To top
6 Nën

Gëzim Basha për librin më të ri me poezi, “In Love”, të Preç Zogajt

Odet “Carpe Diem” për dashurinë

 

Përzgjedhja “In Love”, si thuajse krejt poezia e Preç Zogajt, është një koleksion odesh moderneku klasi teknik, efektet poetike dhe finesa gjuhësore ofrojnë diagramën e ndjeshmërive të një mendjeje refleksive që e sheh botën me sy lirik. Për shkak se fjalori arkaik i termave stilistike të kritikës sonë letrare, ende e merr oden si model të ngurtë në duart e Pindarit: strofë, antistrofë, epode-apo si kallëp metalik klasicist të trashëguar nga Horaci, përcaktimi “Ode moderne” mund të tingëllojë paska oksimoronik.

Asgjë oksimoronike!

Ode, si lloj letrar, mbetet ndër format më të parapëlqyera të poezisë lirike, e pakohë dhe në evoluim të përhershëm. E rivitalizuar fillimisht prej romantikëve europianë, ajo u masivizua në shekullin e njëzetë, duke u bërë njësoj atraktive si për modernistët edhe për eksperimentuesit postmodernë. Në poezinë lirike për dashurinë, ode mbetet lloj letrar i pashmangshëm sepse, siç shprehet poeti bashkëkohor amerikan Robert Has, “çdo poemë dashurie, pavarësisht në është përshkruese apo meditative, në thelb të vet përpiqet të bëjë gjestin e odës,” c’ka me shqip do të thotë: ka ton të theksuar adhurimi, diksion elekuent, dhe përdorim koshient të kapacitetit melodik të gjuhës me synim ndikimin imediat mbi lexuesin.

 

Kur Prec Zogaj botoi librin e tij të parë, Emrat Tuaj, më shumë se tre dekada më parë, ode ishte një lloj letrar i përjashtuar nga letërsia shqipe; poezia jonë e atëhershme e kishte humbur natyrën konfesionale dhe sillej prej dyzet vjetësh në ngushticën midis hymnit dhe elegjisë, glorifikimit panagjerik dhe vomeve patetike. Si njëri ndër poetët tanë të paktë që lexojnë për inspirim, një poet me shumë “dashuri letrare” po tëhuazonim një frazë të Harold Bloomi-it, Preç Zogaj hyri në poezi si një temperament krijues i maturuar nga leximet, duke sjellë  një emancipim të përftuar përmes ekspozimit të vetes ndaj poezisë moderne botërore, e cila atëherë kërkohej në terr, duke luajtur çdo gur. Lexues i Eliotit, Poundit apo i fragmenteve poetike të prozës së Xhoisit, përkthyer nga Rudolf Marku, netëve dimërore pranë një mangalli; lexues në origjinal i surrealisteve francezë dhe dëgjues ilegal i emisioneve poetike të radios italiane, Zogaj ishte produkt i grupimit letrar lezhian që nisi si njëcounterculture por shpejt u bë epiqendër e nje poezie ndryshe-me saktë njëra nga epiqendrat e poezisë shqipe, e cila ndoshta edhe për shkak të represioit politik në qendër, pati marrë karakter regjional duke ikur në margjina si Lezha, Tropoja dhe Tepelena…

Në një ambient letrar ku Ndoc Gjetja ishte minimalist, Rudolf Marku esencialist kavafian, dhe Agim Isaku eksperimental, Preç Zogaj u shfaq me një exuberance gjuhësore mahnitëse duke sjellë momente poetike që të kujtojnë poemat moderniste të T. S. Eliotit, veçanërisht Këngën e Dashurisë të J Alfred Prufrock-ut, ku lexuesi i percepton imazhet teksa ndjen zhurmën e bardhë të ambientit; e kundron “prarimin e diellit mbi kolonadat e lagura”, teksa mban vesh “bisedat e grave per Mikelanxhelon.”

