Nga rrëfimi për shpirtin e lirë tek vlera e parasë, Jonida Maliqi na i zbulon në këtë ditar karantine, ku çfarë ka më shumë vlerë është vetë jeta. Këngëtarja e njohur, pas një mungese në media rikthehet me këtë intervistë ekskluzive për revistën “Story”, dhënë të shtunën në orën 19:00 në “live streaming” në Instagram. Mijëra fansa e kanë ndjekur dhe shoqëruar artisten nga veranda e shtëpisë, gjatë takimit virtual “live” me gazetaren, Klotilda Harka. Në super formë dhe e kuruar në çdo detaj, Jonida bëri një rrëfim spontan duke zbuluar momente nga ditët që po kalon në karantinë, planet pasi të dalë nga izolimi, reflektime mbi jetën apo dhe vdekjen, por mbi të gjitha fjalët e zgjedhura për dashurinë . Se si qëndron e vërteta me aktorin Romeo Veshaj, dhe gjithçka rreth të vërtetave të një personazhi publik shumë të veçantë si ajo, i zbuloni në këtë rrëfim ekskluziv për revistën “Story”
Jonida përshëndetje! Ke kohë që ke munguar në media, pse zgjodhe pikërisht “Story–n” për t’u shfaqur ekskluzivisht?
Gjatë 2019-ës ose pak para pandemisë kam qenë prezente në media kundrejt privatësisë apo ngjarjeve që më kanë rethuar atë periudhë; që nga Eurovizioni, festivalet, apo të gjitha eventet ku kam qenë e pranishme. Pse vendosa të dal ekskuzivisht tek “Story”? Kjo ka qenë një periudhë relaksi për mua, të cilën e kam shfrytëzuar maksimalisht në mënyrë shumë pozitive. Por teksa rritesh, ndodh që ngushtohet jo vetëm rrethi yt shoqëror, por edhe ai profesional . Në këtë aspekt i jam shumë mirënjohëse revistës “Story”, sepse keni qenë ndër të paktat media që më keni suportuar, përpara se të të përfaqësoja vendin në skenën e Festivalit Europian.
Mund të themi që je pak tip i vështirë?
Jo, jo nuk jam tip i vështirë, por je drejtpëdrejtë. Jam shumë mirënjohëse dhe strikte, sidomos kur bëhet fjalë për personin tim. Mendoj që kur punon fort, me dashuri e pasion, ç’arrin në jetë e mbron me mish e shpirt.
Si po e kalon karantinën?
Ditët e para kam qenë me të vërtetë në shok. Më ka ndodhur edhe me tërmetin që nuk reagoj menjëherë, por pasi disa ditësh filloj dhe reflektoj duke kuptuar se ç’ po ndodh realisht. Më duhet kohë me veten për të përthithur situatën. E më pas të kuptoj se si mund ta ndihmoj veten, e të filloj t’i marr këto eksperienca sa më pozitivisht të jetë e mundur, madje për t’i shfrytëzuar ato. Në këtë vegjetim, të gjithë kemi shkuar drejt së shkuarës. Lind pyetja çfarë na ka ndodhur, pse është e tashmja e tillë? Sepse të ardhmen ende s’e dimë!
Le ta presim të ardhmen si një surprizë të bukur, apo jo?
Askush prej nesh s’e di ç’do ndodhë, por dihet që secili prej nesh kishim bërë plane në profesionet tona. Personalisht kisha bërë shumë plane , dhe po punoja për disa projekteve të reja. Prisja me padurim muajin maj për t’i konkretizuar projektet, por gjithçka u rrëzua, u rrënua… E në këtë situatë të gjithë gjejmë arsye për të reflektuar, për të pyetur veten:” Çfarë vlen më shumë? Mos duhet vallë mbi të gjitha të mendojmë për veten, për atë që na përkon tani, dhe pastaj të fillojmë edhe të fantazojmë?”
Në aspektin krijues të ka ndihmuar kjo rënie në qetësi , apo ta ka bërë mendjen më të zhurmshme, të ka futur në një kaos sa thua: “Tani nuk përqendrohem dot dhe pikë”?
