To top
21 Mar

“Italia thirrje të dëshpëruar për ndihmë’, Conte jep lajmin e mirë: Apelit iu përgjigjen 3500 mjekë

Numri i viktimave në Itali nga koronavirusi i ka tejkaluar ato të Kinës duke shkuar në 4032 dhe rreth 40 mijë të infektuar. Të gjendur në këtë situatë, të gjunjëzuar, Mbrojtja Civile theksoi dje se sistemi ka nevojë për 300 mjekë dhe u bëri thirrje të gjithëve që kanë këtë profesion të aplikojnë sa më parë.

“Ne kemi shumë nevojë për infermierë dhe mjekë, si dhe pajisje për ventilim dhe pajisje mbrojtëse personale” – ka qenë apeli i Stefano Fagiuoli, drejtor i Departamentit të Mjekësisë në Spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo, i cili është “në urgjencë të plotë” nga koronavirusi.

Një ditë më pas, apelit i janë përgjigjur 3500 mjekë. Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri Italian, Giuseppe Conte me atë të një postimi në Facebook.

“Dje nxorrëm një apel të jashtëzakonshëm për të krijuar një task force me 300 mjekë që mund të operojnë në institucionet rajonale të kujdesit shëndetësor, duke forcuar veprimin e atyre që janë të ekspozuar në vijat e frontit që luftojnë kundër Covid-19 në këto orë.

Që tani 3500 mjekë i janë përgjigjur apelit dhe është një numër që rritet nga ora në orë. Kjo është një shenjë e fortë e solidaritetit dhe një frymë shërbimi që dëshmon edhe një herë për guximin e jashtëzakonshëm të komunitetit kombëtar. Në një moment kaq të vështirë, kjo është edhe një përgjigje bujare për të cilën të gjithë ne italianët mund të krenohemi. Faleminderit të gjithëve ju heronj me bluzë të bardhë”- shkruan Conte në postimin e tij.