To top
5 Nën

Juli Hoxha: Ju rrëfej filantropët shqiptarë

Filantropia në Shqipëri e ka zanafillën që herët, që në shekujt e shkuar. Shqiptarët shquhen për zemërgjerësi dhe shpirt human. Sot shqiptarët humanistë dhe filantropë gjenden në çdo skaj të botës, nga kontinentet më të largëta e deri tek ato  më të afërtat. Por edhe filantropia ka ekzistuar në shekuj, ndërsa sot po bëhet gjithnjë e më prezent. Filantropët në Shqipëri janë të dukshëm, por ata qëndrojnë edhe anonimë. Së fundmi, është ndërmarrë një nismë mbi filantropinë dhe çmimet. Juli Hoxha është një prej ideatorëve të fondacionit “Partnerët shqiptarë”, ku prej tri vitesh organizojnë çmimet e filantropisë në Tiranë me partneritet në botë. Juli tregon mbi këtë nismë, për punën e bërë, përzgjedhjen e filantropëve, pjesëmarrjen e tyre, si dhe shpjegon një studim mbi historikun e filantropisë shqiptare të ekzistuar prej shekujsh.

 

Znj Hoxha, ju jeni drejtoresha e qendrës Partners  Albania. Ç’është kjo kompani, kur dhe pse u krijua?

Partners Albania – “Partnerët shqiptarë” – është një fondacion shqiptar i krijuar në vitin 2012. Qëllimi kryesor i Partners Albania është forcimi i shoqërisë civile në Shqipëri dhe ndërtimi i partneriteteve shumëpalëshe midis organizatave të shoqërisë civile, shtetit dhe biznesit, në funksion të një shoqërie më të drejtë dhe shteti më demokratik. “Partnerët shqiptarë” është e specializuar në fushën e trajnimit institucional dhe lehtësimit të proceseve dialoguese. Kjo qendër punon kryesisht me sektorin joqeveritar, pushtetin vendor në të
gjithë vendin, si dhe me sektorin e biznesit.  Në kuadër të këtij misioni, “Partnerët shqiptarë” prej katër vjetësh po punon për promovimin e filantropisë në Shqipëri, si një aktivitet me potencial të lartë në stimulimin dhe mbështetjen e iniciativave që synojnë rritjen dhe mirëqenien social-ekonomike. Filantropia në vetvete krijon mundësinë e bashkëpunimeve midis sektorit të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile në të mirë të shoqërisë, ku shteti mund dhe duhet të lua jë rolin e katalizatorit.

Vetëm para pak muajsh ju ndatë disa çmime filantropie, mes të cilëve Keti Bazhdari u vlerësua si filantropja për çmimin e individit, por dhe të tjerë. Si arritët në përzgjedhje dhe në fund në finale, pra cila është rruga që ju ndiqni?

Përzgjedhja bëhet si pjesë e një procesi të hapur konkurrues, i cili publikohet në forume mediatike, forume sociale, si dhe prezantime të veçanta në nivel lokal, me aktorë si nga sektori i biznesit, pushteti vendor, media dhe organizatat joqeveritare. Propozimet mund të bëhen nga vetë subjekti që ushtron aktivitetin filantropik ose nga përfituesit e tij. Vlerësimi i propozimeve bëhet nga një juri me përfaqësim gjithëpërfshirës, nga shoqëria civile, media dhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë zhvillimin e biznesit dhe atë ekonomik e social në vend. Përveç kësaj, kryhen verifikime dhe intervista me grupet apo institucionet përfituese. Vlerësimi bazohet në kriteret e mëposhtme:  Individë dhe/ose biznese që tregojnë ndjeshmëri dhe japin kontribut në zhvillimin e komuniteteve  lokale, në mbrojtjen e mjedisit, në zhvillimin social e ekonomik.  Individë dhe/ose biznese që mbështesin në mënyrë të vazhdueshme ose, të paktën prej një  periudhe jo më pak se 12- mujore, organizata jofitimprurëse, institucione, komunitete, individë, në ndihmë të një të mire të përbashkët.   Individë dhe/ose biznese që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të ligjshme dhe me standarde etike përkundrejt komunitetit, mjedisit apo personelit të kompanisë që drejtojnë.   Individë dhe/ose biznese që demonstrojnë rezultate të qarta dhe të matshme të kontributit të tyre, për sa i përket kontributit të dhënë deri në momentin e aplikimit.

Kategoritë e çmimeve janë:

  • Çmimi për subjekte me Kontribut në   Nivel Kombëtar
  •  Çmimi për subjekte me Kontribut në   Nivel Lokal
  •  Çmimi për Kontributin si Individ
  • Çmimi “Pionieri i Filantropisë

Ketit iu dha çmimi për Kontributin si Individ, falë një seri propozimesh që erdhën nga qyteti i Shkodrës, si nga rrethe bashkëpunëtorësh,  artistësh e qytetarësh, të cilët bujarisht kanë përfituar nga mbështetja e saj.

Qendra juaj, me sa shoh, ka binjakëzime edhe me qendra të ndryshme në Europë, por gjithashtu edhe me atë të njohurën në ShBA.

