To top
10 Maj

Alma Lama: Rrugëtimi im Romë-San Marino-Maltë

Foto nga (Francesca Mancini)

Alma Lama një prej figurave të njohura në Parlamentin e Kosovës fillimet e të cilës nisën prej gazetarisë për të mbërritur në politikë e aktualisht në diplomaci. Aktualisht deputetja e kahershme e Lëvizjes Politike drejtuar prej Albin Kurtit, mban postin e e kryediplomates së Kosovës në Romë. Njëkohësisht është përgjegjëse për qytetshtetin e San Marinos dhe Maltës. Në një intervistë ekskluzive Lama rrëfen rrugëtimin e saj, Prishinë Romë – SanMarino – Maltë.

 

Alma ju prej pak kohësh qëndroni në postin e Ambasadores së Kosovës në Romë, si erdhi ky propozim dhe si e pritët?

 

Tashmë u bënë disa muaj që jam vendosur në Romë në postin e ambasadores së Republikës së Kosovës. Padyshim që është një nder i madh që të jesh përfaqësuesh i vendit tënd në një shtet tjetër. E po kështu është një përgjegjësi shumë e madhe që kërkon shumë angazhim e përkushtim, që kërkon energji dhe njohuri për shumë fusha të dijes. Ishte një vendim deri diku i shpejtë, për tu shkëputur nga jeta e politikës së përditshme dhe për tu futur në një tjetër terren që ka shumë të përbashkëta me politikën, por edhe shumë ndryshime. E them i shpejtë në kuptimin e kohës nga propozimi deri tek dakortësia ime. Ishte vlerësim i kryeministrit që Roma duhet përfaqësuar në mënyrë sa më dinjitoze pasi është një kryeqytet shumë i rëndësishëm europian, por edhe për Kosovën, dhe ambicja e shtetit tonë është rritja e dinamizmit të marëdhënieve në këtë shtet, jo vetëm në fushën politike por edhe në atë kulturore dhe ekonomike. Dhe duke qenë se unë kam qenë nga deputetët më aktive të kuvendit, u vlerësua se isha person i përshtashëm për rritjen e dinamikave. Nga ana tjetër, ajo cfarë më shtyu mua ishte edhe afërsia kulturore që kemi me Italinë. Natyrisht që kisha dilemat me mia pasi nuk është e lehtë të zhvendosesh në një vend tjetër së bashku me familjen, mirëpo gjeta mbështetja edhe te kjo e fundit. Për mua diplomacia  dhe marëdhëniet ndërkombëtare kanë qenë një fushë që më ka tërhequr gjithmonë. Kjo ka qenë arsyeja se kam qenë e angazhuar intensivisht edhe në diplomacinë paralamentare, nëpërmjet takimeve dhe vizitave të shumta me homologët e shumë vendeve të tjera, apo me diplomatët.

Si po ndiheni në këtë pozicion dhe cilat janë angazhimet tuaja më të rëndësishme aty?

 

Ndihem mjaft mirë. Është një eksperiencë sa e re, po kaq edhe e vjetër për mua. E re sepse nuk kam qenë më herët një post të tillë, e re për nga natyra e punës; tani kam edhe një grup të cilin duhet ta drejtoj, e që janë diplomatët e ambasadës; e re edhe për faktin se tashmë jam përfaqësuese e institucioneve dhe jo më një deputete që gëzon një pavarësi të madhe në atë që thotë dhe vepron. Tashmë jam futur në një kornizë që nuk të lejon të dalësh prej saj, mirëpo e bukura është se brenda kësaj kornize ka hapësirë pa fund për të vepruar dhe punuar për vendin tënd. Diplomacia është endja e pëlhurës nga  mijëra fije të padukshme, gjë që jep mundësi pafund për kreativitet, dhe kjo më duket gjëja më tërheqëse. Ndërsa në formë pra është një eksperiencë e re, në përmbajtje nuk ndjej ndonjë ndryshim esencial. Kjo sepse cështjet të cilat i trajtoj cdo ditë si ambasadore nëpër takime, janë po ato që i kam trajtuar cdo ditë si politikane. Dhe diplomatët e dinë mirë se eksperienca parlamentare është nga më të vlefshmet për punën e tyre. Dhe këtë ka rastitur që këtu të ma thonë edhe diplomatë me përvojë që kanë qenë nga 5- 6 herë ambasadorë në karrierën e tyre.

