To top
9 Dhj

Juli Hoxha Rrëfehet vajza e Farudin Hoxhës, “njeriut të dritës”…

 

 

Nga Anila Çuli

Juli Hoxha është krijuesia dhe drejtuesia e fondacionit të njohur, “Partnerët Shqipëri”. Një rrjet botëror organizatash i pavarur  në 22 vende të botës, me zanafillë në  1989,  që shtrihet në 5 kontinente, me veprimtari në 50 vende të botës. Juliana së bashku me një staf të ngushtë, drejton këtë organizatë prej 17 vjetësh në Shqipëri. Juli siç dhe e thërrasin miqtë e afërm, ndryshon shumë nga bashkëshmoshtaret shqiptare. Shumë tip, në karakter dhe look, Juli është e komunikueshme, rracionale,  e thjeshtë në paraqitje, “aqua e sapone” ku dallohen qartë, fisnikëria dhe klasi. Shumë e suksesshme në punët dhe ambicjet e saj,  tejet kërkuese ndaj vetes,  Juliana vajza e vetme ish – Profesorit, Farudin Hoxhës, (i ndarë nga jeta pak muaj më parë) vjen në një rrëfim ekskluzivë për revistën “Elite”, mbi jetën,  karrierën, familjen e  saj të madhe dhe të vogël…

 

 

Znj. Hoxha për të gjithë ata që nuk ju njohin mund të na flisni pak mbi jetën tuaj, studimet dhe angazhimet e fundit?

Unë jam një bashkëshorte e lumtur dhe nëna e një djali 14 vjeçar që është për mua dhe bashkëshortin tim qëllimi kyesor i jetës dhe gëzimi më i madh që kemi.

Pasi mbarova studimet e larta në Histori, në Universitetin e Tiranës në vitin 1993, fillova menjëherë punë si asistente në një prej projekteve të para të huaja të Qeverise Angleze, që asistonte Ministrinë e Punës, Emigracionit dhe Çështjeve Sociale të sapo krijuar në çështjet e aftësisë së kufizuar. Përveç sfidave të panumërta që vinë me çdo punë të parë, në një moshë të re, pa ekspereincë dhe pjesë e një mjedisi totalisht të panjohur si ai i ndihmes së huaj, mu desh të përballesha me një Shqipëri që nuk e kisha njohur deri në atë moment: varfërinë ekstreme e gërshetuar me mungesën e shërbimeve bazike dhe pafuqinë e njerzve për tu organizuar për të drejtat e tyre. Gjykoj se ky ishte edhe një moment përcaktues për atë ç’ka vendosa të bëja në vazhdimësi si pjesë e formimit dhe më vonë karrierës sime profesionale.

Nga koha e përfundimit të studimeve të larta deri në vitin 2001 kam punuar dhe drejtuar një seri programesh të ndihmës së huaj, kryesisht si pjesë e programeve të Agjensisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar të fokusuara në forcimin e institucioneve dhe proceseve demokratike në vend. Në vitin 2001 krijova “Partnerët Shqipëri”, një fondacion shqiptar pjesë e një rrjeti botëror, që sot është në vitin e 17-të të punës së tij.

 

Si një njeri që i pëlqen dhe e kërkon sfidën, ndër vite i jam kthyer disa herë studimeve dhe trajnimeve. Mbas përfundimit të studimeve të larta, midis viteve 1993 dhe 2000 kam kryer disa trajnime dhe specializime jashtë kryesisht në fushën e trainimdhënies dhe çështjeve që lidhen me sektorin jo-fitimprurës. Më pas ndoqa studimet master dhe sot mbaj gradën Master Shkencor në Manaxhim Biznesi dhe ICT, nga “Universiteti i Sheffield”. Në vijim nëpërmjet bursës Chevening  të mundësuar nga qeveria angleze, kam kryer studime krahasuese mbi funksionimin e tre pushteteve dhe funksionimin e institucioneve demokratike, në Universitetin e Birminghamit. Midis të tjerave kam kryer edhe një trainim në “Manaxhim Strategjik dhe Aftësi Drejtuese” ne Harvard Kennedy School.

 

Ju jeni vajza e të ndierit, Profesor Farudin Hoxhës, që dizenjoi një pjesë të madhe të veprave energjitike në vend. Profesor Hoxha u nda para disa muajsh nga kjo jetë. Si ka qënë lidhja juaj me të?

Prindërit janë të dashur dhe të rëndësishëm për çdo fëmijë dhe kjo lidhje bëhet më e fortë, sa më shumë vitet kalojnë. Sa më shumë ti si fëmija e prindërve të tu rritesh e maturohesh, dhe ata avancojnë në moshë, gjithmonë e më shumë ndjen sesi krahu i varësisë ndaj njëri – tjetrit ndryshon. E tillë ka qënë edhe lidhja ime me të, e fortë dhe e veçantë. Ai ishte njeriu që kishte gjithmonë një këshillë, kompliment, por edhe një kritikë për gjërat që bëja, punët e mia, angazhimet e shfaqjet publike. I kishte të gjitha këshillat e matura dhe tepër të kujdesshme. I vetëdijshëm për karakterin tim të fortë dhe ndjenjën e lartë të vetëbesimit, të marrë shumë prej tij, e fillonte gjithmone duke më thënë: “Juliana, nëse mundem…”. Më pëlqente gjithmonë ky lloj shkëmbimi me të sepse i besoja, dhe kishte gjithmonë një vërejtje me vend për t’i bërë gjërat më mirë.