Në fakt kisha përfunduar një produksion. Sapo kishte dalë nga furra, kënga ime e fundit nga “Tull production”, bashkëpunim me Obi, një këngëtar nga Xhamajka. Kishim vendosur dhe lokacionin ku do të xhironim klipin. Sigurisht Ardi ASllani do të ishte stilisti,që do kujdesej për imazhin tim. Obi do të vinte nga Kanadaja, dhe në datat 11 -17 ne kishim lënë xhirimet, por që nuk ndodhi. Kënga është gati, por duke shpresuar që gjithçka të kthehet në normalitet, do të jem e përqendruar që ta realizoj sa më shpejt këtë klip. Ndërkohë po punoj edhe për një projekt tjetër me studion “Tik tok” në Prishtinë. Është këngë shumë personale, për një ndjesi shumë të bukur, dhe krejtësisht ndryshe nga kënga që është gati. Planet i kisha aq të shumta, por fatkeqësisht situata erdhi kështu…
Çfarë të inspiron këto kohë?
Për t’u frymëzuar e kam pasur të vështirë të lexoja libra. Tek shihja që të gjithë tentonin me gatime në kuzhinë, unë për gatime nuk shquhem. Nuk hyj në kategorinë e femrave që dinë të gatuajnë shumë mirë, por antipastat e sallatatiI qaj, pra pjatat e shëndetshme. Të tjerat i bën mami, ose ka mënyra zgjidhjeje në këto kohë që jetojmë.
Po sa tip e ke mamin, e shohim shpesh në postimet e tua…
Mamin e adhurojnë të gjithë. Ka krijuar targetgrupin e saj. Ka shumë fansa, dhe sa herë e nxjerr në “Instastory”, minimalisht më shkruajnë mbi 300 vetë. Hera-herës e nxjerr pa dijeninë e saj, ose ia bëj fakt të kryer, sepse nuk i pëlqen shumë kamera. Edhe mami është e drejtpërdrejtë, dhe i jep drejtim situatës.
Je në pozita komode, pasi je dhe goca e mamit dhe mami i çunit. Cili status të shijon më shumë ?
Në fakt jam goca e babit. Por të jesh nënë është ndjesia më e bukur në botë, ndjesia që të bën të zgjohesh e lumtur në mëngjes, të vësh kokën në jastëk e qetë dhe me shpirtin plot. Nuk ka si dashuria e një fëmije. Jam me fat që kam Danin! Jemi afruar edhe më shumë këtë periudhë! Ai pothuaj s’e ka ndjerë fare izolimin, pasi e gëzon shtëpia. Madje sa herë i them: “Do shkojmë në shkollë!”, Jo, nuk dua!”, më thotë”. (Qesh)
Të kthehemi pak tek kënga shpirtërore që folëm pak më parë. Është këngë dashurie apo jo?
Këngë shpirtërore, dashurie, por që të çon tek fantazia, yjet, prekja, tek aroma e gjithçka. Më ka ndihmuar për tekstin në fakt, Olti Curri,i cili ka qenë shpeshherë autor i shumë teksteve të mia. E gjetëm menjëherë pikën e përbashkët, i shpjegova që melodia të çon në një tematikë shumë personale, pra është këngë sensuale. Ishte shumë e thjeshtë, pasi kur punohet me qejf dhe frymëzim, padyshim që dalin projekte të bukura.
Si i bën të tuat këngët, shkon në studio të ndryshme dhe zgjedh demon e preferuar apo të vetëofrohen kompozitorët?
Jo, tani jo më. Kohët kanë ndryshuar. Ka ikur periudha kur këngët t’i ofronin kompozitorët dhe thjesht dëgjoje melodinë në piano. Tani studiot diskografike vetofrohen, më dërgojnë demot e kënduara nga këngëtare që punojnë pranë tyre, dhe pastaj unë përzgjedh ose i testoj, nëse i përshtaten vokalit, apo më pëlqejnë për gustot personale e profesionale.