I sigurt në tremën e tij letrare,  i pajisur me talent dhe dije, Zogaj vërshoi në shtypin letrar të viteve ‘80-të i gatshëm estetikisht për  ta rivitalizuar, midis të tjerash,  oden në  lirikën shqipe të dashurisë. Ndër të paktët poetë që refuzuan ta shkruajnë poemën sintezë- nje hibrid letrar i diktuar dhe promovuar zyrtarisht -Zogaj preferoi të shkruajë seri odesh të lidhura me fije temetike, duke i bërë vëllimet e tij–nga pikëpamja kompozicionale–poema fragmentare. Për fat ia doli mbanë! Përmbledhja In Loveështë dëshmi e kësaj arritjeje të madhe letrare, njëlandmark në letrat shqipe.

 

Në konstruktimin e odeve të tij për dashurinë, mjeti  kryesor retorik  i Zogajt është Carpe Diem, i cili, pavarësisht kuptimit literal, shqipërohet “shijo çastin.”  I trashëguar prej poetikës latine–daton me serinë e odeve të Horacit–Carpe Diem  përdor të tashmen për të sugjeruar dilema egzistenciale të provokuara nga koncepti ynë (i kufizuar) për kohën; është një figurë e mendimit që synon ta vendosë lexuesin në një skenë të momentit, në një rrethanë të caktuar, duke i dhënë shans për experienca unike, nën “komanden estetike,” Shijo castin!

Carpe Diem tek Zogaj nuk eshte hedonizëm epikurian! Më shumë se shtyrje për të shijuar vetëm kënaqësinë fizike që vjen me momentin, heroi i tij lirik ka ambicien për të nxitur tek audienca një fokusim sa më të plotë tek ai segment kohe qëështë bërë ndërkaq e shkuar sepse, siç shprehet poeti duke evokuar brengën borhesiane,  “s’na lag dy herë i njëjti shi,”  mos e humb momentin!

Ndrysha nga tradita e lirikës shqipe, leximi i poezisë se Zogajt të lë me ndjesinë se ikja e kohës nuk ka pse lë vetëm brengën e rrënimit–kujtoni Lazgushin me vargjet, “Përmbys, o jetë / m’i fal stolitë”–por mund të shihet edhe si motiv celebrimi, a ngasje, për ta ribërë të shkuarën me materien fillestare të vet Krijuesit–fjalën. Kjo i bën mjaft nga odet e kësaj përmbledhjeje të lexohen si vizitë  tek orakulli, vec  jo për të parathënë të ardhmen, por për të paraparë të shkuarën ku pret të (ri)zbulohet identiteti yt! Poezia, Në Shëngjin, për shembull, duket si strukturë tipike e këtij procedimi. Mënyra se si kjo poezi lëviz nga një gjendje në tjetrën, mënyra se si një sekuencë pyetjesh i lë vendin një enumeracioni me imazhe sinematike që ngjajnë si palimpseste të shfletuara nga një dorë magjike, krijon impresionin e një seance terapeutike për kurim të amnezisë–harresës sonë individuale dhe kolektive– ku kolonë zanore është kuja (e pavarrosur) e erës dhe detit.

A të kujtohet?

A të kujtohet kur s’ishe martuar,

Kur s’kishe qëllime,

Kur s’kishe lindur?

Përpara luftës,

Përpara fare,

Kur ishe Arbër, Ilir,

A të kujtohet?

 

Në nimfeum pate ardhur me velorën e shpejtë,

I mahnitur nga vajzat shkumëbardha

Te detit dhe bregut diellor pate thënë:

Oh, sa më vjen për të qarë!

 

Tradita jonë letrare, nuk ka pasur lirika dashurie të ndërtuara mbi skena vizive, lëre me skena surreale që vijnë si fuzion i ëndrrës me realitetin, ku ëndrra përshkruhet në detaje konkrete. Ka pasur orvatje–kujtoni vargjet e Kadaresë, “…pastaj si në rrugica parqesh/ shëtit mes cirkovolucionesh”–por jo realizime te njëmendta siç ndodh me oden e Zogajt, Baladë.

Po flija poshtë lisit hijerëndë

Kur erdhën e më zgjuan, “ngrehu….

 

U hap mbi kodrat e verdha një derickë,

(Kraharori im kërciti si dërrasë)

Mes lulesh e gajtanash hapi sytë

Ajo që nuk u bë më shumë se vajzë

Kjo poezi-ode, vjen si exemplar i qasjes retorike Carpe Diem, përdor me finesë elemente dramatike për ta afruar lexuesin në atë çast skenik ku dëgjohet dialogu i heroit lirik me  folësin e padukshëm.

