Një thirrje e dëshpëruar për të qenë pjesë e diçkaje një histori e pazakontë dashurie dhe një triumf pavarësisht se çdo gjë atje jashtë duket kundër… “The shape of water”, rrëfenja romantike e një sanitareje që dashurohet me një krijesë ujore rrëmbeu nderimet më të mëdha të ceremonisë më të rëndësishme që kremton arritjet kinematografike të vitit.
Falë tij, Guillermo del Toro, çoi në shtëpi statuetën e artë të regjizorit më të mirë; Gary Oldman i pa përpjekjet e një jete të materializoheshin në Oscar-in e tij të parë, një vlerësim i marrë për interpretimin e jashtëzakonshëm që i bëri Winston Churchill tek “The darkest hour”; Frances Mcdormand nga ana tjetër, nuk i zhgënjeu kuotimet e larta të bëra aktores për interpretimin e rrallë tek “Three billboards outside ebbing, Missouri”…
Edicioni i 90-të i Academy Awards e shndërroi ceremoninë e zhvilluar mbrëmjen e së dielës në Los Angeles në një kremtim dhe nxitje të përfaqësimit dhe gjithëpërfshirjes, pas një viti të shënjuar prej një sizme ndryshimi kulturor në Hollywood, që u ndje në mbarë botën. Shikoni pak rrotull tha Frances Mcdormand, të gjithë ne kemi një histori për të treguar.
“Dy fjalë kam unë për të thënë: Përfshirje. Ne nuk do të kthehemi mbrapsht. Gjerat tani kanë ndryshuar”, u shpreh Frances Mcdormand.
Sam Rockwell është aktori më i mirë joprotagonist dhe Allison Janney, aktorja më e mirë në një rol dytësor për mënyrën sesi solli në jetë përmes ekranit nënë e ashpër e të vrazhdë tek filmi I, Tonya. “Get Out i Jordan Peele’s” u shpall skenari më i mirë origjinal duke çuar sallën në këmbë në një ovacion që çimentoi ngritjen e tij në radhët e elites hollivudiane.
Mbrëmja e madhe solli dhe një çmim për Kobe Bryant, kampioni i NBA mori një statuetë të artë për filmin e shkurtër të animuar mbi letrën e tij të tërheqjes: “I dashur basketboll”.
Top channel qe i vetmi televizion kombëtare, qe përcolli për të dytin vit radhazi, ngjarjen më të madhe të kinematografisë së një viti. Transmetimi maratonë, me moderator Ledion Liçon u bë nga një studio e ngrohtë që mirëpriti disa të ftuar për ta shoqëruar publikun me komente profesionale e teknike.