Meqenëse fitove Festivalin e Këngës, shkele skenën e Festivalin Europian që është një ëndërr për shumë këngëtarë shqiptarë le ta themi! Kjo do të thotë që nuk ke më interes të marrësh pjesë në festivalet shqiptare?
Kush e tha këtë?! Të ndryshojë byroja e RTSH-së, sepse si çdo këngëtar edhe unë kam patur problematikat e mia në atë festival, jo shumë mbështetje nga ana e RTSH-së. Në momentin që do mendoj se do ketë pak drejtësi, do të rrimerrja pjesë për të rifituar dhe një herë emocionet e jashtëzakonshme të skenës së Eurosongut, fansat, mediat, gjithçka që të rrethonte. Pjesëmarrja në Eurosong ishte kulmi i karrierës sime artistike, skena ku vërtet e kam ndjerë veten artiste.
Duke interpretuar këngën “Ktheju tokës” në skenën europiane, dukej sikur edhe toka këndonte njëzëri me ty, aq fuqishëm e ke ndjerë. Ishte kështu?
Shumë e kam ndjerë interpretimin në atë skenë. Nuk kam mundur dot ta këndoj “Ktheju tokës” “playback” për një vit, përveçs kur m’u desh të hapja Festivalin e Këngës në RTSH. Gjatë turit për Eurovizion, nuk e ndjeja atë emocion që më përshkonte teksa e këndoja këngën “live”. “Ktheju tokës” kishte lidhje direkte me emigrimin, por hera-herës më duket sikur i përkon edhe kohës së pandemisë. Jepet mesazhi “Ktheju tokës”, sepse çfarë s’i kemi marrë kësaj toke, dhe ndoshta kjo është forma që po na i shpërblen.
Meqë jemi këtu tek ky lloj “shpërblimi” beson tek Karma, fuqia e saj?
Besoj shumë tek Karma, dhe kam pasur një parim në jetë:.“Mos bëj keq, të gjesh keq, bëj mirë dhe do të gjesh mirë!”. Sigurisht që jeta si një grafik, ka uljet dhe ngritjet e veta. Por këto ulje-ngritje janë mësime nga të cilat mësojmë si të reagojmë, të bëhemi më të fortë e humanë. Dhe kjo vjen me pjekuri.
Në ç’moshe një femër e arrin pjekurinë sipas teje?
Unë mendoj që rreth moshës 30-vjeçare ajo fiton vetëbesimin.
Një femër në moshën 50-vjeçare si të duket? E sheh si fundin e botës?
Absolutisht jo, për sa kohë ke jetuar të gjitha fazat jetësore në mënyrën më të mirë të mundshme…!Në këtë jetë të gjithë jemi kalimtarë. E rëndësishmë është t’i përjetosh të fazat, me sa më shumë emocion, pozitivet dhe dashuri. S’dua të shfaqem këtu si shenjtore, se të gjithë kemi momentet tona kritike të të qenurit njeri, individ me kocka e me gjak, por të mos harrojmë që koha kalon, ikën shumë shpejt. Ndaj është shumë e rëndësishme të mos ta kesh kokën pas, e të kesh pengje në jetë.
Ti e ke tipin që e shijon jetën në maksimum, pra jo kur të ikën momenti siç ndodh zakonisht me njerëzit?
Kam filluar ta përjetoj atë në maksimum kur arrita pjekurinë, dhe kuptova që çfarë dua fort, duhet t’i mbaj fort, dhe të mos i humbas.
Mendova të bëjmë një thyerje duke shijuar pak verë…
(Qesh) S’dehem unë me një gotë jo! Nuk arrij asnjëherë të dehem dhe të degradohem. S’më ka ndodhur, përveç kur jam dehur herën e parë, dhe kuptova sa e frikshme ishte. E kam situatën gjithmonë nën kontroll. Nuk dua të mos ta kem veten në kontroll dhe të bëj budallallëqe, që nuk mund t’i mbaj mend të nesërmen, apo të pendohem.
