Amal Alamuddin hyri në jetën e George Clooney krejt papritur dhe ndryshoi çdo gjë në më pak se një vit. Ai, beqari i famshëm kishte zbuluar se dashuria s’bënte për të dhe pikërisht në kohën kur hoqi dorë prej saj, gjeti atë që s’e priste. Nëse e keni harruar, aktori ka qenë i martuar edhe më herët në jetën e tij. Gruaja e parë ishte aktorja Talia Balsam, me të cilën qëndroi nga viti 1989 deri në 1993.
Që pas ndarjes, ai u bind se martesa s’bënte për të. Ishte aq i sigurt sa madje vuri një bast prej $100,000 me aktoren Michelle Pfeiffer, e cila ishte e bindur që Clooney do të gjente dashurinë e jetës. Në korrik të 2013-it, fati vendosi të ndalojë tek shtëpia e aktorit në Como të Italisë dhe gjërat ndryshuan përgjithmonë. Ai as që ja kishte idenë kush ishte Amal, por një mik i përbashkët i thotë aktorit: “Po vij drejt shtëpisë tënde, a mund të marr një mikeshën time?”
“I thashë se mund ta merrte patjetër dhe pas disa minutash marr një telefonatë nga agjenti im që më thotë: ‘E takova atë gruan që po vjen tek shtëpia jote, të cilën ti do ta martosh.'”George-it nuk ju desh as të linte shtëpinë e tij për të takuar dashurinë e jetës. Prindërit e aktorit ndodheshin po në atë shtëpi, gjë e bëri edhe më të përkryer momentin. Takimi i parë ndodhi dhe në fund, ata shkëmbyen email-et me njëri tjetrin dhe premtuan se do të mbeteshin në kontakt. Kështu folën për muaj me radhë, por ishte takimi në Londër ai që i çoi gjërat në tjetër nivel. Aktori qëndroi me Amal për 6 javë dhe aq u deshën për t’u bërë të pandashëm.
Në prill të 2014-ës, George vendos t’i propozojë partneres, me të cilën ishte kokë e këmbë i dashuruar. “Mbaj mend që kam qëndruar plot 20 minuta në gjunjë, duke pritur që ajo të më thotë PO, sepse ishte e shokuar.” Në po të njëjtin vit, ata u martuan në Venecia. Asokohe, aktori as që e mendonte se do të kishte ndonjëherë fëmijë dhe nga ana tjetër Amal ishte shumë dakord që familja e saj të ishte vetë George. Edhe kësaj here gjërat ndryshuan.
Në 6 qershor të 2017-ës ata u bënë prindër të binjakëve Ella dhe Alexander dhe sot, Clooney është i bindur se “puna” më serioze në jetën e tij është të jetë rritja e mirë e fëmijëve.
Vetëm prania e Amal-it në jetën e tij e bëri botën e George-it të ndryshonte plotësisht. Juristja më e famshme, brunet, ndryshoi mënyrën e tij të perceptimit, besimet dhe idetë fikse.
“Para se të kishim fëmijët, mendoja se ajo ishte e bërë vetëm për mua. Isha i bindur që do ta jepja jetën për të, sepse kisha takuar dikë jeta e të cilës për mua kishte më shumë kuptim sesa e imja. S’e kisha përjetuar diçka të tillë më parë.”- përfundon Clooney, që dhe pas kaq vitesh bashkë, e sheh me të njëjtin pasion gruan që i ndryshoi jetën.