To top
13 Tet

Tom Doshi ka një mesazh për mikun e tij të ndierë, Dritan Prifti

 

Deputeti Tom Doshi ka dhënë një mesazh të ndierë për mikun e tij të ngushtë ish-deputetin Dritan Prifti i cili u nda parakohe nga jeta, mbrëmjen e së enjtes. Pas një sëmundje të rëndë, pas mjaft mjekimeve në spitalet më të specializuara të huaja, Prifti  nuk mundi t’ia dalë dot.

“Sot përcollëm për herë të fundit nji mik të rrallë, madje nji vlla. Dritan Prifti len nji boshllëk të madh jo vetëm për familjen e tij, por edhe për ne që e deshtëm me zemër. Deri në fund pati besim dhe guxim të jashtëzakonshëm për me e përballue sëmundjen, por ishte e pamundun. Do ta kujtojmë gjithmonë për mirësinë dhe kurajon e tij të pashoqe. Zoti i dhashtë pushimin e pasosun”, përfundon mesazhin e tij në një status deputeti Doshi.

E ndërsa me një kurajo të pashoq kujtojmë, vetëm pak muaj më parë vetë i ndieri Prifti dukej tejet i guximshëm teksa shpresonte në një shërim të shpejtë. “E di që jeni kuriozë të dini nëse unë do kandidoj në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk do kishte kënaqësi më të madhe për mua sesa të kisha mundësi të kandidoja dhe përfaqësoja përsëri Ju në politikë. Por nuk mundem fizikisht. Kam mbi një vit që luftoj me një sëmundje agresive dhe të vështirë gjaku. Kurimi vazhdon dhe pak muaj dhe nuk më jep mundësi të shkëputem për fushatë. Kam bindjen që do ta kaloj dhe këtë siklet shpejt”, shkruante para ca muajsh ish –ministri Prifti.

Homazhet për te ndierin Prifti, u zhvilluan në hollin e muzeut Historik Kombëtar, ku morën pjesë mjaft të afërm, miq kolegë, personalitete nga politika, e ndërsa disa prej ish-kolegëve  duket se u mjaftuan me një minutë heshtjeje në Kuvend.