Nga Anila Çuli
Regjisori, Nikolin Gurakuqi, një ndër artistët më në zë, të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, vjen një intervistë ekskluzive të karrierës së tij. Fëmijëria, familja, shkollimi bashkpunimet e para me kolosët e mëdhenj të teatrit tonë të operas, vijnë një rrëfim të sinqertë dhe të bukur të artistit. Një artist i shijeve të holla, një mjeshtër dhe njohës i mirë i operas ai sjell problematikat dhe vështirësitë që shoqërojnë këtë teatër. Pas një eksperience të gjatë prej 40 vitesh punë intensive në Operan e vetme tonën, Gurakuqi shënon, 16 role si solist, 68 vënie e rivënie skenike si regjisor, i qindra koncerte e spektakle, i disa konkurseve ndërkombëtare, anëtar jurie brenda dhe jashtë vendit… Me një eksperiencë prej 20 vite punë si pedagog i jashtëm në Universitetin e Arteve shprehë vlerësimet për ish-studentët e tij, artistët e rinj dhe problematikat e tyre, si dhe braktisja e profesionit… Numëron të realizuar mjaft produksione skenike, në TKOB por dhe mjaft turne në qytete të Shqipërisë. Ka botuar tre libra me poezi, dhe mban dy tituj presidencialë, ai “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Z. Gurakuqi, ju jeni një shkodran me origjinë, mund të më thoni diçka mbi fëmijërinë tuaj, shkollimin, familjen ku jeni rritur dhe deri tek nisja e Universitetit, përse zgjodhët pikërisht Akademinë e Arteve?
Po unë jam me origjinë nga Shkodra, por lindur dhe rritur në Tiranë më 25.07.1955, madje edhe im atë Luigji, ka lindur në Tiranë në 13 janar 1928. Origjina ime është e lidhur me Gurakuqët e Shkodrës, familje patriotike që i dha vendit figura kombëtare si ajo e patriotit të madh Luigj Gurakuqi, “Firmëtar i Pavarësisë”, dhe ministri i parë i arsimit shqiptar, kushëri i gjyshit tim Kolës, sekretar gjykate, por edhe dramaturg, regjisor e actor, amator në Shkodrën e pas pamvarsisë, por që në 1922 transferohet nga Shkodra në një sërë qytetesh si Korca, Pogradeci Elbasani, Tirana etj, si kryesekretar gykate për të mos u kthyer më në qytetin e lindjes dhe duke u vendosur përfundimisht në Tiranë, në vitin 1943 në një shtëpi dykatëshe në periferi të Tiranës së asaj kohe, sot ish- ekspozita “Shqipëria sot”, në një lagje kozmopolite me banorë të ardhur nga gjithë Shqipëria.
Aty linda unë, aty kalova fëmijërinë, dhe rininë, derisa u martova dhe ika me familjen time më vehte më 1990. Duke qenë fëmija i parë, isha në qendër të vëmendjes së prindërve, por edhe të gjyshërve që nuk më hiqnin nga duart. Kam qenë një fëmijë i lëvizshëm, me oreks jo të mirë, ndaj dhe isha problem për familjen. Prindërit e mi ishin të dy artistë. Babai, Luigji ishte regjisor i Operas Kombëtare, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe bashkëpunëtor në disa institucione artistike si Festivali i Këngës në radio, (në katër festivalet e para ka qenë regjisor, prezantues dhe shkrues tekstesh). Pallati i Pionierëve dhe Pallati i Kulturës Ali Kelmendi, ndërsa nëna ime, Lezina ishte këngëtare në Ansamblin Shtetëror të këngëve dhe valleve popullore që me themelimin e tij, në 1957. Unë shkollën fillore, e bëra tek “Emin Duraku”shkollën 8 – vjeçare tek “Konferenca e Pezës”, ndërsa gjimnazin tek “, Qemal Stafa”. Gjatë shkollës 8 – vjeçare u panë qartë tiparet artistike të miat dhe babai me regjistroi në Pallatin e Pionierëve për violonçel e më vonë për këngë. Kur shkova në gjimnaz i ndikuar nga televizioni italian formova bashkë me një grup muzikantësh liceistë një kompleks modern me emrin “ALlba Super” dhe morëm pjesë në festivalin e zërave të rinj më 1973 në pallatin e kulturës.
