Kovesi: “Është e zakonshme të vërehet se vullneti politik është të bllokojë drejtësinë dhe hetimet. “DNA-ja (Drejtoria Anti-Korrupsion) ka dëshmuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është aq i fuqishëm sa të mund t’i shpëtojë ligjit.
Presidenti rumun Klaus Iohannis të hënën ka shkarkuar kryeprokuroren e Anti-Korrupsionit, Laura Codruta Kovesi, lufta e të cilës kundër korrupsionit në nivele të larta kishte zemëruar partinë në pushtet. Padyshim ajo qe një ndër kryeprokuroret e para femra emri i të së cilës u bë shembull në rajon per drejtimin dhe luftën antikorrupsion në rajon. Mjaft emra të rëndësishëm të politkës u dërguan pas hekurave falë këmbënguljes dhe punës së saj, por befas është shkarkuar nga politika. Bëhët fjalë për prokuroren e hekurt të Rumanisë, Laura Codruta Kovesi. Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis u përul para presionit të qeverisë dhe nënshkroi një dekret të hënën, duke shkarkuar kryeprokuroren e vendit kundër korrupsionit. Ajo u shkarkua pas disa muajsh tensionesh politike në rritje midis saj, presidentit dhe qeverisë së udhëhequr nga Social Demokratët. Kovesi, 45 vjeçe, shërbeu si kryeprokurore e Rumanisë kundër korrupsionit që nga viti 2013. Më parë, ajo ishte edhe prokurorja më e re dhe prokurorja e përgjithshme e parë femër e Rumanisë, në vitin 2006. Gjatë mandatit të saj, DNA-ja ndoqi penalisht me qindra punonjës publikë, si dhe zyrtarë publikë, përfshirë ish-kryeministra, ministra dhe deputetë. Që kur Social Demokratët fituan zgjedhjet e dhjetorit 2016, partia ka nxitur qetësimin e luftës kundër korrupsionit që ka çuar në burg disa nga politikanët. Kovesi ndërkohë u largua nga Drejtoria Anti-Kurrupsion të hënën mes duartrokitjesh nga prokurorët e tjerë. Ajo u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp se do të mbetet prokurore, edhe pse jo në Drejtori. “Episodi i sotëm nuk është një mposhtje,” tha Kovesi në konferencën për shtyp. “Korrupsioni mund të mposhtet,” shtoi ajo. “Është e zakonshme të vërehet se vullneti politik është të bllokojë drejtësinë dhe hetimet,” tha ajo. “DNA-ja ka dëshmuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është aq i fuqishëm sa të mund t’i shpëtojë ligjit.” Drejtoria Anti-Korrupsion do të drejtohet përkohësisht nga zv/kryeprokurori Marius Iacob.