Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) zhvilloi sot ne një seancë dëgjimore me prokurorin pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Olsian Çela, i cili është njëherësh edhe kandidat për Prokurorinë e Përgjithshme.
Trupa gjykuese përbëhet nga Lulzim Hamitaj, në cilësinë e kryetarit, anëtarja Brunilda Bekteshi dhe relatori Ilia Komici.
Prokurori Çela, është paraqitur i vetëm, pa praninë e një avokati mbrojtës.
Ashtu siç e kërkon procedura hetimi për prokurorin është kryer në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës.
Sa i përket pasurisë në ILDKPKI, Çela ka dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka fshehur pasurinë, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.
Sakaq, KPK ka kryer një hetim të thelluar në lidhje me pasuritë njësi 77.8 metra katrorë në Tiranë, blerë në 2015 për 78 mijë e 500 euro. Nga hetimi i KPK, ka rezultuar se deklarimi është i saktë dhe nuk janë ngritur probleme për këtë pasuri. Komisioni i ka kërkuar shpjegime subjektit për shitjen e një apartamenti nënës së tij.
Prokurori Olsian Çela pas vettingut, pritet të përballet në një garë të ethshme, përballë Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku. Të dy gëzojnë simpati dhe përkrahje të madhe nga maxhoranca që me sa duket pritet të ndahen në dy kampe, ku rezultati i votimeve në kuvend do të përcaktojë favoritin. Me gjasa kjo do të ndodhë në shtator, pas gushtit, ku kandidatëve do t’u duhet të lobojnë fort, për emrin e tyre edhe pse muaji gusht do të jetë pushim.