Por dënimi i festivalit të 11-të, solli fatkeqësisht shkrirjen e grupit. Pasi mbarova gjimnazin bëra stazhin në prodhim në NShPMN dhe në kombinatin e tekstileve Stalin, dhe më pas u paraqita në konkurs në Institutin e lartë të Arteve, në degën e kantos dhe fitova. E zgjodha këtë degë sepse kisha vite që këndoja, kisha vokal me timber të bukur, dija solfezh, dhe kisha një vesh absolut muzike i provuar nga mjeshtra që merreshin me fëmijët, si Robert Radoja.
Ju i takoni atij brezi që është diplomuar para viteve 90′ si ka qenë Opera në ato vite, fillimet tuaja gara për tu punësuar… ?
Si çdo i ri kur fillon punë për herë të parë është i ndrojtur, edhe unë në fillim ashtu isha, por kur u aktivizova në operan “Traviata” në rolin e Markezit, interpretova në krah të kolosëve të operas shqiptare dhe unë isha më i riu e partnere kisha Luiza Papën në rolin e Florës e cila më këshillonte gjithmonë me përvojën dhe dashamirësinë e saj. Një ndihmë të pakursyer kam patur edhe nga Gaqo Çako e Ramiz Kovaçi të cilët ishin në role kryesore në këtë produksion. Unë jam diplomuar më 1979, ndërsa punë kam filluar në shtator 1978 në TKOB, si stazhier, pra 1 vit stazh praktik pranë sektorit të solistëve ku duhet të bëje 1 rol dhe 1 koncert recital e në varësi të rezultatit merrje ose jo emërimin. Pasi mbarova stazhin, dhashë diplomën dhe mora emërimin si korist me të drejtën për të bërë role çdo vit. Dhe kështu ndodhi, unë bëra çdo vit një apo dy role derisa mora emërimin përfundimtar si solist më 1985 pasi kisha bërë një sërë rolesh në krah të solistëve më të famshëm të kohës si Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Hysen Kocia, etj. Duhet thënë se unë gjeta në opera një sektor solistësh me gati 40 vetë me një konkurencë të admirueshme, vokale fantastike, dhe një harmoni të madhe midis zërave. Vetëm base une gjeta 4 vetë. Imagjino zërat e tjerë. Pra teatri artistin e ri të talentuar e provonte një vit dhe sipas meritës e emëronte ose në kor ose si solist. Atë kohë ishte drejtor artistic, Cesk Zadeja dhe mendimi profesional ishte në majë. Ja në këto situata artistike u emërova në opera në moshën 22 vjeçare për të mos u shkëputur më as edhe një ditë të vetme.
Cilat janë angazhimet tuaja aktualisht?
Pas një lëkundje të papritur shëndetësore në verë tani po merrem me rikuperimin e shëndetit, që të jem në formë për sezonin e ardhshëm, por njëkohësisht po merrem me mësimdhënie dhe letërsi.
Cilët nga solistët shqiptarë do të vlerësonit? Po nga të rinjtë?
Nga solistët shqiptarë me të cilët kam bashkëpunuar do të veçoja, Gaqo Cakon, Ramiz Kovaçin, Edith Mihalin, Ermonela Jahon, Marjana Lekën, Josif Gjipalin, Saimir Pirgun, Eva Golemin.
Ju keni bashkëpunuar me mjaft artistë apo teatro ndërkombëtarë çfarë ju ka mbetur në mendje nga këto bashkëpunime…?
