Gazetarja malteze Daphne Caruana Galizia ka mbetur e vdekur pas një shpërthimi në makinën e saj. Lajmin e publikojnë mediat lokale. Një nga skandalet e zbuluar prej saj ishte edhe ai i “Panama Papers”. Është e paqartë ende natyra e shpërthimit. Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat ka dënuar episodin duke e konsideruar akt barbar.
“Të gjithë e dinë se sa Galizia ka qenë kritike ndaj meje, por askush nuk mund të justifikojë një akt të tillë barbar” – tha kryeministri. Gazetarja 15 ditë më parë kishte depozituar një denoncim pasi kishte marrë një kërcënim me jetë. Kryeministri i Maltës konfirmoi se bëhej fjalë për një bombë në makinë.
53-vjeçarja ishte një gazetare e kronikës që në vite kishte denoncuar grupet kriminale.
“Kudo ka kriminelë nëse shihni përreth. Situata është dëshpëruese” – ishte fraza e fundit e gazetares e shkruar në blogun e saj 30 minuta para se të vdiste.