O ti që flet e s’dukesh, a vërtet,

Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?

Syri lirik i një mendjeje në punë e bën këtë poezi antologjike në çdo gjuhë, ngaqëështë kampion i shkrimit imagjinativ; I ofron audiencës një moment të ngarkuar me skenografi detajesh, duke bërë një prerje prej traditës sonë të lodhshme të sublimit sentimental platonik, pa detaje konkrete që fatkeqësisht vazhdon dhe shpesh, edhe në rastet kur virtuoziteti teknik nuk mungon, e dënon lirikën shqipe të dashurisë me anakronizëm.

Ndonëse sillen qartë rreth motivit të dashurisë, odet e përmbledhjes In Love e rrisin përmasën e tyre kuptimore nëpërmjet aluzioneve të shumta, veçanërisht të referencave indirekte nga Bibla. Metaforat e tipit, “Një Mollë e përjetshme”,  apo vargjet aforistike të llojit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati,” nuk ndalen thjesht në evokimin e mëkatit primondial, por shtjellën si përsiatje të thella mbi natyrën njerëzore dhe pamundësinë sonë të lindur për njëkatharsis përfundimtar. Amour, një ode e shkurtër por me një thellësi të pazakontë, vetëm në katër vargje ia del të inskenojë krijimin e femrës duke e kthyer heroin lirik, në karakter biblik.

 

Një brinjë më ikën e shkon të ngulet në rërë,

Era fishkëllen në anën time të djathtë…

 

Në duar mbaj

Zgavrën dhe mallin.

 

Teknika Carpe Diem, vizualizimi i çastit me imazhe konkrete e të qarta, e trondit lexuesin duke ngritur një luzmë pikëpyetjesh, përgjigjia e të cilave përbën të vetmen mënyrë për të zbuluar mënyrën se si kjo shkurtimë e bën kuptimin e vet.

 

Odet e Zogajt për dashurinë të kujtojnë Odet e Pablo Nerudës,  ato i prin synimi  për të celebruar atë që Kriticizmi i Ri e quan the significance of the insignificant apo rëndësinë e gjërave–në dukje–të parëndësishme. Ato e kërkojnë formën si struktura të hapura, janë lëvizje drejt formës por pa u bërë formale. Ndonëse plot melankoli, ato ndahen qartë prej elegjisë, por kjo ndarje nuk është veçse një membranë transparente, përmes se cilës zhanret shihen dhe ndahen.

Preç Zogaj hyn ndër ata poetë që e shohin poezinë si kapacitet të brendshëm të gjuhës, si një apetit të qenies njerëzore të trashëguar nga praktikat e hershme të adhurimit. Edhe pse thellësisht personale, shumë poezi të tij apelojnë për një celebrim të hapur kolektiv ku mediumi–gjuha–është njëherësh skenë e festës edhe tempull i adhurimit.  Sipas Zogajt, ashtu si te Neruda, gjithçka mund të poetizohet! “Kam vizë nga Homeri, mbreti im demokrat/ për t’u ngjitur pa cak”, thotë në poezinë hyrëse të vëllimit të tij të katërt, Qielli i Gjithkujt, një poezi që mund të lexohet edhe si  Ars Poetika ngaqë aty shprehet synimi estetik i poetit për një hapje të plotë; dëshira për të komunikuar me traditën e letërsisë botërore përmes imazhesh dhe gjendjesh emocionale native. Prej kësaj prirjeje shpjegohet urgjenca e tij gjuhësore, ai synim konstant për t’ia prekur lexuesit të gjithë sensorët, ngasja për t’ia lënë ftesën e festës në dorë.

