Deklarata seksiste e prezantuesit ‘Amadeus’ për partneren e Valentino Rosit, gjatë prezantimit të emrave që do të drejtojnë këtë vit ‘Sanremo’-n ka hapur polemika në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri. Teksa po prezantonte Francesca Sofia Novellon, Amadeus u shpreh se e kishte zgjedhur për të prezantuar, ngaqë ajo ishte e bukur dhe qëndron pas një burri të madh si Rosi. “Këtë vajzë shumë të bukur, që të gjithë e dinim se është e fejuara e të madhit Valentino Rossi, e zgjodha sepse pashë te ajo njëkohësisht bukurinë por edhe aftësitë për të qenë pranë një njeriu të madh, duke qëndruar një hap pas, pavarësisht moshës së re”, ka qenë komenti i Amadeus, që ka sjell shumë reagime.
Kumbaro, tha disa ditë më parë, se “Sanremo” duhet bojkotuar, teksa deklaratën e sqaroi edhe tek Mustafa Nano, në Provokacija. Kumbaro tha se e tmerron fakti që Amadeus i cilëson ato vajza si objekte.
“Mua as nuk më shkon ndërmend të gjykoj “Sanremon”. Nuk kam ndonjë problem, unë thjeshtë nuk e ndjek më. Nuk kam kohë t’i ndjek festivalet e gjata. Por nuk është ky shqetësimi im, unë as nuk e gjykoj dhe nuk na takon të gjykojmë një festival italian. Të them të drejtën unë nuk jam shprehur as për festivalet që organizohen në Shqipëri të karakterit të këngës së lehtë, nuk jam profesioniste e asaj fushe, jam një spektatore modeste. Nga ana tjetër nuk bëj gjykim as për këtë zotërinë që nuk e njoh fare. Mua më shokoi deklarata dhe do më shokonte njësoj sikur të ishte bërë në Itali, sikur të ishte bërë në Shqipëri. Më tmerron fakti që se si mundet sot, në një nivel në shkallë të tillë në dritat e skenës të ketë kurajon dhe të mos ketë asnjë lloj sensibiliteti, apo autocensure dhe të cilësojë disa zonja që i ka përzgjedhur ky si një gjel vetëm sepse janë të bukura dhe këtu kam gjithë respektin për bukurinë si një cilësi njerëzore, natyrore. Mua më trondit fakti që ky tipi i konsideron këto si objekte, madje si objekte të vetat. Ajo që mua më tmerron është se ky seksizëm është akoma më i fortë në Shqipëri, është më shumë më i dhunshëm, më i egër. Nga këto deklarata vazhdon ngulitet mentaliteti i burrave por edhe grave të paemancipuara”, tha ajo.
Deklarata e Kumbaros që hapi debat:
A thua të jemi vërtet në vitin 2020 ?!?! Kam gati 3 dekada që thuajse nuk e ndjek më Sanremon, qysh kur Liria e pas viteve 90’, na dha mundësinë e zgjedhjeve përtej spektaklit bardhë e zi me “mizat” e antenave “kanoçe” që na mundesonin zbulimin e festivalit të këngëve italiane, dhe përtej këngëve të Eurovizionit që na lejonte me pikatore diktatura.
Por më trondit fakti që ndërsa muzika e arti ndjekin rrugën e tyre përpara, mizogjinia, seksizmi dhe injoranca mbajnë me kokëfortësi vendin e parë në skenat popullore, për të ruajtur egzistencën e tyre përmes vezullimit të xixave dhe broçkullave të injorancës.
Nuk është thjesht një idiot i radhës që flet, por një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë së shekullit XXI që fatkeqësisht zë ende një hapësirë të madhe publike duke mbajtur peng dritat e skenës.
Gruas i kërkohet vetëm të jetë e bukur! Asnjë meritë tjetër! Sepse “gratë duhet të kakarisin vetëm në kotec”, thoshte Kapedani…
Ndërkohë, jam e bindur, pa i njohur, se zonjat që ka në krahë duhet të kenë shumë më tepër cilësi dhe aftësi se sa vetëm bukuria e tyre. Prandaj ato duhet të flasin! Do bindin më mirë shoqërinë!
As këtë vit, si në këta 30 vjet, s’kisha ndërmend të jepja nga koha ime për të ndjekur ditët e Sanremos, dhe s’besoj se jam e vetmja.
Ama, kësaj radhe do e shoqëroj edhe me thirrje për #BOJKOT !
Rruga për emancipim është ende shumë e gjatë. Dhe jo vetëm në Shqipëri!
Të paktën s’jemi vetëm në këtë hall të madh. …..
Ndërkohë që edhe moderatorja shqiptare Alketa Vejsiu do të jetë pjesë e këtij edicioni, festivali i 70-të i Sanremo, ka nisur të marrë vëmendjen e përvitshme në Itali dhe Shqipëri. Moderatorja shqiptare është përzgjedhurnë 10-çen e grave që do të moderojnë këtë vit Sanremon, ku spikat emri i yllit italian, aktores Monika Bellucci. Bashkë me të do të jenë edhe gazetare dhe yje të tjerë të ekranit italian. Sanremo 2020 është një nga festivalet më prestigjiozë në botë dhe këtë vit do të mbahet nga data 4 deri në 8 shkurt.