Po, se je dhe VIP…
Po, se ndonjëherë është mirë të jesh VIP, se ke disa përfitime në vendin që jeton, dhe gjithçka që ndodh është më e thjeshtë për një person publik. Nga ana tjetër paragjykimi është shumë i madh, sesa për njerëzit e thjeshtë.
Po pse e vrisni mendjen kaq shumëmendjen për paragjykimet, Jonida? Ju jeni në majë të pramidës?
Ju na shikoni me atë sy, por mos harroni që jemi njerëz mbi të gjitha, dhe kemi emocionet tona! Përveç faktit që profesioni ynë është publik, edhe ne mërzitemi, kemi hipersensibilitet krahasuar me individët e thjeshtë. Skena, të qenurit gjithë kohës në tension, dhe perfekt në sy të të tjerëve, (sepse ndryshe nuk do të shkonte) të bën që të kornizohesh, të jesh shumë robotike. Dhe të harrosh faktin që edhe unë frymoj, dhe ndoshta do gaboj. Edhe unë dua të bëj revolucionaren në një pikë të caktuar, sepse kështu e ndjej.
Më pëlqen! Po meqë jemi në kushte ta pazakonta karantine, nga postimet në rrjetet sociale dukesh shumë e gëzuar , e lirë. Mund të themi se e ke thyer karantinën apo ke ndjekur rregullat?
I kam ndjekur rregullat. Sigurisht që kur më është dashur të lëviz kam marrë leje. Nuk ka qenë për arsye argëtimi, pasi unë kam origjinën nga Jugu. Askush nuke di, sepse jo çdo gjë do e bëj publike se çfarë më lidh me diçka. Në Jug të Shqipërisë kam qenë brenda kushteve, limiteve, s’ kam pasur kontakte me persona të tjerë, kështu që mos ma kini merakun ju lutem shumë! E dua më shumë veten se ç’më doni ju!
Si i ke mbajtur kontaktet me shoqërinë në këtë kohë distance? Ndodh ndonjëherë që të darkoni “live” me mikeshat dhe të bëni biseda sikur të ishit në të njëjtën tryezë?
Jo. Maksimumi flasim në telefon. Mund të shkëmbejmë në grupin tonë ndonjë foto e video për të qeshur. Kjo ndodh për faktin se ashtu siç dukem, shumë e kuruar e maniake në sensin e imazhit, e njëjta jam edhe në shtëpi. Jam kthyer si Izaura, skllavja Izaura. (qesh)
Skllavja që u rebelua dhe preu flokët. Ç’ndodhi me baluket e tua?
Ashtu bëra dhe unë. (Qesh) Përfundova me baluke. Ditët e para të karantinës nuk i përjetova mirë, e thashë edhe më parë. Isha si në shok, s’reagoja, nuk flisja por qëndroja me veten. Teksa po kujdesesha për look-n, vura re se baluket sikur ishin djegur, derisa i bëra si çati në mes të kokës. Pastaj m’u desh që (brenda normave të sigurisë me maska, dhe një orari të caktuar), t’i kërkoia nder parukieres sime, Danielës, të më sistemonte pak gjendjen. Ky lloj frymëzimi më ndodh sa herë kam ndonjë ndjeshmëri të çuditshme me veten. Ose për mirë, ose për keq gjithmonë do ndryshoj flokët, ose do bëj ndonjë tatuazh.
Sa ka shkuar numri i tatuazheve që ke pikturuar në trup?
Nuk numërohen më tani, sepse kanë qenë tattoo të vegjël, që janë zmadhuar. Siç është ky engjëll në krahun tim të majtë, të pikturuar një vit më parë. Është engjëlli im mbrojtës, dhe nuk ka gjini.
Le të bëjmë pak filozofi. Ti mendon se truri njerëzor është pa gjini, apo ndahet në meshkuj dhe femra?