Zogaj shkruan një poezi të cilës përpara kuptimit i ndjen intensitetin shprehës, një poezi që jo vetëm e përdor gjuhën por, me përdorimit virtuoz të teknikave poetike, e ribën gjuhën duke na përforcuar bindjen në ato qasje që e konsiderojnë poezinë art praktik, kurse talentin, instikt impulsiv për të bërë me gjuhën më tepër nga ç’mund të pritet prej përdorimit të saj rutinor.  Për të qenë më ilustrues, ja vlen të përmendet efekti i fortë poetik që arrin përmes përdorimit të rimave dhe asonancave të brendshme, në vetëm dy shembuj: “Mes shungullimit detar, pendestar,” apo “Në fill të zërit shkoja dhe mendoja.” Këtu rimat nuk janë rastësi tingullore, por kërkime kuptimore; ato ia dalin të evokojnë ritmet e natyrës, duke ndihmuar dimensionin asociativ të poezisë, lëvizjen e saj drejt një kuptimi me kompleks. Rima e brendshme me epitetet, detar/pendestar, për shkak të thekseve të njëjta fundore, por edhe numrit të ndryshëm të rrokjeve, të kujton ritmin e goditjes së dallgëve në breg, kurse rima foljore shkoja/mendoja ia del të përforcojë idenë e lëvizjes.

Në përpjekjen për  t’i bërë odet e tij më të çliruara, Zogaj shpesh adapton tonin e lirikës popullore veriore ku dashuria shpesh shkakton–sipas një vargu të Mjedës–“gjama në natyrë;” apo inskenon momentin e njohur kur tjetërsimi fizik i së bukurës përjetohet keq tek i përvuajturi. Konsideroni vargjet, “Kur ma ktheve shpinën vera u bë dimër…” apo “Në tu thinjtë floku më keq do ta kem!”

Edhe toni adhurues, i shprehur shpesh me vargje si, “o e bukura ime, më e mirë se unë,”–ton që i shkon aq shumë për shtat odes–në mjaft raste vjen si kultivim i bazuar në konstruktet e lirikës orale ku derezimi përpara bukurisë shprehet me një emfatikë të matur.

 

 

Gati tre dekada më parë, në librin e tij të dytëE Pakryer–me një aluzion që s’lë mëdyshje–Preç Zogaj shkruante , “qëlloi stinë e thatë për poezinë.’  Ky varg sot, nga një kënd diakronik leximi, përveçse reflekton djerinën kulturore të një Shqipërie të sapodalë nga shkretia kulturore e viteve ‘70-të, po aq evokon paepshmërinë e një zëri poetik në nevojë imediate për t’u shprehur. Pyetja eksklamative e Jani Ricosit, Si rrojnë njerëzit pa poezinë–e përdorur siepigram poshtë titullit të një vjershe në librin e tretë për nga radha e botimit,  A Thua do të Vish Duke Qeshur-– thekson prirjen e përhershme të Preç Zogajt për ta parë poezinë si formë dhe provë të egzistencës. Bindja për të jetuar në simbiozë me poezinë, pavarësisht rrethanave, e bën atë një zë prolifik dhe krejt unik në poezinë shqipe. Botimi gati ritmik i mbi dhjetë librave voluminoze në harkun e tridhjetë vjetëve, rezultoi jo vetëm me njëpoetic oeuvre të destinuar për vendin e vet në kanonin tonë letrar, por mund të shihet edhe si nje akt luajaliteti ndaj atyre që u bë audiencë e tij letrare;  përmbushje e disponimit  të shprehur në njërën prej poezive të tij të hershme të cilën, në një premtim solemn për të qenë edhe incizues i zërit të të tjerëve, Zogaj pati vendosur ta mbyllë me vargun “unë e kam penën dhe të gjithë janë poetë.”

“Poezia lirike,” shkruante se fundi Elizabeth Aleksander, kancelarja aktuale e Akademisë Amerikane të Poezisë, “mbetet mënyra më e mirë për të kuptuar se ti mund të mbështetesh tek të tjerët edhe kur të tjerët të kanë zhgënjyer. “Odet e Preç Zogajt në këtë përmbledhje bëjnë gjithçka të mundur për të mbajtur rreth vetes atë komunitet lexuesish të cilët ende besojnë tek poezia e vërtetë lirike, tek kjo formë e hershme e komunikimit, e cila me kuptimin dhe jehonat e saj, vazhdon të ofrojë mbështetjen më të sigurt për shpirtrat njerëzorë.

 

Gëzim Basha
Tetor, 2017
Evanston, Illinois
SHBA