Shefja e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, ka zbuluar emrat e 24 ambasadorëve të rinj.
Për Shqipërinë, Mogherini ka vendosur italianin Luigi Soreca, një emër i lakuar edhe më parë.
Soreca për momentin mban postin e Drejtorit të Sigurisë në Komisionin Europian.
Ky i fundit do të zëvendësojë kroaten, Romana Vlahutin.
Soreca do të fillojë punë zyrtarisht në shtator.
Kush është Luigi Soreca
Luigi Soreca është jurist në formimin e tij akademik, dhe i është bashkangjitur Komisionit Europian që në vitin 1999.
Zoti Soreca ka koordinuar gjatë drejtimit të Komisionit Europian nga Jean Claude Junkcer përpjekjet për përgatitjen, adoptimin dhe zbatimin e Axhendës Europiane për Sigurinë të Prillit 2015 dhe për Sigurinë e Komunikimeve të BE, nga Prilli i 2016 e deri më tani.
Luigi Soreca është një njohës i mirë i Shqipërisë për shkak të angazhimeve të mëparshme si një nga figurat kyçe në Bruksel për liberalizimin e vizave që i mundësoi të gjithë shqiptarëve të përfitonin nga regjim pa viza në vendet e Bashkimit Europian, që prej 2010.