 

E kishit menduar më parë rrugën në diplomaci?

 

Natyrisht që e kam menduar, sepse siç e thashë më lart kjo është një fushë të cilën e konsideroj shumë interesante dhe mbi të gjitha të vlefshme. Këtu ku jam po shoh të shfrytëzoj mundësitë pa fund që të jep kjo punë për të bërë gjera të vlefshme, për të iniciuar projekte që do të jenë të vlefshme për Kosovën dhe për t’i realizuar ato për të përmirësuar imazhin tonë në botë nëpërmjet cilësive pozitive që i kemi apo; për të rritur shkëmbimet kulturore dhe tregtare, për të lobuar për njohje të reja për shtetin e Kosovës apo për të përcjellë politikat dhe interesat tona shtetërore tek institucionet më të larta të vendimarrjes në vendin pritës. Gjithsesi Italia, Malta dhe San Marino që i mbuloj unë si ambasadore janë vende mike të Kosovës, që e përkrahin atë në çdo hap, kështu që nuk e kam sfidën e zbutjes së armiqësive, mirëpo hapësira për rritjen e mbështetjes mbeten të pafund dhe ato duhet të shfrytëzohen.

 

Impresionet e para nga Roma kur u vendosët, rezidente dhe banore e saj?

 

Roma është një qytet tepër i bukur, është qendër e madhe e artit dhe kulturës botërore, prandaj është edhe privilegj të jetosh në të. Për njerëzit që janë të lidhur shpirtërisht me artin, sic jam unë Roma është vendi i duhur për të përjetuar bukurinë dhe  madhështinë e tij. Ajo çfarë e bën më të vecantë këtë qytet është antikiteti që përcjell der tek ne, nëpmjet kryeveprave të njeriut të gjithë madhështinë e asaj epoke. Në romë janë hedhur themelet e qytetërimit përendimor. Pastaj ëhstë edhe qendra e katolicizmit, gjë që do të thotë se ka edhe peshën e madhe të botës shpirtërore,he gjithë pasurinë e artit që është zhvilluar në katedrale  basilica, që mbeten monumente të jashtëzakonshme të krijimtarisë dhe gjenialitetit njerëzor. Pothuaj cdo epokë ka lënë gjirmët e saj të jashtëzakonshme në Romë, dhe kjo është pasuria më e madhe që secili banor mund ta shijojë pothuaj në cdo cep të saj. Pastaj vjen jeta e përditshme me sfidat e zakonshme të një qyteti të madh, ku duhet të nxitosh për të kryer detyrat e tua të shumta që të presin, të takosh njerëz dhe personalitete të shumtë, të ndash me ta politikën dhe diplomacinë…

 

Si po ndiheni aktualisht, shoh se keni dhe familjen? Diçka më shumë mbi bashkëshortin tuaj?

Unë kam dy vajza dhe një djalë. Ajo që shihni ju nëpër foto është vajza e vogël e cila si duket do të përshtatet më lehtë në Romë. Dy fëmijët e tjerë po përpiqen të integrohen në realitetin e ri, i cili është sfidë e përkohshme për ta pasi kulturalisht jemi shumë të afërt. E njejta gjë është edhe për bashkëshortin, i cili tani është më  i interesuar se kurrë për ta njohur kulturën italiane.

 

Si është një ditë e juaja aty në Romë si nis?

Dita ime në Romë është tepër dinamike. Fillon me vrapin e mëngjesit për të bërë gati fëmijët për në shkolla, vazhdon në zyrë dhe nëpër takime të shumta apo nëpër pritje të ndryshme që janë pjesë e punës, dhe përfundon me një libër në dorë në darkë, apo materiale te punës,  për të lexuar disa faqe para se të më zërë gjjumi.

 

Cilat janë angazhimet apo problemet e bashkëemigrantëve tuaj aty,  apo të drejtat e tyre aty?