Në vitin 1993 bëra një specializim në Paris në opera studio Noisy le Sec dhe shpesh asistonim në prova gjenerale dhe çfaqje të Operas Bastille. Kontakti i parë ishte tronditës. Shfaqe spektakolare, regjia në nivele të paimagjinueshme, këndimi dhe aktrimi si në film, orkestra si në kompaktdisk, skenografitë kostumet e ndriçimi në nivele të pakrahasueshme me tonat, organizimi, shërbimi i pritjes, menaxhimi, drejtimi i institucionit nga artistë personalitete me famë botërore.
Më pas bëra një ospitim operan e Bonit, në Gjermani ku intendant ishte Gian Carlo del Monaco, regjisor me famë botërore. Ky teatër bënte 290 çfaqe në vit dhe kishte një nivel mjaft të lartë artistik dhe organizativ, ku çdo gjë funksiononte si makineri që nga administrata, teknika, artistët. Aty interpretonin artistë nga më të famshmit e botës. Çdo gjë ishte e sanksionuar me kontratë dhe disiplina artistike ishte në shkallë sipërore. Më vonë kam bërë ospitime edhe në Itali si Rossini, opera festival etj. Nga gjithë këto kontakte mund të them se opera jonë është vite drite larg tyre në çdo sektor po ta krahasosh, por një gjë më vjen vërtet keq që artistët tanë, që janë jashtë nuk thonë asgjë për këtë diferencë, dhe për infrastrukturën fshatarareske të teatrit tonë, por vijnë këndojnë një rol e ikin andej nga kanë ardhë pa kontribuar edhe në infrastrukturën ligjore e adminstrative të teatrit. Sëmundja kryesore e tkob-së në këto vite demokracie ka qenë amatorizmi në drejtim.
Si është niveli i solistëve të rinj sot?
Niveli i artistëve të rinj sot lë për të dëshiruar për shumë arsye, por arsyeja kryesore është mungesa e interesit për operan si gjini.Talente ka dhe do ketë gjithmonë por kultivimi i tyre mbetet gjysmak, prandaj një pjesë që don të bëjë karrierë ikin jashtë për t’u perfeksionuar dhe për të hyrë në tregun europian. Një pjesë tjetër premtuese hyjnë në opera si solistë dhe rriten, nga roli në rol profesionalisht, dhe një pjesë tjetër më e dobët hyjnë në kor.
Por dukuria më e dëmshme në vokalin operistik shqiptar është këngëtari hibrid i cili ka lulëzuar kohët e fundit. Këngëtarë operistikë këndojnë në pabe e festivale, muzikë të lehtë e popullore duke shkatërruar vokalin e tyre, por duke fituar para. Kjo ka sjellë dukshëm mungesa të theksuara të vokalit mashkullor dhe një krizë të dukshme të vokalit operistik shqiptar.
Cilën nga shfaqet tuaja do të vlerësonit dhe do ta dëshironit ta ngjisnit në skenë edhe mjaft herë?
Regjisorët i kanë shfaqjet si fëmijët e tyre, megjithatë do doja shumë të shfaqja përsëri operat “Falstaf”dhe “Otello”, “Don Carlo” të cilat u ndërprenë në kulmin e ndjekjes nga publiku. Këto janë vepra të repertorit të madh operistik dhe tregojnë potencën artistike të një teatri. Nuk përmenda “Aidën”, “Turandot” dhe “Ballo me maska”, sepse pastaj lista do zgjatej shumë.
Po ndonjë shfaqe që ju e keni dëshiruar, ëndërruar, por që nuk keni mundur ta ngjisni në skenë?
Një dëshirë të madhe kam patur vitet e fundit të vë në skenë operat “Makbeth”,”La Fanciulla del est”, drama të fuqishme verdiano-puciniane, por edhe opereta si “La belle Helene” e Zhak Ofenbach e ndonjë tjetër.
Opera gjithnjë ka qenë një institucion që ka pasur mjaft problemeve si në organizim, në administrim apo hatërmbetje pa fund. Mund të më thoni çfarë e shqetëson këtë institucion aktualisht? Çfarë nuk shkon…?