Nuk mendoj se truri ka gjini. Unë besoj tek shpirti. Mendoj se shpirti nuk vdes kurrë. Ai hyn në trupat tani, dhe qenia jonë mbaron, ai shkon diku tjetër. Besoj në Zot, dhe sigurisht ndjesitë shpirtërore më lidhin shumë. Jam ndërgjegjësuar edhe më tepër vitet e fundit në këtë aspekt. Besoj në astrologji, e në shkencë. Për alibitë që kanë dalë së fundi rreth pandemisë, i kam marrë informacionet e mundshme, e kam dalë në konkluzionin se asgjë s’ka ndodhur rastësisht. Mendoj se kjo është luftë politike.
Të tremb kjo luftë, dhe më shumë të frikëson vdekja apo transformimi që do i ndodhë njeriut pas kësaj situate?
Të gjithë e gjejmë ngushëllimin tek fakti se :”Nuk jam e vetmja!” Kam frikë vetëm nga vuajtja e madhe. Nuk do të doja të shikoja njerëzit e mi, të afërmit të vuanin. Do të preferoja të ikja unë e para, dhe të mos shihja asgjë. Nga vdekja s’kam frikë. Është cikël që rritesh, evoluon me fazat e tua, pastaj është e pashmangshme. Të gjithë rritemi me idenë, që në një moment do të ndodhë.
Por ka disa njerëz të guximshëm që madje e zgjedhin mënyrën se si do të donin të takoheshin me vdekjen. Ti?
Nuk jemi në pikën që mund ta zgjedhim vdekjen, por do të doja që trupi im të digjej, dhe hirin ta hidhnin në det. Ua kam thënë dhe të afërme të mij. Nuk do preferoja që trupi im të shkonte nën dhe.
Po mirë gjithë ai trup i kuruar nga koka tek këmbët, si mund të kthehet në hi?
Kur ikim, nuk ka më rëndësi. E rëndësishme është të lësh një shenjë të mirë në jetë, ose ta kesh jetuar atë, se dhe shenja e mirë s’ka shumë rendësi. E rëndësishme është të jesh human.
Meqë këtë intervistë po e bëjmë në perëndim, krahasuar me agimin ty cili të pëlqen më shumë?
Jam tip mëngjesi, më del gjithmonë gjumi kurdo që të fle. Perëndimi më pëlqen shumë, sidomos në këtë periudhë që kam qenë në shtëpi, por edhe kur jam buzë detit. Sikurisht jam artiste dhe romanticiteti, apo ndërlidhja me natyrën është një pikë shumë e fortë e imja, por preferoj perëndimin. Agimi është i rrallë për t’u parë, dhe nuk ndodh që ta shoh . Por sa herë ndodh, sigurisht mrekullohem.
Përdore fjalën “romantike”. Romantike dhe Romeo, shkojnë bashkë duke u nisur edhe se si Shekspiri e ka projektuar atë dashurinë e famshme me këtë emër?
R për R thua ti. Edhe unë Jonida si Julieta…
Tani si është puna, ju po luani me ne apo ne po luajmë me ju të dy?
U kënaqët ju kur luajtët me ne?! Tani do luajmë ne me ju. Po si luajmë ne, si shokë apo si më shumë se shokë? Kjo mbetet për t’u parë!
Atëherë si ta kuptojmë që jeni më shumë se shokë?
Po çfarë ju duhet ju ?! (Qesh) Nuk hani bukë, nuk ju zë gjumi natën? Apo do ndjeheni më të lumtur? Se nëse do të ndjeheni më të lumtur unë e them direkt, por kam frikën se mos mërziteni!
Do ndjehemi të lumtur sigurisht, se do besojmë më shumë tek ekzistenca e dashurisë…
Ju mendoni se ka njerëz kaq dashamirës?! A ia vlen ndonjëherë t’i ndash gjërat që i do, me të tjerët? Gjithmonë kam qenë shumë strikte në këtë sens. Pavarësisht faktit se me shpirt, ndjehem ashtu si çdo njeri që kur ndjehet i mbushur, e që do të donte ta ndante me gjithë botën. Por i tremben lumturisë, sepse është aq e bukur, por edhe e frikshme. Prandaj kur u bë publike, kam qenë shumë nën tension, sepse kudo ku shkoja, qoftë edhe njerëzit e thjeshtë shihja tekkënaqeshin me video e foto. Çfarë nxjerr në fund fare, ç’po bëj të jashtëzakonshme? Asgjë! Po jetoj jetën time. Kështu gëzuar!