 

Problemet e emigrantëve apo diapsorës siç e quajmë ne janë ato të zakonshmet që i karakterizojnë të gjithë njerëzit që lenë vendin e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Natyrisht janë problemet e integrimit në një shoqëri të re, edhe pse nuk janë të theksuara. Kosova ka rreth 52 mijë emigrantë në Itali, të përqëndruar kryesisht në verilindje, në zonën e Venetos, Trieste ,  Treviso, pra në një distancë të afërt me vendlindjen e tyre, të cilët në përgjithësi janë qytetarë të dëgjueshëm dhe bashkëpunues të shtetit Italian. Kemi pasur edhe disa sfida sic është ajo e njërëzve të indoktrinuar fetarisht dhe që janë bërë pjesë e hetimeve të policisë sic ishte rasti më i fundit në Venecia. Dhe shpresoj që ata të jenë të fundit që iu shkon mendja për marrëzira të tilla sic janë përfolur në media në lidhje me synimet e tyre për kryerjen e akteve terroriste.

 

Cilat janë pikat kryesore që kanë orientuar bashkëpunimin midis dy shteteve Itali – Kosovë?

 

Italia dhe Kosova kanë një bashkëpunim shumë të mirë në rrafshin politik dhe diplomatik. Italia është mbështetëse e të gjitha proçeseve që kanë ndodhur në Kosovë, duke marrë pjesë intensive si në çlirimin e saj nga pushtimi serbo-jugosllav, nëpërmjet angazhimit në koalicionin e NATO-s, ashtu edhe pas luftës me angazhimin e trupave të saj në kuadër të KFOR-it. Italia është një vend me distancë të vogël gjeografike me Kosovën dhe kështu që ka edhe interesa strategjike për rajonin, siç janë ato të sigurisë. Italia po ashtu për Kosovën është një vend strategjik edhe në aspektin ekonomik. Siç e dini Shqipëria e ka partnere kryesore Italinë në shkëmbimet tregtare dhe investime, kështu që edhe Kosova, e cila është ngjitur me Shqipërinë dhe me të cilën e bashkon rruga e Kombit pa dyshim që ka shanca të mira për të avancuar raportet  ekonomike. Ky vullnet shprehet në çdo takim dhe forum apo takime ku unë si ambasadore marr pjesë dhe jam shumë e gëzuar që ka kaq shumë interes për Kosovën. Që ky interes është duke u rritur e tregoi edhe fakti se në Grupin e Miqësisë në Parlamentin Italian, u nënshkruan 45 deputetë, të cilët janë miq dhe njohës të rrethanave në Kosovë. Po punojmë që të zhvillojme dhe rrisim marëdhëniet ndërkulturore, pasi kjo është një fushë gati e paeksploruar. Po kështu Universitetet kanë mundësi të pafund bashkëpunimi dhe shpresoj që Prishtina të tregohet më active edhe në këtë fushë.

 

Thonë se të jesh diplomat kërkon shumë punë, shumë durim dhe duhet të lësh shumë nga vetja. Sa e vështirë është të ndiqet kjo rrugë?

 

Diplomacia është një punë sa e vështirë, aq edhe e bukur dhe interesante. Për mua, edhe pse kam qenë mësuar të jem dinamike në punë, dinamizmi me marrjen e detyrës së re është shumëfishuar. Tani kam takime pa fund, materiale pa fund që duhen lexuar apo shkruar, si dhe ndërtimi i strategjive të punës së bashku me stafin. Diplomacia të kërkon që të jesh në krye të detyrës pavarësisht nga rrethanat personale, dhe ato familjare. Për një nënë të tre fëmijëve siç jam unë, nuk është e lehtë, mirëpo eksperienca e mëparshme në politikë dhe gazetari janë një ndihmë e jashtëzakonshme për të bërë edhe punën e diplomates. Njohja e çështjeve politike dhe aftësia për të hyrë në komunikim me të tjerët në mënyrë që të transmetosh atë që për ty apo vendin tuaj është me interes,  janë thelbësore. Për fat unë jam në një vend miqësor nga Kosovës siç është Italia dhe kjo natyrisht që e bën punën më të lehtë, por nga ana tjetër Roma është një qytet me disa lloj misionesh dhe kjo e bën jo vetëm më të larmishëm, por edhe më të vështirë për të punuar.

 

Ju më parë keni qenë deputete në Kuvendin e Kosovës,  një pozicion i vështirë, por që ju dhe grupi juaj paralamentar ja keni dalë për mrekulli. Ç’kujtoni nga ajo kohë?

