To top
11 Qer

Zbulohet biseda me vrasësin e Artan Cukut: I janë treguar të gjitha provat, por ai…

Prokurori i Krimeve të Rënda, Henrik Ligori në konferencë për shtyp së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, ka pohuar se janë mbledhur prova të mjaftueshme që fajësojnë Mikel Shallarin si vrasës të komisar Artan Cukut.
Unë kam pasur dy komunikime me të. Ai vazhdon të mohojë përfshirjen e tij në krim. I janë treguar të gjitha provat që e ngarkojnë atë me përgjegjësi. Ai është njohur me to. I janë ofruar të gjitha lehtësitë që parashikon ligji në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të”, – tha prokurori i Krimeve të Rënda.
“Në 10 qershor u bë e mundur ekzekutimi i urdhër ndalimit për vrasjen e Artan Cukut. Në vlerësim të informacioneve, u bë i mundur për arrestimin e autorit të vrasjes së Artan Cukut, ish-drejtuesit të policisë.

Autori i kësaj ngjarje është Mikel Edmond Shallari, 24-vjeçari nga Kuçova, banues në Qytetin Studenti, i cili është dhe ekzekutori.

Ka dhe persona të tjerë të shpallur në kërkim, po punohet për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve, por nuk dihet ende porositësi.

Pista? Është sekret profesional. Provat e administruara deri në këtë moment janë të konsiderueshme. Detajet i përkasin hetimit

Do punojmë për sqarimin e motiveve të ngjarjes.

Mikel Shallari është person me precedentë, i skeduar edhe më parë: Ai nuk e ka pranuar vrasjen e Artan Cukut”.

SHOQERIMI

Është shoqëruar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Policinë e Tiranës, i dyshuari për vrasjen e komisar Artan Cukut, i ekzekutuar muaj më parë. Bëhet e ditur se ai është Mikel Sh. 24 vjeç, i cili është kapur nga forcat speciale operacionale të Policisë së Tiranës pranë “Pallatit me Shigjeta”. Mësohet se ai po merret në pyetje në policinë e Tiranës. Ndërsa kjo e fundit ka ngritur 3 pista hetimi.

Bluza e gjetur në një kosh plehrash, vetëm pak metra larg pallatit “Melros”, në “Rrugën e Kosovarëve”, ku u vra Artan Cuku, duket se është prova më e fortë që hetuesit kanë në duar për të identifikuar autorin. Në këtë rrobë, burimet saktësuan se janë gjetur mbetje biologjike, si fije floku dhe pështymë, nga të cilat është zbuluar edhe profili gjenetik i ADN-së së autorit të Cukut. Pritet për t’u parë nëse i përket shtetasit të shoqeruar tashme Mikel Sh. 24 vjeç.

MOMENTI PARA VRASJES

Artan Cuku u qëllua për vdekje me 4 plumba, 2 prej të cilave i mori në kokë. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës u ekzekutua mbrëmjen e datës 8 prill, në hyrje të pallatit ku banonte, teksa ishte duke shkuar për në banesën e tij. Nga pamjet e kapura nga dy kamera të ndryshme të bizneseve në zonë dhe të publikuara nga Policia e Shtetit, autori vihet re në orën 18:53, rreth 1 orë e 7 minuta përpara atentatit. Nga pamjet duket një djalë i ri rreth 1.80 i gjatë, i veshur me rroba sportive dhe në kokë mban një kapele. Ndërsa vjen nga rruga kryesore, duart i mban në xhepa, ku dyshohet se mund të ketë fshehur armën. Më pas ngjit një palë shkallë dhe del në një anë të pallatit ku ndodhen disa dyqane të boshatisura. Pikërisht në këtë vend dyshohet se i riu ka qëndruar në pritje të Artan Cukut. Më pas, teksa ngjit shkallët, ai mban kokën ulur, ku streha e kapeles që mban në kokë i mbulon pamjen e fytyrës. Pasi kapërcen mbrojtëset e hekurta, humbet nga rrezja e kamerave të sigurisë dhe pak metra më tej ndodhet edhe hyrja e pallatit ku banonte dhe u vra Artan Cuku.