To top
29 Nën

SHBA emëron Hoyt Brian Yee ambasador, në Maqedoni

Pas disa vitesh tërheqje nga Ballkani, administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur të rikthejë fuqishëm prezencën e SHBA-së në rajonin tonë. Departamenti i Shtetit ka marrë vendimin për të emëruar Hoyt Brian Yee ambasador të ri në Maqedoni, ish-negociator i Uashingtonit për krizën që mbërtheu vendin në fillim të vitit.

 

I njohur ndryshe si ‘buldozieri’ brenda Departamentit, Brian Yee ka qenë deri pak javë më parë Zv/ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet Europiane dhe Euroaziatike, duke luajtur rol të madh kryesisht në Evropën Lindore dhe Juglindore.

 

Me një karrierë të gjatë në politikën e jashtme, Hoyt Brian Yee ka shërbyer më parë në Ambasadat e SHBA-së në Kroaci, Afganistan, Mal të Zi, Haiti, Francë, NATO dhe në konsullatën amerikane në Selanik të Greqisë.

 

Emërimi i tij në Shkup është konfirmuar nga DASH për rrjetin mediatik ‘Al Jazeera’, ndërkohë më herët është përfolur edhe si ambasadori i ri amerikan në Athinë.

 

Vetëm pak ditë pasi i kishte mbaruar mandati brenda Departamentit, Yee lëshoi akuza të forta ndaj Uashingtonit dhe Brukselit për pritjet që iu rezervojnë politikanëve të korruptuar të Ballkanit. Tashmë, ai do të negociojë çdo ditë me politikanët e Maqedonisë, vend me nivel të lartë korrupsioni.

 

Maqedonia po merr një rëndësi strategjike për intersat amerikane dhe perëndimore për shkak të rritjes së influencës ruse në rajon. Me Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë të pozicionuara qartë nga Perëndimi, dhe me anëtarësimin e Mali të Zi në NATO, Maqedonia ka mbetur vendi i vetëm që rrezikon të bjerë nën influencën ruse njësoj si Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

 

Emërimi i Hoyt Brian Yee si ambasador vjen në një kohë kur pritet të hapen negociatat përfundimtare mes Shkupit dhe Athinës për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e emrit. Arritja e kësaj marrëveshje do i hapte rrugë Maqedonisë të anëtarësohej në NATO, pengesë për të cilën është bërë veto greke.

 

Anëtarësimi i Maqedonisë në aleancën ushtarake do izolonte përfundimisht Serbinë dhe Rusinë në Ballkan, duke mos i lënë dorë të lirë veprimi.