To top
20 Qer

Anastas Angjeli – Njeriu, akademiku dhe politikani

Akademik Profesor-Doktor, Anastas Angjeli rrëfehet në një intervistë ekskluzive të jetës së tij. Fëmijëria, studimet, përfshirja në politikë dhe në kabinete qeveritare, përfaqësimi në disa legjislatura në Parlament, angazhimi në universitet dhe kërkimet shkencore, profesor Angjeli i sjell në një rrëfim të veçantë dhe të sinqertë…
Me z. Angjeli kemi lënë takim në ambientet e Universitetit Mesdhetar, në kryeqytet. Një universitet elitë, i cili bën dallim, dedikuar ekonomisë, i themeluar nga ekonomistë të njohur me iniciativë të vet z. Angjeli.
I thjeshtë dhe me një sens humori Angjeli na rrëfen rrugëtimin e tij jo pak të gjatë të mbushur me përkushtim dhe sfida.


Nga Anila Çuli

Profesor, në përgjithësi njerëzit ruajnë refleksione nga fëmijëria që më pas lënë gjurmë në vazhdimësi. Çfarë mund të veçoni se ka ndikuar tek ju?
Elementi më i rëndësishëm për të cilin mendoj se është karakteristike e përhershme e imja ka qenë dëshira për njohje, gjithmonë në kërkim të një gjëje të re, një hapi tjetër më të rëndësishëm.
Që në fëmijëri përfshihesha në shumë aktivitetete dhe doja në të gjitha t’ia dilja, të isha i suksesshëm. Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë gjërat sipërfaqësore. Edhe sot e kësaj dite me gjithë kthesat e jetës dhe profil të theksuar akademik dhe politik, kanë lënë gjurmë te unë noti, elektricisti, radio-tekniku, e të tjera fusha në të cilat kam qenë i përfshirë dhe kisha arritje, edhe sot si ekonomist.
Njohja me njerëzit, me kategoritë e ndryshme, kuptimi i gjithsecilit në gjuhën e tij të brendshme besoj është dhe një tjetër tipar i imi. Falë dhe kujtesës së pagabueshme i drejtohem atyre në emër pavarësisht viteve që kanë kaluar dhe duke risjellë në vëmendje dhe detaje të së shkuarës. Ka qenë një traditë që pushimet e verës të angazhohesha në punë të ndryshme, krijoja ca të ardhura shtesë për vete dhe familjen, por edhe ishte një shkollë shumë e mirë. Kam bërë punë sezonale të ndryshme në restorante, në ndërtim, etj. Dua të them që çdo herë që kthehesha në shkollë kisha një gjë më shumë që të tjerët që nuk angazhoheshin nuk e kishin; njohje të reja.
Këto dy elemente kanë ndikuar që njerëzorja tek unë të prevalojë në çdo rast dhe rrethanë pavarësisht detyrave të rëndësishme që kam pasur apo periudhave të vështira që kemi kaluar. Nuk flas si individ për 30 vite tranzicion politik dhe ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm në rritje.

Karrierë e spikatur profesionale, me hapa të sigurt deri në titullin akademik. Kush e shtroi rrugën për ju?
Studimi. Kam qenë përherë i apasionuar pas studimit. Kjo e nxitur që shpejt nga njerëzit që kam pasur pranë. Ka qenë përkushtim i lartë që në hapat e parë të studimit me rezultate të larta, shoqëruar përherë me flete nderi. Është ky studim i vazhdueshëm dhe sistematik që më risjell në Fakultetin e Ekonomisë, ku unë kisha studiuar, por tashmë si pedagog. Një vit punë në qytetin e lindjes, Sarandë, gjithashtu ishte një eksperiencë e veçantë për mua.
Kam qenë i nderuar që do të bëhesha koleg dhe bashkëpunëtor i një plejade të tërë profesorësh të shquar të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, si; Hekuran Mara, Aristotel Pano, Lefter Krriqi, Sabah Hilmija, Vladimir Misja e shumë të tjerë, sepse ata besuan te unë, të aftësitë e mia dhe besoj që nuk i kam zhgënjyer as sot.
Nuk lë asnjë rast pa përmendur në mënyrë të veçantë dy miqtë e mi të ngushtë tashmë profesorë; Sabah Hilminë, i cili është ndarë nga jeta dhe profesor Aristotel Panon me të cilën vazhdoj të kem një bashkëpunim shumë të frytshëm.
Janë dy profesorë që jo vetëm jetuan në tre kohë, por me punën dhe përkushtimin e tyre kanë vepra shumë të rëndësishme për mendimin ekonomik në vend.


Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, një nga arritjet tuaja të rëndësishme, erdhi për shkak të trendit…?

Më ka ardhur në mënyrë të natyrshme në fakt, unë me gjithë angazhimet e mia institucionale dhe politike nuk kam hequr asnjëherë dorë nga jeta akademike, herë si profesor i jashtëm, herë si lektor i ftuar, herë në bashkëpunime të ngushta më kolegët e mi të Fakultetit Ekonomik me një pjesë të të cilëve isha dhe bashkëudhëtar politik në këto vite.
Në një periudhë politike më të qetë pas vitit 2005 aktiviteti akademik brenda dhe jashtë vendit u shtua dhe në një moment vendosëm që përvojën e gjatë në fushën akademike, politike dhe institucionale ta ndajmë me krijimin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Është dhe fusha për të cilën besoj që kontribuoj më mirë dhe më shumë.
Rritja e qëndrueshme dhe e vazhdueshme dhe besimi që studentët dhe prindërit kanë pasur në këto vite tek ne është tregues që vendimi që morëm ishte i drejtë si dhe filozofia mbi të cilën e ngritëm ishte e duhura.

Pra UMSH është një organizatë e tëra në shërbim të studentëve?

Po. Që në fillim menduam që të ishte në themel një organizatë jofitimprurëse dhe universiteti të ishte një nga boshtet e saj. E orientuar në këtë mënyrë sipas përvojave më të mira botërore do të thoshte që çdo gjë të ishte e orientuar te studenti, te pedagogët, të puna shkencore e mbështetur nga të ardhurat që vetë Universiteti krijon për universitetin, çdo kontribut mbetet këtu dhe shkon në favor të gjithë procesit akademik.
Ju jeni akademik në Shqipëri, por jeni vlerësuar dhe jashtë saj…

Siç e thashë dhe në fillim të intervistës, dëshira për njohje të vazhdueshme më ka mbajtur përherë te libri si një bashkëudhetar i pandarë. Jo vetëm si një lexues dhe hulumtues, por si kontribues i drejtpërdrejtë me shumë tituj librash të fushës në të cilën kam dhënë kontribut prej vitesh, por edhe me libra të karakterit dokumentar për eksperiencën time dhe për fazat në të cilat ka kaluar vendi pas viteve 90’. Angazhimi aktiv dhe i pandërprerë më dha mundësinë të kandidoj në Akademinë e Shkencave, ku jam anëtar i rregullt për fushën e ekonomisë.
Vlerësimi më i fundit është ai i marsit të vitit 2015 në Salzburg, ku mora titullin e Anëtarit të Akademisë se Shkencave dhe Arteve të Evropës. Një prej qendrave më të mëdha analitike të ekspertizës shkencore dhe profesionale që ndërlidh 1.700 shkencëtarë nga e gjithë bota, ku 32 prej tyre janë fitues të çmimit Nobel.

 