Gëzuar edhe me trashëgime!
Faleminderit! (qesh)
Po Romeo ku ndodhet tani?
Pse s’e pyet vetë, mund ta pyesësh tani. (Qesh)
Për pyetjen që po bëhet live, duam dasmë pas karantinës si mund të përgjigjesh?
E para, çështja e dasmës është për t’u diskutuar. Është shumë e rëndësishme të përjetosh çdo moment ashtu siç vjen. Me gjithë situatën e krijuar këtë periudhë, kam shumë frikë nga planet. Vetëm kësaj i trembem, i vetmi aspekt që më ka bërë të reflektoj gjatë.
Beson tek dashuria e vërtetë në këtë kohë, kur çfarë s’dëgjojmë e çfarë s’na shohin sytë?
Gjithmonë kam besuar. Kam qenë nga ato vajzat që ëndërroja për fustanin e bardhë, kam ëndërruar për familjen perfekte. Jam rritur në një familje me shumë dashuri, familjarët më kanë ndihmuar për të vazhduar ëndrrën time që në fëmijëri. Për mua një qenie pa dashuri, pa lumturi, pa vetëbesim, pa ndjeshmëri, c’kuptim do të kishte? Dashuria të bën më të bukur, njeri më të mirë, frymëzues, krijues, kështu që në të gjitha dimensionet e saj, çdokush duhet të luftojë për të qenë i dashuruar dhe i realizuar. Nuk do të thotë kjo vetëm në marrëdhëniet në çift, sepse unë kam tim bir që më përmbush maksimalisht, kam familjarët e mi. Por në çift dashuria të bën të qeshësh, të ndjehesh femër, e dëshiruar nga dikush, e joshur. Dhe ne femrat vdesim për këtë!
Kur jeni bashkë e bën më shumë ti për të qeshur Romeon, apo ai ty. Dhe është me ty në këto momente?
Jo, është Dani, Dani me gotën e verës. (Qesh) Nuk të them tani më. Në bazë të profesioneve që kemi sigurisht që… Dëgjo, unë Romeon e kam shumë xhan, e kam shumë shok.
Po mos thuaj “e kam shok”…
Në të tilla raste s’ke ç’të thuash!
Ndryshojmë temë. Në lidhje me biznesin, si po shkon në këtë “ngrirje” të botës globale?
Si gjithë bizneset e tjera, kjo ka qenë problematikë e madhe. Të gjithëve na ka lënë me më pak orë gjumë. Ka qenë frikë e madhe. Ajo që diskutoj hera-herës me motrën time, është fakti që po ndodh kjo situatë, dhe tek ne që kemi biznese private ka pasur ndikim të madh, sidomos kur ke dhe staf. Më në fund u lirua disi realiteti këtu në Tiranë, kështu do të rifillojmë brenda limiteve e rregullave të caktuara, dhe të shohim si do të vazhdojë ecuria. Kemi aplikuar kundrejt biznesit bashkë me Armina Mevlanin, me mundësitë që na janë dhënë online, duke çuar dërgesat tona. Sigurisht që është ndjerë kjo krizë, dhe kam do e ndjejmë relativisht gjatë.
Të tremb mungesa e parasë?
Them se hyj tek femrat, që e kam treguar se paraja nuk është gjithçka. Për sa kohë kam dëshirën për të punuar, energjinë, dhe ia dal vetë nuk më tremb mungesa e parasë. E di që po të dua të punoj fort, (ashtu sikurse ikam realizuar deri tani të gjitha dëshirat e mia), do të vazhdoj të kem energji, forcë dhe dëshirë për të punuar. Pastaj përsa i takon krizës, sigurisht që është fazë kalimtare. Sërish dal tek ngushëllimi, që po na ndodh të gjithëve.
Ke menduar të hapësh ndonjë biznes tjetër, që në këtë situatë mund të duket utopi?
