Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka bërë të ditur se ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve, duke u shpallur zyrtarisht fitues kreu i Partisë Vetëvendosja, Albin Kurti.
Numërimi i fletëvotimeve në vendvotime është përmbyllur mbrëmë, por vetëm procesimi i të dhënave nuk është bërë akoma për 4 për qind të vendvotimeve.
Kështu ka thënë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se këto janë rezultate preliminare, por do të bëjnë përpjekje që sa më shpejt t’i shfaqin të dhënat nga të gjitha vendvotimet.
Përndryshe, në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197,966 vota ose 25,79%.
E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%.
Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave.
Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, Albin Kurti falënderon të gjithë qytetarët që e votuan, duke thënë se me votën e tyre “ata ndërhynë masivisht në skenën politike, në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik”.
Më tej, kryeministri i ri thekson se partia e tij “Vetëvendosja” do iu prijë ndryshimeve të Kosovës, duke shtuar se punët e vështira që e presin, vetëm i shtojnë vullnetin.
Mesazhi i Kurtit:
Mirëmëngjes të dashur qytetarë,
Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë.
Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.
Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.
Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.
Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua.
Sepse: Erdhi dita!
Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit.