Tiranë- Gjatë një mbledhje online të organizuar nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeprokurori Olsian Çela u shpreh se është gati drafi për OPGJ-të dhe luftën kundër pastrimit të parave. Ai theksoi më tej se Prokuroria e Përgjithshme po vijon punën dhe ka një rritje të numrit të personave që janë çuar në ndjekje penale për korrupsion. Ai nënvizoi më tej se shumë shpejt do të ketë rezultate edhe në luftën kundër pastrimit të parave.
“Shifrat janë inkurajuese, ka një % dhe ngritje të numrit të personave të çuar për ndjekje penale për korrupsion. Edhe te hetimet proaktive ka një rritje. Janë hasur probleme përsa i përket veprimeve hetimore për pastrimin e parave dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, ende ka shumë për të bërë. Ka vështirësi të natyrave të ndryshme. Prokuroria e Përgjithshme ka marrë një rol proaktiv. Për të rritur luftën kundër pastrimit të parave, ne jemi duke ndërmarrë një ristrukturim brenda prokurorisë që hetojnë këto vepra penale dhe të rrisim bashkëveprimin me institucionet e tjera. Po draftojmë një memorandum me ministrinë e ekonomisë, brendshme dhe policisë për realizimin e objektivave. Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete. Do të ketë masa të tjera që do të lehtësojnë bashkëveprimin mes prokurorisë dhe policisë gjyqësore, jemi duke draftuar udhëzime të reja për menaxhimin e punës. Do të ishte e nevojshme që prokurori që do të caktohet pranë eurojust të kishte tagrin e përfaqësimit të dy prokurorive, të përgjithshme dhe SPAK. Është e nevojshme edhe mbështetja financiare për këtë prokuror për qëndrimin e tij në Hagë, i është kërkuar ministrisë së Drejtësisë ndihmë. Sistemi ka probleme serioze. Prokuroria nga 2014 ka vendosur një sistem të menaxhimit të cështjeve, por për fat të keq, por edhe reformës, sistemi statistikor, i projektuar përmes këtij sistemi kompjuterik nuk arrin të përpunojë të gjitha të dhënat. E kemi ngritur shqetësimin dhe jemi duke ndërmarrë hapat për ta update-ur. Hartimi i politikave penale nuk mund të jenë përsa kohë sistemet statistikore do të jenë difektoze” tha ai.
Ndërkohë gjatë mbledhjes kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi tha se kuvendi duhet të miratojë rritjen e pagave për prokurorët e SPAK-ut. Kuvendi t’i lajë duart në raport me SPAK, sikur është edhe ngritja e pagave për prokurorët. Në 2020 do të japim rezultatet e para për meritokracinë në sistemin e prokurorisë. Do të japim modelin e parë“, tha ndër të tjera ai.