Pas djegies së mandateve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhje lokale të 30 qershorit, opozita vijon sërish në rrugë betejën kundër qeverisë së kryeministrit, Edi Rama. Ajo ka ftuar sot qytetarët në orën 20:00 që t’i bashkohen qëndresës së saj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kjo është protestë e dhjetë kombëtare e opozitës, e cila duket e palëkundur në kushtet e saj bazë, ndërsa kërkon menjëherë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se opozita e bashkuar nuk do të bëjë asnjë hap pas, por do të luftojë deri në fund, që shqiptarëve t’u garantohet e drejta për të zgjedhur lirshëm dhe të pandikuar nga pushteti. Krahas selisë blu dhe aleatëve të saj edhe LSI-ja ka deklaruar se do të vijojë përballjen me keqqeverisjen, me synim që qytetarëve t’u garantohet një qeverisje demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
Mbajtja e zgjedhjeve lokale duket se ka acaruar edhe më tej klimën politike, ndërsa Kreu i Shtetit, Ilir Meta, i ka cilësuar ato si “votime socialiste”. Ashtu si opozita edhe Presidenti i Republikës ka hedhur kritika të forta ndaj kryeministri Edi Rama në lidhje me reformën në drejtësi.
Sipas tij, shefi i qeverisë e ktheu dhe transformoi procesin e reformës në drejtësi në atë që ai e shquan si “Ramaformë”. Por pretendimet e opozitës dhe të presidentit janë kundërshtuar nga kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit ishin një test i fortë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Jo të pakta ka qenë rastet kur shefi i ekzekutivit ka shigjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë drejtuesit e opozitës dhe presidentin, Ilir Meta. Sipas tij, këto të fundit kanë frikë nga reforma në drejtësi dhe nuk duan që Shqipëria të integrohet në strukturat euroatklantike.