Pas rezultatit të keq në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Lulzim Basha ka deklaruar se do të ngrijë fuknsionet e tij si kryetar i PD-së deri në organizimin e zgjedhjeve të reja brenda partisë.
Ai e ka komunikuar këtë vendim përmEs një deklarate për mediat nga selia blu.
Basha tha se edhe në këto zgjedhje kishte blerje masive të votave, që nuk mund të parandalohej. Sipas tij ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit ishte një triumf i paligjshmërisë.
“Kam marrë te gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Tani demokratët meritojnë një bilanc të plotë dhe reflektim. Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar s’e përcaktoj unë por këtë s’e përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e PD. Këtë do ta përcaktojnë demokratët. Kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia si kryetar i PD për të organizuar me fuqi të plotë garën për kryetarin e PD-së sipas parimit një anëtar një votë”, tha Basha.
Më poshtë pjesë nga deklarata e tij.
Nuk mund ta nis këtë komunikim ndryshe përveç se me falenderim nga zemra për qindra mijëra qytetarë që vlerësuan projektin tim për ekonomi të fortë dhe të sigurt. jam mirënjohës mijëra demokratëve, që me dinjitet dhe kurajë heroike. Projekti im lindi nga qytetarët. Jam bërë me ta dhe kam biseduar me ditë të vështira të braktisur paturpësisht nga qeveria.
Të gjithë ata që u bënë pjesë dhe bashkë nisën një rrugëtim kërkuan shpresë dhe gjetën shpresë tek PD dhe projekti ynë. Kjo nuk mjaftoi. Në zgjedhjet e 25 qershorit, diçka tjetër ndodhi. Me gjithë përpjekjen që unë dhe PD bëmë me ligjin e dekriminalizimit, me betejën për drogën, me imponimin që bëmë duke marrë gjysmën e qeverisë, me ndërgjegjësimin e partnerëve ndërkombëtarë, sërish krimi dhe paraja e pisët dhe presioni i pushtetit nuk u ndal. Blerja e votës u bë masivisht duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën me shukun e parave.
Unë nuk do ta lejoj, qoftë edhe vetëm për këtë ia vlen të luftosh. Kam reflektuar thellë. Unë marrë të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Tani demokratët meritojnë një bilanc të plotë me ballafaqim të hapur dhe të vërtetë. Mes atyre që luftuan me mish dhe me shpirt dhe atyre që u ngritën kundër sapo humbën kolltuqet.
Me efekt të menjëhershëm ka vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar i Partisë Demokratike dhe t’ua delegoj dy nënkryetarëve dhe sekretarëve të përgjithshëm për të organizuar garën për kryetar të PD-së sipas parimit një anëtar një votë.
Gjëja më e lehtë për mua është të dorëhiqem, por e di se çfarë ka ndodhur, jo duke ikur, jo duke braktisur demokratët, por duke luftuar deri në fund me ta.