Duket sikur ka një mospërputhje mes angazhimit tuaj akademik dhe përfshirjes në politikë prej 25 vitesh?
Do të thoja më shumë kalimi në angazhim me kohë të plotë pas viteve 90. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, dua të theksoj që klima ishte e tillë, që sistemi kishte falimentuar. Flitej shumë hapur në rrethet akademike jo thjesht me grupe të vogla ne kishim hequr dorë prej kohësh nga shpjegimi i teorive ekonomike sipas klisheve komuniste, por sipas literaturës botërore që qarkullonte mes nesh. Sigurisht kjo me një dozë vetëpërmbajtje, sepse sistemi akoma nuk kishte rënë.
Pra dua të them që në fushën tonë ky grup pedagogësh, që u angazhua më vonë dhe politikisht ishin më të përgatiturit për t’u përballur me ndryshimet dhe për t’i implementuar ato te ne. Vullneti për të dhënë kontribut dhe për ta bërë punën siç duhet janë elementët që më kanë udhëhequr përherë në angazhimin tim politik, ku që herët kam mbajtur detyra të rëndësishme dhe marrë pjesë në procese shumë përcaktuese për ecurinë makro-ekonomike të vendit.
Deputet prej disa legjislaturash kam ndjekur me shqetësim ecurinë e njerëzve që më kanë votuar. Në përpjekje që në fund të çdo mandati të jetë starti i një tjetri më të mirë për zgjedhësit. Mbarimi i periudhës së fushatave ndalon përkatësinë partiake dhe kontakti me zgjedhësit është gjithëpërfshirës.
Nuk kam mundur të shoh asnjëherë të shkëputur majtas apo djathtas. Për mua janë të gjithë kontribues. E kam në natyrën time që mos i ndaj dot njerëzit, që mos i paragjykoj, mos krijoj stereotipe klasore apo politike prandaj lidhjet me zgjedhësit kanë qenë dhe janë të qëndrueshme pavarësisht se unë kam ndryshuar disa herë zonën timë elektorale; Sarandë, Tiranë, Gjirokastër, Gramsh.
Nga ana tjetër dua të veçoj si shumë të rëndësishëm kontributin në jetën politike brenda dhe jashtë parlamentit.
Një vend të rëndësishëm zë edhe kontributi institucional, duke qenë disa herë ministër, ku dua të them më bindje që reformat e ndërmarra, ku unë kam qenë bashkëautor dhe bashkëzbatues kanë qenë më të mirëstrukturuarat dhe vendi do të duhet të kishte dalë ngë tranzicioni drejt një zhvillimi të qëndrueshëm shumë kohë më parë.
Lufta e padrejtë politike ka pasur ndikimin e vet frenues në reformat strukturore, kapërcimet nga një prioritet në tjetrin, pengesat artificiale kanë sjellë vonesë me pasoja që sigurisht kanë pasur kosto në mirëqenien e qytetarëve.
Një pjesë e reformave të ndërmarra kanë qenë afatmesme dhe afatgjatë çka do të thoshte që kontrolli mbi ecurinë e tyre delegohej nga një qeveri në tjetrën, nga një forcë politike në tjetrën. Shumë herë ky investim i rëndësishëm në burime njerëzore dhe monetare është stopuar, parë i parëndësishëm dhe lënë në mes.
Kjo ka sjellë dhe rinegocim me partnerët tanë, që shpesh herë kanë qenë të vështira dhe frenuese për ekonominë e vendit.
Sot mendoj që vendi po krijon një stabilitet të qëndrueshëm falë mundësisë së qeverisë për të ushtruar mandatin e vet të plotë dhe shpresoj që një mandat i tretë do të krijonte premisa për të konsoliduar shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.
Sigurisht kanë mbetur detaje që shkojnë përtej asaj që shihet nga të gjithë?
Ka me mijëra të tilla, por do të veçoj mbase atë të fillimit, kur gjithë shoqëria ishte e angazhuar në lëvizje ndryshimesh, përmbysjesh, vendosjes së një sistemi të ri politik dhe ekonomik. Ne me një grup ekspertësh punonim për t’i dhënë trajtën strategjisë së sistemit të ri, ku po futeshim dhe të panjohurat ishin të shumta, kohë në të cilat kishte dhe gabime për shkak të mungesës së eksperiencës, por kishte një përkushtim të jashtëzakonshëm për ta bërë sistemin e ri funksional. Kemi punuar jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë saj me miq të vendit tonë për të mundur këtë.

Si e ka gjetur gjuhën e përbashkët z. Angjeli me akademikun, politikanin, njeriun? E kanë penguar njëri-tjetrin?

Jam i bindur dhe kjo është prova e jetës, që qëndrojnë shumë mirë në harmoni me njëra-tjetrën statura e njeriut social e akademikut aktiv me shumë studime e botime dhe politikanit modern. Jeta ime është shumë mirë e harmonizuar mes njeriut familjar, shkencëtarit dhe përfaqësuesit politik në vitet kur ishte pjesë e kabineteve.
Jam munduar maksimalisht të mos krijoj deficite, por nganjëherë është e pamundur. Besoj që familja ka pasur mungesat më të mëdha në periudhat intensive. Sot është nipi dhe mbesa që më tërheqin në mënyre të vazhdueshme për të mos humbur vëmendjen, por edhe për të vendosur një raport të drejtë mes profilit familjar, politik dhe akademik.
Unë shquhem për vullnet për t’i arritur gjërat dhe besoj sot e kam vendosur këtë ekuilibër.