Një lajm tragjik vjen nga SHBA ku është ndarë nga jeta tragjikisht basketbollisti Kobe Bryant. Ai humbi jetën pas rrëzimit të një helikopteri me të cilin po udhëtonte në Kaliforni mëngjesin e së dielës.
41-vjeçari ish-lojtar Los Angeles Lakers po udhëtonte bashkë me 4 persona të tjerë me një helikopter privat. Asnjë nuk ka mbijetuar. Shkaqet e rrëzimit të helikopterit janë të paqarta. Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë në ajër përpara rrëzimit të helikopterit.
Sipas medieve amerikane në bord Kobe Bryant ka qenë edhe me vajzën e tij, Gianna Maria, 13-vjeçe, e cila gjithashtu ka humbur jetën.
Basetbollisti i ndjerë, Kobe Bryant në vitin 2016 shkrojti letrën e lamtumirës për sportin e tij, që prej vitesh punoi shumë për të. Fjalët e kampionit në atë kohë mallëngjyen të gjithë botën e sportit. Ai tregoi se basketbolli ka qenë një dashuri për të.
“I dashur basket, qysh nga momenti kur nisa të mbath atletet e tim eti duke imagjinuar trepikëshat e shënuar në sekondën e fundit në ‘Great Western Forum’ e dija që një gjë ishte e vërtetë: isha dashuruar me ty. Një dashuri kaq e thellë, saqë të dhashë gjithçka. Nga mendja te trupi, nga fryma te shpirti. Një fëmijë gjashtëvjeçar i dashuruar marrëzisht me ty. Nuk e pashë kurrë fundin e tunelit, vetëm veten duke dalë prej tij. Dua ta dish që të dy mund të shijojmë çdo çast që na mbetet. I bukur e i shëmtuar. I kemi dhënë njëri-tjetrit gjithçka kishim. Dhe të dy e dimë se çdo gjë që do të bëj më pas, do të mbetem përherë ai fëmija gjashtëvjeçar me atletet mbathur dhe kazanin e mbeturinave si kosh aty në cep, edhe 5 sekonda lojë 5… 4… 3… 2… 1. Do të të dua përherë. Kobe”, shkrojti Kobe në letrën e tij.