To top
25 Mar

Qeveria e Albin Kurtit rrëzohet. Kurti: Thaçi dhe Vuçiç kanë marrëveshje të fshehur

Bie qeveria e Albin Kurtit pas 51 ditësh. Me 81 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim në natën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës është votuar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Albin Kurti drejtoi ekzekutivin e vendit për vetëm 51 ditë, duke qenë kjo Qeveria më jetëshkurtër ndonjëherë në Kosovë.

Mocionin për rrëzimin e Kurtit e nisi Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës,

LDK’ja e prishi koalicionin pasi Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas LDK’së, e shkaktoi Kryeministri Kurti, ishte një nga arsyet për mocionin.

VV’ja e Kurtit i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019 me 26.2 për qind të votave, ndërsa pas saj doli LDK’ja me 24.5 për qind.

Dy subjektet nuk arritën marrëveshje për koalicion parazgjedhor, e më pas zhvilluan 4 muaj negociata, për ta formuar Qeverinë më 3 shkurt 2020.

 Kurti në fjalimin e fundit si kryeministër: Thaçi dhe Vuçiç kanë marrëveshje të fshehur

Pas para se Kuvendi të votonte mocionin e mosbesimit të qeverisë, Albin Kurti bëri fjalimin e fundit si kryeministër i Kosovës. Gjatë fjalës së tij ai nuk i kurseu akuzat në drejtim të presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç, se sipas tij këta të fundit kanë marrëveshje të fshehtë bashkë.

“Ne do të vazhdojmë që t’i kryejmë detyrat, por jo si më parë, pas rrëzimit të qeverisë. Është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë, me një marrëveshje të dëmshme ku detyrohesh ta nënshkruash. Nuk mund të bëhet marrëveshja pa më thyer mua. Unë jam njeriu ma i votuar në dy palë zgjedhje, andaj nuk thyhem”, ka thënë ai. Ai ka përsëritur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se nuk është ide e Mustafës.

“Ideja e gjendjes së jashtëzakonshme është ide e presidentit Hashim Thaçi. Kuvendi ka votuar edhe marrëveshje të tjera të këqija. Ajo 15 pikëshe, Thaçi- Daçiç”, ka deklaruar Kurti.