Kam kohë që punoj, kam bërë kërkimet e mia. Sigurisht që nuk mund të mbetem vetëm me biznesin. Kisha edhe një plan tjetër për ta realizuar, “Tirana Fashion Days”, që ishte dhe ky një formë biznesi. Po kështu ndodhi tani, e s’kemi ç’bëjmë!
Si duket jeta në showbiz? Është e vështirë mes jush si personazhe, jo si ju sheh publiku po si e shihni ju njëri-tjetrin?
S’e kuptoj dot si më sheh mua publiku, sepse kur rritesh në skenë dhe mësohesh me këtë jetë, të vjen organike, është punë për ty dhe e bën gjithçka normale, e sa më të thjeshtë. E vështirë, për sa u takon situatave, ndonjëherë mediokre, apo disa ndodhive që nuk ia vlen të merresh, madje edhe vetë do t’i anashkalosh. Por je e detyruar për hir të të qenurit personazh publik. Pastaj të vënë në shënjestër, bëhesh qedra e vëmendjes, dhe sigurisht që duhet të reagosh, apo ta menaxhosh situatën në formën më të mirë të mundshme.
Je rritur në skenë pasi je prezantuar si artiste që fëmijë. E ke fituar imunitetin e personazhit publik, apo ende mërzitesh nga shkrimet e ç’mund të thuhet për ty?
Mërzitem kur ka padrejtësi, kur abuzohet rëndom me imazhin tim, me personin tim. Këtë nuk mund ta lejoj se më është dashur të punoj fort, me janë dashur net pa gjumë, emocione të mëdha t’i përjetoj. Kështu s’mund të lejoj askënd të baltosë emrin tim, apo të guxojë dhe të kalojë mbi personalen time, aty ku nuk i takon dhe nuk ka drejtësi. Këtu nuk fal dot, sepse i bie të isha copë mishi!
Ke pasur ndonjë proces gjyqësor deri tani?
Isha në pritje, por ndodhi pandemia, dhe po pres përgjigje. Çështja ka të bëjë me një ish-mikeshën time, kjo historia që u bë legjendë. Më ka ndodhur në jetë të zhgënjehem nga mikesha, sepse fakti i të qenurit personazh publik sigurisht ka patur ndikim të madh tek ato. Problemet e tyre personale nuk mund t’i zgjidh unë, por kur jam me të drejtën e Zotit nuk lejoj kurrësesi! E kam çuar përmes avokates sime Eris Hysi këtë çështje. Pres përgjigje, por nuk kam marrë ende email.
Mendon se shoqëria mes mikeshave sot nuk është asnjëherë e sinqertë?
Unë i adhuroj femrat, i dua fort. Shquhem si femër feministe, sepse mendoj se femrat janë shumë më të forta se meshkujt, e mund të realizojnë gjithcka. Jetojmë në realitet maskilist, por fatkeqësisht ka raste të tilla kur njerëzit kanë probleme me veten dhe problemet e tyre do ia asocioojnë dikujt tjetër, për të pasur atë pesëminutëshin e tyre të famës. Në fund fare me imazhin tim nuk guxon askush. E di çfarë më tmerron më shumë? Individë që e dinë cfarë janë dhe si hiqen. Jam person shumë diskret, dhe nëse do të reagoja, do reagoja vetëm atëherë kur vërtet më shkelin në kallo. Toleroj, toleroj, toleroj dhe bëj ndonjëherë një vesh shurdh e një sy qorr për të mos i dhënë akses dikujt, se indiferentizimi është forma më e mirë. Por në momentin që më shkel aty ku nuk nuk duhet të shkelësh, se ti nuk mund të shpikësh, atëherë duhet t’i vë gjërat në pikën më të lartë të mundshme drejt drejtësisë.
Ke provuar edhe të prezantosh, ke një moderator që do të doje të ishe një herë në skenë me të?
