Tre kandidatë kanë mbetur në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u miratua lista përfundimtare me emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe do të vijojnë garën.
Olsian Çela, Arta Marku, dhe Fatjona Memçaj rezultojnë se plotësojnë të gjitha kushtet ligjore për të vazhduar garën më tej. Ndërkohë, kandidati tjetër, Lulzim Alushaj u skualifikua pasi nuk ploteson kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur.
Ankimimi për këtë vendim duhet të bëhet brenda tre ditësh.
Në nisje të mbledhjes, Gent Ibrahimi, kreu i KLP-së, deklaroi: “Sot Këshilli është në gjendje të vlerësojnë kandidatët të cilët plotësojnë kushte ligjore për të vazhduar garën për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Anëtarët të Këshillit kanë shqyrtuar me seriozitet dosjen e çdo kandidati. Çdo anëtar i Këshillit do të shprehë mendimin e vet për plotësimin e kushteve ligjore të 4 kandidatëve në garë”.
Më tej pritet që lista 3-emërore do t’i dërgohet Parlamentit për votim. Kushtetuta parashikon që Parlamenti zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me shumicë të cilësuar prej 3/5 të deputetëve, 84 vota.
Në rast se Parlamenti nuk arrin të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve, atëherë kandidati i parë në listën e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjidhet automatikisht në krye të institucionit të Akuzës me një mandat të plotë 7-vjeçar.