“Partnerët shqiptarë” në këtë epokë të rrjetëzimeve dhe punës në nivel global e ka ndërtuar punën e vet duke pasur parasysh edhe këtë aspekt. Partners Albania u përket disa rrjeteve me shtrirje rajonale dhe globale që kanë lidhje me
natyrën e aktiviteteve që kjo qendër zbaton. Njëri prej tyre është rrjeti amë i Rrjetit Ndërkombëtar të Partnerëve për Ndryshim Demokratik me 20 qendra të pavarura në 20 vende të botës dhe me një zyrë përfaqësimi në Bruksel.

Sa njihet filantropia në Shqipëri dhe a ka persona, të cilët përfshihen në këtë fenomen, që duhet thënë se është tejet i  hershëm në vendin tonë? Edhe pse disi nën hije, sjell në mendje këtu filantropin e njohur Zhaba.

Filantropia njihet si aktiviteti që synon promovimin e mirëqenies nëpërmjet përdorimit të aseteve private në funksion të përfitimit të kauzave publike. Pavarësisht zhvillimit që njohu filantropia në trevat shqiptare gjatë shek. XIX – fillim shek. XX, sot ka mungesë të njohjes e të kuptimit publik të këtij aktiviteti. Kjo edhe për hatër të goditjes që i dhanë pesë dekada komunizëm pronës dhe iniciativës private, si dhe besimit reciprok të qytetarëve. Megjithatë, në bazë të studimeve tona, filantropia si aktivitet, pavarësisht mungesës së njohjes publike, kryhet në Shqipëri. Dhurimet më të mëdha bëhen prej bizneseve të mëdha, dhe kryesisht atyre të huaja. Ato i përkasin më së shumti sektorit të telekomunikacionit dhe atij bankar. Kjo edhe për hatër të traditës institucionale më të gjatë në këtë fushë, e lidhur me një përgjegjshmëri sociale biznesi më të zhvilluar. Fushat ku dhurohet më shumë është shëndeti dhe arsimi. Edhe këto me fokus përgjithësisht ndaj shtresave në nevojë. Megjithatë, aktiviteti filantropik mbetet ende jo shumë i zhvilluar. Treguesit për këtë janë niveli i ulët i dhurimit, krahasuar me përqindjen e fitimit të kompanisë, si dhe përgjithësisht mënyra e paorganizuar e kësaj veprimtarie, mungesa e politikave të qarta dhe e objektivave strategjike në këtë fushë. Aktiviteti filantropik në Shqipëri duket se ka më shumë natyrë humanitare, bamirëse dhe të nivelit të emergjencës, por jo domosdoshmërish të zhvillimit të qëndrueshëm në përgjithësi (edukim, inovacion teknik e social etj.).

Znj. Hoxha, mund të më flisni pak për historikun e filantropisë shqiptare dhe për filantropët, pasi di që ju keni bërë një studim të detajuar rreth kësaj fushe?

Filantropia në Shqipëri u shfaq dukshëm gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, e zhvilluar kryesisht prej shqiptarëve të diasporës dhe më vonë shqiptarëve në Shqipëri. Veprimtaria filantropike ka pasur në qendër të saj mbështetjen e zhvillimit, modernizimit dhe emancipimit të popullit shqiptar. Ajo ka qenë e lidhur gjerësisht me lëvizjen kombëtare shqiptare, ku përmes kësaj veprimtarie shqiptarët janë përpjekur të zhvillojnë sidomos arsimin, që ka qenë një nga detyrat kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare.  Ndër filantropë dhe bamirës të shquar mund të përmendim Vangjel Zhapën, aktiviteti filantropik i të cilit u shtri kryesisht në Shqipërinë e Jugut. Ai financoi botimin e abetares së parë shqiptare
të Naum Veqilharxhit dhe mbështeti financiarisht hapjen e shkollave në një varg fshatrash të Gjirokastrës dhe Vlorës. Veprimtaria e tij filantropike i kaloi kufijtë shqiptarë, duke i dhënë përmasa ndërkombëtare me financimin e ndërtimit të Universitetit të Bukureshtit, Akademisë së Shkencave Rumune, Pallatit të Ekspozitave në Athinë, ndërtimit të Stadiumit Olimpik në Athinë e shumë vepra të tjera. Ndërsa Thoma Turtulli nga Korça ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës, nëpërmjet ndërtimit dhe rikonstruksionit të bibliotekës “Thimi Mitko”, ndërtimit dhe pajisjes së  spitalit të parë në Korçë, ndërtimit të Liceut Artistik “Tefta Tashko Koço”, si dhe shkollës
industriale në Korçë, midis viteve 1921-1937. Një tjetër bamirës i njohur është Anastas Avram Lakçe nga krahina e Korçës. Ai mbështeti përhapjen e gjuhës shqipe përmes financimit të botimeve në shqip, ndër të cilat veprën e Naim Frashërit “Bagëti dhe Bujqësi”. Lakçe dhuroi mjaft të holla për ngritjen e shkollave shqipe në Korçë dhe për zhvillimin e arsimit në qytet, ku së bashku me vëllanë e tij i dhuruan Llasos së Korçës 300 lira turke.  Midis filantropëve shqiptarë duhet të përmendim edhe Haxhi Ahmetin nga Durrësi, Ali Bej Biçakçiun
nga Elbasani, familjen Toptani nga Tirana, Ismail Pashën nga Dibra, Hasan Prishtinën nga Kosova, të cilët e lanë një pjesë të trashëgimisë së tyre për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit në qytetet respektive, si dhe zhvillimin e një Shqipërie si shtet i pavarur.

 

[metaslider id=590]