To top
29 Jan

Vlerat e Ballkanit Perëndimor i tejkalojnë problemet e Ballkanit Perëndimor

GRAMOZ RUÇI

Siç është bërë e qartë, Shqipëria drejt destinacionit të saj europian ka vetëm një Plan A. Asnjë Plan B nuk ekziston, as i hapur dhe as i fshehtë, as sot dhe as në të ardhmen.Ne nuk jemi dekurajuar nga rezervat dhe skepticizmi i disa vendeve anëtare, kolegëve kryeparlamentarë, të cilëve u kam kërkuar, disave sy më sy e disave me letër, që para se të shprehin qëndrimet e tyre, të vijnë në Shqipëri dhe të prekin nga afër rezultatet e problemet tona.

Procesin e integrimit europian ne po e realizojmë si ndërtim urash bashkëpunimi me parlamentet e rajonit, si edhe të vendeve anëtare.Duke u nisur nga rëndësia e dimensionit parlamentar të integrimit e zgjerimit, vitin e kaluar unë vizitova dhe u takova me mjaft kolegë të parlamenteve të vendeve anëtare dhe zhvilluam seanca dëgjimore me komisionet parlamentare përgjegjëse për integrimin. Ky bashkëpunim ishte shumë produktiv, pavarësisht insistimit të Francës, Holandës dhe Danimarkës në skepticizmin e tyre në mbledhjen e Këshillit Europian të tetorit.

Tashmë ne duhet të punojmë që vizioni i Parlamentit Europian, Presidentit Sassoli dhe Komisionit Europian të mbizotërojë mbi skepticizmin e dy-tri vendeve,

Prandaj, bashkëpunimi parlamentar midis Ballkanit Perëndimor dhe Parlamentit Europian duhet të ndihmojë integrimin e vendeve tona, duke hedhur dritë në mjaft çështje.

Realizmi në vlerësimin e rezultateve të vendeve të rajonit drejt standardeve europiane. Mjafton të përmendim për Shqipërinë reformën e guximshme dhe unike në drejtësi dhe konsensusin e para pak ditëve midis qeverisë dhe opozitës për Reformën Zgjedhore apo reformat e guximshme të Maqedonisë së Veriut dhe zgjidhjen e problemeve me fqinjët.

Integrimi europian është realizuar edhe si një proces shpejtësish të ndryshme, por vitet e fundit shpejtësia e ecjes së vendeve tona po tentohet të ngadalësohet artificialisht, nëpërmjet të ashtuquajturave rregulla të reja. Në një kohë që duhet të ndodhë e kundërta.

Cili më shumë se parlamentet mund të bindë qeveritë se Ballkani Perëndimor është një rajon europian dhe jo kufitar me Bashkimin Europian? Cili më shumë se parlamentet mund të bindë Francën, Holandën dhe Danimarkën se kufijtë kulturorë të Europës janë kufijtë e saj gjeografikë dhe se kufijtë politikë dhe ekonomikë ka ardhur koha të afrohen me ta? Cili më shumë se parlamentet mund të bindë qeveritë se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar për Bashkimin Europian?

Arritjet dhe vlerat tona në kohët moderne duhet të lidhen edhe me kontekstin historik. 500 vjet më parë, vendet tona dhe heronjtë tanë mbrojtën Krishterimin dhe qytetërimin europian nga hordhitë otomane. Sot, në kohët moderne, Shqipëria i ka dhënë qytetërimit perëndimor Shën Nënë Terezën dhe Ismail Kadarenë.

Bashkëpunimi ynë duhet të synojë që ky rajon që e quajmë Ballkani Perëndimor, të bashkohet natyrshëm me pjesën tjetër të kontinentit tonë të vjetër dhe të mos stërmundohet nën presionin e influencave joperëndimore, që mezi presin të mbushin boshllëkun që mund të lejë Bashkimi Europian.

Është e vërtetë që rajoni ynë është më i varfëri i Europës, por nga varfëria mund të dalim më shpejt nëpërmjet shtimit të investimeve perëndimore. Vlerat perëndimore konsolidohen më shpejt nëse mbështeten nga këto investime. Kjo do t’u ndalë rrugën politikave populiste e pragmatiste, të cilat mund ta kërkojnë zgjidhjen jashtë dhe përtej aleancës me Perëndimin.

Ne duhet të punojmë të bindim veten dhe të tjerët se termat “Europa Juglindore” apo “Ballkani Perëndimor” janë thjesht terma gjeografikë, nuk janë as politikë, as kulturorë.

Përmbajtja politike e tyre është e përkohshme dhe ne duhet të punojmë bashkërisht që dallimi midis këtyre rajoneve dhe pjesës së kontinentit të shuhet sa më shpejt. A kemi ne si rajon probleme?

Natyrisht që kemi dhe kemi shumë. Ekonomitë jokonkurruese, mirëqenia e ulët, institucionet e dobëta, demonët etnikë e fetarë të së shkuarës janë disa prej tyre. Por të gjithë duhet të binden se vlerat tona i mbizotërojnë problemet tona.

* Fjala e mbajtur në Samitin e Parlamentit Europian mbi Ballkanin Perëndimor