To top
8 Kor

Mbi të 40-at dhe ende nuk jeni martuar? A është ky një problem?

Nga Milena Shella (psikologe)

Çdo brez ka një grup moshe ku në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, pritet që të martohesh. Nga një analize gjinore e censusit 2011 të popullsisë dhe banesa rezulton se në Shqipëri mosha mesatare për martesën e pare është 23 vjeç për grate dhe 29 vjeç për burrat. Krahasimet në censusin e 2011 sugjerojnë që mosha në martesën e pare është rritur lehtë si për grate dhe për burrat. Midis popullsisë 15 vjeç e lart, 32% e burrave nuk janë martuar kurrë në krahasim me 23% të grave.
Në rrethin shoqëror gjithmonë e më shumë kemi raste të miqve apo mikeshave që hyjnë në martesë diku rreth 27-28 vjeç për grate dhe 35-37 për burrat.
Nëse keni kaluar të 40-at dhe ende nuk jeni martuar çfarë ndodh?
Ju them unë se çfarë ndodh. Njerëzit pyesin PSE? Sepse njerëzit pyesin për cilindo i cili është një shmangie nga norma.
PO, nëse një person është mbi 40 vjeç dhe ende nuk është martuar, fakti është se ky person është jashtë normës. A është kjo një gjë negative? JO. A e bën kjo personin një partner të mundshëm më pak të mirë? JO DETYRIMISHT.
Ka shumë arsye pse për një person mund të jetë shtyrë mosha për martesë.
KARRIERA: që në moshë ende të re disa persona janë shumë të fokusuar tek ndjekja e një karriere në punë. Dihet se të balancosh punën (që kërkon shumë përkushtim) dhe familjen është diçka e vështirë. Shumë nga ne mund të mos jetojnë me prindërit për të pasur një mbështetje për rritjen e fëmijëve ose puna kërkon të lëvizësh në vende të ndryshme gjatë gjithë kohës dhe kjo vështirëson angazhimin në martesë.
LULEZIM I VONË:
Për disa njerëz dëshira ose pjekuria për t’umartuar dhe krijuar familje vjen më vonë. Martesa perceptohet si një hap shumë I rëndëisshëm dhe shpesh kjo kategori preferon që ta shtyjnë këtë gjë në kohë derisa të kenë plotësuar disa “kushte” për martesë.
TE TURPSHMIT/TË TERHEQURIT:
Disa njerëz e dëshirojnë martesën që në periudhën e rinisë së hershme, por janë të turpshëm ose të tërhequr duke mos pasur aftësitë e duhura për të krijuar një lidhje intime, që do të çonte drejt martesës. Edhe pse mund të takojnë shokun apo shoqen e jetës pak vonë, duket se personat në këtë kategori më pas të jenë bashkëshortë dhe prindër të shkëlqyer.
BINDJET PERSONALE:
Disa njerëz çmojnë angazhimin afat gjatë, por kjo nuk do të thotë detyrimisht martesë. Në këto raste jemi në kushtet e bashkëjetesës dhe marrjes përsipër të roleve prindërore edhe pse nuk ka një lidhje ligjore në martesë.
FOBIA NGA ANGAZHIMI NË MARTESË: ka shumë njerëz që duan të martohen por janë aq të frikësuar nga martesa se mbeten të paralizuar midis pamundësisë për të hedhur këtë hap. Të kujtojnë pak Julia Roberts në filmin “Nusja që arratiset” (Runaway bride)
Këto janë vetëm disa nga arsyet pse njerëzit të cilet janë rreth ose mbitë 40-at ende nuk janë martuar, Sikurse kuptohet shumica e tyre nuk janë aspak problematike.
Kur takoni një person mbi të 40-at, ende të pamartuar, para se të mendoni për të gjitha arsyet që nuk qëndrojnë lidhur me statusin e tyre “single”, filloni dhe diskutoni rreth të gjitha atyre gjërave që i bëjnë këta individë të veçantë dhe pse jo partnerin ideal që ju jeni duke kërkuar.