Kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë para mediave pas takimit me aleatët duke informuar për vendimet e opozitës pas prishjes së Teatrit Kombëtar. Ai tha se opozita do të mbështesë protestat e Aleancës për mbrojtjen e Teatrit, qytetarëve dhe do të nisë organizimin e protestave mbarëpopullore. Ai foli me pendesë për marrëveshjen e bërë si sot 3 vite më parë me Edi Ramën dhe tha se ai gabim nuk do të përsëritet më kurrë.
Zoti Basha duket se u tejkalua ajo që ju e quajtët vija e kuqe. Çfarë do të ndodhë me opozitën në këtë moment? Cilat do të jenë rrugët që do të ndjekë opozita?
Dita e sotme është një tjetër shembull i keq që vendi drejtohet nga një kriminel dhe nga një hajdut ordiner, i cili ka marrë peng shtetin e shqiptarëve, ka marrë peng institucionet e shqiptarëve, ka marrë peng bukën e gojës së shqiptarëve, ka marrë peng kulturën dhe shpirtin e shqiptarëve. Prej shtatë vitesh Partia Demokratike dhe opozita kanë bërë betejë me këtë të keqe dhe me autorin e kësaj të keqe që është Edi Rama. Me ndihmën e qytetarëve dhe të mediave kemi ekspozuar ditë pas dite korrupsionin, lidhjet me krimin dhe shkatërrimin e rendit kushtetues të sundimit të ligjit dhe të zgjedhjeve të vjedhura e të manipuluara në Shqipëri.
Nga kjo pikëpamje e sotmja është një tjetër aferë e radhës. Por nuk është vetëm kaq, është guri i rëndesës në shpirtin e çdo shqiptari që merakoset për të ardhmen e fëmijëve të vet, që vuan sot për pamundësitë ekonomike të shkaktuara prej hajdutërisë dhe babëzisë së Edi Ramës, i cili për xhepat e tij dhe pushtetin e tij ka sakrifikuar mirëqenien e çdo shqiptari edhe në këto kohë të pandemisë dhe të vuajtjeve të shtuara për njerëzit.
Si sot tre vjet më parë unë u ula me këtë njeri, me shpresën dhe besimin se forcat politike në vend mund të arrinin një marrëveshje në të mirë të popullit, në të mirë të unitetit të kombit dhe për të garantuar një proces të lirë zgjedhor. Koha tregoi shumë shpejt se u gabova.
Dua të garantoj sot shqiptarët se ky gabim nuk do të përsëritet më kurrë! Se opozita është e vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat demokratikë, por të vendosur për largimin një orë e më parë të së keqes së shqiptarëve, të së keqes së Shqipërisë, të së keqes së fëmijëve tuaj që është Edi Rama.
Vendimi ynë i parë sot është mbështetja për të gjitha protestat e Aleancës për Teatrin, shoqërisë civile dhe qytetarëve kudo ku ndodhen, dhe nisja e organizimit po kështu nga ana e opozitës e protestave qytetare dhe mbarëpopullore.
Zoti Basha ka një datë?
Duke nisur me efekt të menjëhershëm. Sepse aty ku sot u dhunua Teatri u përgatit flijimi i lirive dhe të drejtave elementare të çdo qytetari; të varfër apo të pasur, të punësuar apo të shpunësuar, të djathtë apo të majtë. Ky është vendimi ynë i parë.