Problemi i parë dhe kryesori i operas është sistemi ynë teatror që nuk është perëndimor. Teatrot perëndimore dallojnë katërcipërisht nga ato ballkanike, nga administrimi, iegjislacioni, statuti, e drejta e autorit, kalendari, audicionet, cilësia e produktit artistik, sepse punojnë me trupa të mbyllura që nuk lejojnë konkurencën, për rrjedhojë nuk arrihen maja. Në këto teatro nuk ka qarkullim të vlerave artistike, nuk ka repertor të pasur dhe nuk zbatohen ligjet si në perëndim ku kontrata të vë me shpatulla pas muri. Edhe teatri ynë vuan nga këto sëmundje në radhë të parë nga sistemi dhe në radhë të dytë nga moszbatimi i rregullave dhe kompetencave të gjithsecilit të sanksionuar në statut në rregullore dhe në kontratë që fatkeqsisht nuk zbatohen ose zbatohen shumë pak.
Keni ndërruar mjaft drejtorë, edhe ju vetë keni konkuruar për një postë të tillë? Çfarë do të kishit mundur të sillnit ndryshe ju si një drejtues?
Edhe vetë kam konkuruar para pesë vitesh me një platformë ku në garë isha, me mikun tim, Ilir Kerni dhe Floriana Paskalin.
Unë përgatita një platform, të një modeli franko-Gjerman, për ta shkëputur operan tonë nga modeli sovjetik i viteve 50’, nga i cili vuan edhe sot e kësaj dite, model i cili siguron një kalendar vibrant repertori dhe premierash, me diversitet repertori dhe autorësh e stilesh teatrorë, një konkurence të madhe interpretative, një hapje të teatrit me botën e festivalet ndërkombëtare operistike, bërjen e teatrit me status e rregullore si të teatrove kombëtare europiane, futjen në kalendar të artistëve të mëdhenj shqiptarë, që janë jashtë dhe të artistëve të shquar të agjensive të huaja, hapjen e opera studios për artistët e rinj nën drejtimin e artistëve të famshëm shqiptarë e të huaj, etj etj….pra një teatër të modelit europian me një administratë administrative dhe artistike, që i shërben produktit artistik dhe nuk e pengon atë siç ndodh rëndom sot.
Cilin nga drejtuesit tuaj do të veçonit? Përse?
Do të kisha dashur shumë që të veçoja ndonjërin prej tyre pasi i kam patur miq, por duke parë operan kombëtare që këto 30 vjet demokraci mbeti ajo që ishte në diktaturë dhe për këtë “merita” është e drejtorëve dhe e atyre që i emërojnë ato, që nuk duan të ndryshojnë asgjë në opera sepse duan të qeverisin si pashallarë pa u kërkuar askush llogari. Gjithsesi nga ato që kam dëgjuar nga im atë, Albert Paparisto ka qenë një drejtor i shkëlqyer (kritik arti,kompizitor), ku në kohën e tij opera bënte gjashtë, shfaqe skenike në javë me sallën plot dhe me një nivel artistik tepër të lartë. Që nga emërimi im në 1979 në opera kam ndërruar 8 drejtorë, që nga Xhemil Simixhiu e deri tani tek Zana Cela (dy herë).
Di që edhe shkruani…çfarë keni ne proces?
Pas humbjes së papritur të tim biri 26 vjeçar, Marsidit student, në Itali, fillova të shkruaj poezi dhe tani pas gati shtatë vjetësh, kam shkruar tre libra, dhe në dorëshkrim kam edhe tre të tjerë, dy me poezi dhe një tjetër me tregime.
Di që keni dhe mjaft pasione dhe hobe, si është koha juaj e lirë?
Pasioni im i madh është leximi, piktura, teatri, lulet, zogjtë (ornitologjia), por edhe shëtitjet në det, në mal, dhe ecja sportive.