Kolegji Zgjedhor shpall verdiktin e tij në lidhje me kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar përfaqësuar nga kryetari Idajet Beqiri për çregjistrimin nga zgjedhjet.
Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e KQZ për të mos çregjistruar Partinë e duke lënë kështu në fuqi 30 qershorin. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Tomor Skreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa, vendosi të rrëzojë kërkesën e PUK për çregjistrimin nga listat e zgjedhësve të pushtetit vendor, që do të thotë se më 30 qershor do të zhvillohen zgjedhjet lokale.
Gjatë seancës, Beqiri tha se nuk e pranon 30 qershorin në kushtet e krizës politike duke kërkuar çregjistrimin dhe duke e cilësuar vendimin e KQZ të pavlefshëm.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i KQZ tha se ky institucion i qëndron vendimit që ka dhënë për Partinë Uniteti Kombëtar. “Dekreti është në shkelje të Kushtetutës. Dekreti është akt administrativ i pavlefshëm”, ka thënë përfaqësuesi i KQZ.
Nëse pesë gjyqtarët e Kolegjit do të pranonin kërkesën e Beqirit, duke urdhëruar KQZ ta çregjistrojë Partinë Uniteti Kombëtar nga zgjedhjet, atëherë pranohej ligjshmëria e dekretit të Presidentit dhe 30 qershori rrëzohej. Por me sa duket 30 qershori ngelet ende datë zgjedhjesh edhe pse jo me dekret.