinim te njëri-tjetri po jo aq shpesh sa më parë. Vite më vonë, Sadija më tha se po shkruante disa tregime për të cilët ende s’kishte vendosur t’i botonte. Një vit më parë, kur shkova ta takoj në apartamentin ku ajo me Dritëroin vazhdonin të banonin gjithnjë sepse ne u larguam ndërkaq prej andej, ajo më tha se kishte ndër mend t’i botonte këto tregime. E inkurajova dhe i thashë se ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Kishte pak kohë që ishte larguar Dritëroi nga jeta dhe ajo po e vuante shumë këtë humbje. Kjo e bënte të mos dilte më nga shtëpia. Kur u largova, i dhashë fjalën se kur të kthehesha në pranverë, do dilnim së bashku në qytet, sepse s’kishte kuptim që ajo të rrinte mbyllur si një vejushë. Po ashtu e lamë me fjalë që në kthimin tim në Tiranë, ajo do t’i kishte mbledhur dhe bërë gati tregimet.
Kur unë u ktheva, ajo nuk ishte më… Ishte një humbje e dhimbshme. Nuk e prisja të ikte kështu. Por ju e dini si janë gjërat në këtë botë. Je mirë e bukur mes njerëzve të tu të dashur dhe papritur, s’je më…
Këto ditë më ka marrë në telefon Elona, vajza e saj, për të më thënë se po më niste me postë librin e sapodalë të nënës së saj. U emocionova. Jam duke e pritur librin e shoqes sime shumë kureshtare ta lexoj e të mësoj përse ka shkruar. Në këto kohë pandemie edhe postat nuk punojnë rregullisht. Çdo ditë pres ardhjen e këtij libri…”, tha ndër të tjera Helena.