E ftuar pasditen e sotme për herë të parë në Top Channel në “Ftesë në 5” Liri Berisha ka ndarë me teleshikuesit fragmente të jetës së saj. Ajo rrëfeu ditët e para të daljes në pension si momente reflektimi se çfarë do të bënte më tej.
“Nuk e mendoja veten time në shtëpi, duke hapur dhe mbyllur sirtarët, apo me një filxhan kafeje në dorë!”- u shpreh ajo.
Znj. Berisha tregoi se themelimi i Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” janë vitet më produktive të saj. Ajo ndau me publikun vështirësitë e para në këtë projekt, të cilat lidheshin me gjetjen e donatorëve, ndërsa nuk ngurroi që sot pas 13 vitesh pune e realizimi në ndihmë të fëmijëve autik të falënderonte biznesin.
Liri Berisha rrëfen se sot del në punë 5-6 orë në ditë, ndërkohë që pjesën tjetër ajo e ka përkushtim për familjen, nipërit e mbesat, mes dashurisë për njeri-tjetrin dhe pasionit për gatimin, për të cilin tregoi se e ka të trashëguar nga nëna e saj./TCH/