Vitet e vështira të tij në aspektin profesional e shëndetësor më bënë mua para tij jo vetëm bijën që e donte shumë e do bënte gjithshka për të, por edhe njeriun që mund të ndante e të merrte një këshillë. Kjo për mua ishte një ndienjë e jashtëzakonshme besimi, vlerësimi dhe “barazie” me tim atë që për mua ishte simboli i njeriut që përfaqësonte vlerat më të larta qytetare, intelektuale dhe profesionale; i njeriut që unë do të doja të isha por që e dija se nuk do e arrija dot.

Babi më vuri emrin Juliana, dhe në fakt ishte i vetmi që më thërriste me emrin tim të plotë. Kjo ishte në mënyrë shumë instiktive një ndër gjërat e para që ndjeva se më mungonte që në ditët e para të largimit të tij.

Sa përcaktues ka qënë ai në formimin tuaj?

Në fakt, shumë. Jam mësuar në familje që sidomos pas ndonjë diskutimi, të më thotë “sa i ngjan babait tënd”(qesh). Për këtë më vjen akoma edhe më mirë sot.

Ajo që ka qenë e rrallë për mua tek im atë dhe që ka përcaktuar thelbin tim është respekti për njerzit dhe sensi i vetëpërmbushjes nga kënaqësia dhe vlera e gjërave që bën. Ai i ka qëndruar gjithmonë larg  salloneve mondane dhe kamerave. Atë e mbushte shëndeti dhe lumturia në familje, fjala e mirë e njeriut të rastësishëm në rrugë, falenderimi i tyre për atë çka ai krijonte. E kisha zili se të paktën në sytë e mi ai e kishte gjetur se çfarë e bënte të lumtur.

Sot që jam prind e kuptoj sesa shumë ai ka influencuar mënyrën e prindërimit tim, ndjenjën e besimit dhe pavarësisë që kam me tim bir.

Puna e tij e përkushtuar dhe veprat hidroenergjitike të lëna pas, janë për ne të gjithë në familje përfshi edhe tim bir një dëshmi e gjallë e jetës së tij dhe pjesë e qënësishme e krenarisë sonë.

Duke ndërruar temë, do të doja të dija pak më shumë për punën tuaj, Znj. Hoxha prej vitesh ju keni krijuar dhe drejtoni në Shqipëri fondacionin  “Partners Albania” (Partnerët Shqipëri për Zhvillim dhe Ndryshim). Mund të më thoni ç’është ky fondacion kur është krijuar dhe cili është qëllimi i tij?

“Partnerët Shqipëri” është pjesë e një Rrjeti botëror organizatash të pavaruara në 22 vende të botës, që e ka zanafillën në vitin 1989. Rrjeti i Partnerëve punon në 5 kontinente dhe zhvillon veprimtarinë e vet në më shumë se 50 vende të botës.

Në Shqipëri, “Partnerët Shqipëri”, u krijua me qëllimin primar që të mbështesë zhvillimin e shoqërisë civile dhe kapaciteteve institucionale të saj për një dialog efektiv me institucionet ligjvënëse e qeverisëse. Puna jonë është fokusuar si në nivel lokal ashtu edhe qëndror në funksion të forcimit të demokracisë në vend dhe avancimit të zhvillimit ekonomik.

Po organizatat e tjera simotra pjesë e Rrjetit të Partnerëve në cilat fusha punojnë dhe kush janë mënyrat sesi ju bashkëpunoni në nivel global?

Siç e përmenda qysh në krye të herës, anëtarët e Rrjetit vinë nga 22 vende të botës me shtrirje në 5 kontinente. Një shtrirje kaq e madhe gjeografike sjell edhe një problematikë shumë diverse, e lidhur ngushtë kjo me specifikat e zhvillimit social, politik dhe ekonomik të këtyre vendeve. Në fokus të punës së anëtarëve të Rrjetit është ndryshimi dhe zhvillimi demokratik nëpërmjet investimit në lidershipin dhe institucionet lokale për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme lokale. Puna e simotrave tona varion nga programe të antikorrupsionit, në manaxhim konflikti në industrinë nxjerrëse, lufta kundër ekstremizmit apo proçeset me pjesëmarrje në nivel vendor.

Në shumë vende ku Rrjeti punon, ai ka arritur të krijojë partneritete me kompani multinacionale siç është General Electric, apo donator global privat siç është JAMS Foundation.

 

Me sa di një nga fushat e punës së Partnerëve Shqipëri është zhvillimi i filantropisë në vend. A ka aktivitet filantropik në Shqipëri dhe sa e zhvilluar është ajo?