Jo .Kam shumë miq prezantues, janë të preferuarit e mi, por nuk mendoj se prezantimi bën shumë për mua. Parapëlqej show-t kur kanë spontanitet, improvizim. Nëse do më jepnin një skenar të gatshëm nuk mendoj se jam personi i duhur, sepse tjetërsohem, kthehem në një marionetë në thonjza. Skenari fiks më tensionon e më bën të dal nga vetja. Ndërsa në show, jam aktive, reagoj, luaj, më pëlqen të bëj shaka, fundja të bëj autoironi, por të mos kaloj kurrësesi në versionin e prezantueses standarde.
Ke patur një eksperiencë para disa vitesh në një spektakël të “Vizion Plus”. Si e kujton?
Ishte spektakël me skenar. Mbaj mend me Arminën, ishim dy diletante bashkë. Absolutisht s’kishim pasur eksperienca për të drejtuar një “live show” për tre orë. Kjo ishte relativisht e vështirë. Ishim shumë të reja, kishim feeling , shumë mikesha, por sigurisht ashtu si bëjnë moderatoret sot, kishim promterin përpara, e lexonim mirë. Nuk kemi bërë ndonjë gafë që të mbahej mend. Asokohe ishte fillimi i Instagramit. Pati ndikim të fortë tek ne, se pamë dashakeqësi të madhe, që në fund të fundit kur shikoj tani xhirimet them: “ Po s’ka qenë aq keq dreqi ta hajë, pse u morën kaq shumë me ne?!”. Sigurisht është pjesë e të qenit personazh, dhe duhet ta pranojmë. Nuk mund të pranoj kur abuzohet me komentet , sidomos në shtëpinë time( si unë e konsideroj Instagramin që e kam të hapur për të gjithë, e që mund të bëhen pjesë e tij). Në momentin që dikush kalon normat e etikës që nga zhargoni vulgar apo gjykimi duke mos më njohur personalisht duke guxuar të prekë aty ku nuk i takon pa më njohur, sigurisht aty e bllokoj dhe e çoj te koshi i plehrave pa problem, shumë më shpejt se të hapëprofil tjetër e të rishkruajë sërish.
Në muzikë me kë do bëje donjë duet?
Me Tamarën, u bëmë shumë mikesha gjatë Eurovizionit. Në “Kënga Magjike” u ritakuam dhe e lamë të krijonim një këngë së bashku. E kishim lënë për këtë muaj, por situata erdhi kështu. Sa për aspektin artistik, këtë vit kisha dëshirë të kthehesha fuqishëm me këngë, sepse më kishte marrë malli shumë, duke qenë se vjet nuk më la Eurovizioni, dhe për gjysmën e vitit eventet e tjera në media të ndryshme. Shpresojmë që stabiliteti të kthehet sa më shpejt, jo vetëm për anën profesionale por mbi të gjitha për qënien tonë, anën tonë shpirtërore, spasi nuk jemi mësuar të qëndrojmë të ngujuar. Duam rutinën tonë, na mungon! Megjithatë na ka relaksuar disi fakti që nuk kemi më orare, synime e impenjime.
Kur të dalim nga ky izolim, do të jemi më të mirë apo më të këqij?
E kam testuar disi, dhe i shoh njerëzit që janë të prirur të bëjnë policin, të të gjykojnë pa ditur asgjë për jetën tënde. Mendojnë se jeta në rrjetet sociale është jeta reale, ku nxjerr në pah atë që dëshiron ti dhe harrojnë që një fotografi nuk zgjat më shumë se 10 sekonda, një video jo më shumë se 16 sekonda. Nuk është ajo jeta aspak, është tjetër gjë jeta. Duhet të reflektojnë, se si dihet kurrë çfarë na pret. Nuk e kisha imagjinuar se do përjetoja situatë të tillë, edhe do të ngujoheshim në shtëpi.Mendoj që minimalisht njerëzit të bëhen më pozitivë, ta duan më shumë veten dhe të afërmit. Falenderoj personat e shumtë që na kanë ndjekur në këtë intervistë “live”. Ishte kënaqësi e veçantë.! Ju uroj më të mirat, shëndet mbi të gjitha, se të tjerat vijnë vetë!/www.story.al