To top
3 Tet

Java e modës në Paris/ E paftuar në pasarelë

Një e paftuar hyri në pasarelën e Chanel në javën e modës në Paris dhe sfiloi e patrazuar bashkë me modelet për finalen e madhe.

Gruaja, e ftuar në show, u ngrit nga karrigia e saj dhe iu bashkua modeleve që ishin në mbyllje të sfilatës, në setin spektakolar që kishte sjellë çatitë e Parisit brenda Grand Palais.

Me rojat e sigurisë që duhet të ishin hutuar, supermodelja Gigi Hadid, u konfrontua me të paftuarën ndërsa ajo po tentonte ti shkonte deri në fund sfilatës dhe e shoqëroi atë jashtë setit.

Gruaja e guximshme, ishte veshur me një kostum bardhë e zi të ngjashëm me ato të Chanelit, dhe u ngjit në pasarelë pa u vënë re.

Rojat e kuptuan se ajo u ishte bashkuar modeleve vetëm kur ishte tepër vonë për të ndërhyrë. Deri atëherë, gruaja që siç u mësua më vonë ishte një komediane franceze, dha më të mirën e mundshme, duke ecur mbi pasarelë plot pompozitet, dhe me duart në mes, si një supermodele.

Vetë Chanel tha për AFP se gruaja i kish gjetur tërësisht të papërgatitur por edhe nuk ishte hera e parë që ajo e bënte këtë. Pjesa më e madhe e të ftuarve në show as nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte, ndërkohë që ishin ngritur në këmbë duke duartrokitur apo filmuar finalen me smartfonë.