 

Më mungon parlamenti, e veçanërisht liria për të foluar apo ngritur zërin për gjithcka që mendoj. Liria e shprehjes është një kosto shumë e lartë që duhet të paguash kur hyn në diplomaci dhe për ata që e vlerësojnë atë liri, nuk është e lehtë. Sidoqoftë çdo punë që bëhet me gjithë zemër e përkushtim, jep rezultatet e saj. Puna në parlament më ka mësuar dhe rritur shumë profesionalisht. Të njëjtën shpresoj se do ta bëjë edhe puna në diplomaci. Kjo e fundit ka edhe një avantazh tjetër të madh, se nuk je më partiak. Politika gjithnjë e më shumë po rreshqet drejt populizmit për fat të keq; nuk është më elita që e drejton shoqërinë, por pseudoelitat po i përshtaten shoqërisë dhe përkrahin qasjet e gabuara, këtë e konsideroj një fazë të rrezikshme, që ka përfshirë pjesën më të madhe të botës demokratike. Unë isha nga ato që në politikë i jam kundërvënë në çdo hap politikave populiste që joshin turmat irracionale, me qëllimin e vetëm për t’iu marrë votën. Dhe kjo e ka bërë shumë të vështirë rrugëtimin tim politik. Është e vërtetë që ja kam dalë, mirëpo kam humbur shumë energji në kërkim të ndërtimit  të aleancave të politikave vizionare. Kjo është një sfidë e vërtetë.

Një paralelizëm midis këtyre dy fushave, cila ju përket më shumë?

Diplomacia është vazhdim i politikës, por i veshur me një kostum tjetër. Esenca apo përmbajtja është e njejtë. Të gjitha çështjet me të cilat ngarkohet një diplomat apo ambasador për të diskutuar me shtetin pritës, janë politike dhe eksperienca e një politikani, sidomos ajo parlamentare, siç e thashë më lart,  është jashtëzakonisht e vyer për këtë punë. Ndryshimi është se nuk je më pjesë e një force politike që lufton me forcat e tjera politike për të marrë pushtetin, por je përfaqësues i interesave më të larta të shtetit në raport me shtetet e tjera. Në praktikë natyrisht që ka ndryshime për nga natyra e puëns, nuk do të merresh më me ligje, por me zbatimin e tyre, nuk do t’i kërkosh më llogari qeverisë, por do të përcjellësh mesazhet e saj në shtetin tjetër, e këto mesazhe janë politika e jashtme shtetërore e vendit tënd, nuk do të merresh më me votuesit por do të merresh me zyrtarë të vendit tjetër, me diplomatë të vendeve të tjera për të lobuar për interesat shtetërore.

 

Di që ju keni qenë një gazetare prej shumë vitesh mund të më thoni si ka vijuar rrugëtimi juaj kalimi nga gazetaria drejt politikbërjes sa e vështirë ka qenë ky kalim?

 

Ky kalim është bërë gradualisht, e megjithatë ka qenë shumë problematik. Në radhë të parë sepse ka të bëjë me raportin me lirinë dhe pavarësinë tënde si individ. Gazetaria të jep një liri shumë të madhe për të shprehuar lirshëm atë që mendon, për të vepruar sipas bindjeve të tua dhe për të punuar si individ, është profesion që lidhet me zbulimin e të vërtetës me çdo kusht. Dhe mund të them se liria ka qenë brenga ime e përhershme prej ditës së parë, një lloj brenge e përhershme që shfaqte kokën me rebelim në shumë çështje. Ndërsa Politika është plotësisht e kundërta: duhet që të mësosh mirë artin e ndërtimit të raporteve me të tjerët; të mësosh të lobosh që të tjerët të futen në varkën tënde për një çështje të caktuar pasi mbështetja e tyre është tepër me rëndësi sepse pothuajse gjithçka votohet. Në parlament kam mësuar pikërisht këtë, të ndërtoj aleanca në mënyrë që propozimet e mia të gjejnë mbështetje. Por një shprehje thotë: një herë gazetar, gjithmonë gazetar. Kam qenë një politikane atipike, që luftonte për të vërtetën, dhe jo manipulonte të vërtetën siç bëjnë shumica.  Ndërsa tani në diplomaci ndihem më e lehtësuar pasi përpara vetes kam vetëm një lajtmotiv që më udhëheq: përfaqësimi i interesave shtetërore. Po e përjetoj si një rikthim në liri.