Po, Partnerët Shqipëri ka mbi 7 vjet që është fokusuar në hulumtimin, promovimin dhe mbështetjen e aktivitetit filantropik në vend. Fatkeqësisht ka pak vëmendje ndaj saj, ndonëse përfaqëson një mundësi të madhe në aspektin zhvillimor por edhe atë të ngjizjes së solidaritetit human mungesa e të cilit po bëhet ulëritëse por që po gërryen shoqërinë e sotme.

Në Shqipëri ndonëse nuk mund të flasim për një aktivitet të mirëfilltë filantropik, që do të nënkuptonte organizim institucional dhe financime afatgjata dhe strategjike, ekzistojnë dhurimet që vinë kryesisht nga sektori privat.

Pra dhurimi kryhet vetëm nga biznesi apo edhe nga individët? Cili është qëndrimi dhe interesimi i tyre?

Dhuruesit më të mëdhenj mbeten bizneset e mëdha dhe midis tyre ato të huaja. Kjo edhe për hatër të një kulture më të zhvilluar të përgjegjshmërisë sociale nga kompanitë me origjinë në vendet perëndimore. Përsa i përket kategorive të bizneseve që dhurojnë, ato janë kryesisht telekomunikacioni dhe sistemi financiar.

Dhurimi individual ekziston, por ai është më i dukshëm në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, apo fusha të mëdha të ngritjes së fondeve në nivel kombëtar.

Megjithatë duhet pranuar se filantropia si aktivitet nuk njihet e nuk stimulohet nga kuadri ligjor. Mungesa e stimujve financiar për të dhuruar, një praktikë kjo e konsoliduar në perëndim, efekton negativisht përshfaqjen dhe zhvillimin më të fuqishëm të këtij aktiviteti.

Mungesa e rregullimit, ka për pasojë edhe mungesën e të dhënave të besueshme dhe të sakta sesa ky dhurim është dhe në mbështetje të cilave çështje shkon. Për të adresuar këtë vakum ne kryejmë prej dy vjetësh një matje të dhurimit në vend, por që bazohet kryesisht në raportimet mediatike dhe ato të insitucioneve shtetërore. Shifrat janë inkurajuese dhe krijojnë bazë për të besuar se me stimujt e duhur potenciali dhurues në vend është edhe më i madh. Vetëm gjatë vitit 2016 vlera e dhurimeve sipas monitorimit tonë shkon në ___.

 

Flitet se filantropia ka egzistuar që me kohë, aq sa  ne mund të kemi pasur në ato vite mesa di ju keni bërë dhe një studim rreth kësaj fushe…?

Po Shqipëria ndonëse vend i vogël ka pasur individë e familje të tëra të cilat kanë kontribuar pa kushte dhe në mënyrë tepër bujare në komunitetet apo qytetet ku jetonin, dhurime të cilat kanë pasur njëkohësisht një fill të fortë patriotik në qëllimin e tyre. Këtu do të përmendja Z.Thoma Turtulli nga Korca me dhurime në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës ndërmjet të cilave ndërtimi dhe rikonstruksioni i bibliotekës “Thimi Mitko”, ndërtimi dhe pajisja e spitalit të parë në Korçë, ndërtimi i Liceut Artistik “Tefta Tashko Koço” si dhe shkollës industriale në Korçë. Një tjetër figurë e spikatur është Z. Vangjel Zhapa nga Labovë, Gjirokastër, me veprimtari të shquar filantropike në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit midis së cilave, financimin e abetares së parë shqipe të Naun Veqilharxhit dhe kontributit për përhapjen e gjuhës shqipe, ndërtimin e 135 shkollave në jug të vendit, ndërtimin e disa veprave publike brenda dhe jashtë Shqipërisë.  Apo, Z. Tef Pogu nga Shkodra me kontribut të shumëanshëm në mbështetje të personave e grupeve në vështirësi ekonomike, e në veçanti për kontributin në fushën e zhvillimit ekonomik dhe edukimit, përmes hapjes së fabrikave, mencës për personat pa përkrahje, mbështetjes për shkollën fillore të “Motrave Stigmantine” dhe shkollës “Filip Shiroka” po në qytetin e Shkodrës.

 

Cilat janë objektivat tuaja për të ardhmen?

Në rrafshin profesional ambicia ime si drejtuese është që Partnerët Shqipëri të rritet e forcohet edhe më, ndonëse mbetemi ndër organizatat më të mëdha në vend. E gjithë skuadra që drejtoj prej 17 vetë staf dhe disa dhjetra bashkëpunëtorë në gjithë vendin është gjithmonë në punë për të dizenjuar e zbatuar iniciativa që janë inovatore dhe që kanë një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe forcimin e proceseve integruese në vend. Për mua puna që bëj është shumë e rëndësishme dhe më fal kënaqësinë që të shoh ndryshim falë investimit tonë.

Por ajo që mbetet në thelb arsyeja e gjithçkaje që bëj, është familja, im bir dhe im shoq. Janë ata që i japin kuptim përpjekjes për të sjellë ndryshim me punën time, arsyeja pse zgjohem çdo mëngjes dhe pse rend çdo mbrëmje jashtë zyrës.