Intervistë me Ujvara Hajdarin, make- up artistja që duan të gjithë
Nga Sava Sota
Ajo padyshim është një prej make- up artisteve tejet perfekte. Jo më kot të gjithë personazhet e njohur e zgjedhin. Por jo vetëm kaq, Ujvara Hajdari, është një artiste në mendje dhe shpirt. Me kujdes ajo skalit portretin e gjithësecilit duke i dhënë unikalitet. Në një intervistë Ujvara me tipare tepër të rregullta rrëfen sekretin për një make- up perfekt.
-Ujvara është fakt tashmë që ju jeni një nga make- up artistet, më të njohura në Tiranë. Duket edhe nga personazhet publik e jo publik që frektuentojnë qendrën tuaj të bukurisë. Vetëm së fundmi ju ishit grimierja e këngëtares italiane Giusi Ferreri. Si ndiheni kur punoni me personzhe të rëndësishëm?
Ndihem sikur kur punoj me personazhe anonim. Fillimisht e pranoj që kam një lloj emocioni por me të kaluar furçën e parë çdo portret bëhet njësoj. Unë dua të bëj më të mirën për të gjithë. Po ta shohësh me kujdes instagram dhe Face book-un tim, nuk do kuptosh dot që unë i trajtoj në mënyrë të diferencuar. Nuk do ia lejoja kurrë vetes këtë.
Sa e vështirë është puna me ta?
Tani këtu ndryshon puna. Dikush mund të duket i vështirë dhe nuk është dhe dikush anasjelltas. Tekat jane të shumtë sidomos kur bëhet fjalë për bukurinë. Përpiqem të ndjek dëshirat e klientëve dhe të jem e rezervuar në vendimarrje. Secili vjen dhe duhet ti japësh atë që kërkon. Kur më kërkojnë një ide dhe më lënë dorë të lirë atëherë unë veproj sipas artit tim. A keni parë dy piktura të ngjashme ndonjëherë? Asgjë nuk përsëritet.
Cila është pika e fortë e grimit tuaj?
Pudra dhe sytë që nuk duhet të humbasin dritët apo të mbulohen nga qerpikët sikur nuk janë aty. Dhe mbi të gjitha jam e parimit: mos bëj grim të bukur, por bëj fytyra të bukura. Njerëzit duan rezultatin dhe jo proçesin. Se atë e mëson si teknike edhe në youtubë apo jo…?!
Por kur ua kërkojnë çfarë bëni? Ekzagjerimet…
I bëj. Kjo botë është plot variacion. Përpiqem mos jem “fanatike” e shijeve të mija. Por kryesisht kam klientë të përhershëm dhe aty vijnë ata që e pëlqejnë dorën time. Pra nuk para më ndodh të kem kërkesa të çuditshme dhe surpriza. Jam me fat në këtë pikë.
Çfarë do i këshillonit dikujt për trukun e mëngjesit, kur del nga shtëpia. Jo të gjithë mund të vinë tëk grimierja çdo ditë?
Rimelin, pudër, pak shkëlqim tek faqet, dhe buzët në varësi të veshjes. Asnjëherë pa asgjë. Pak grim na bën më femra sado e bukur të jesh. Tregon kujdes dhe që je parë në pasqyrë në mëngjes. Nuk më pëlqen që vajzat apo gratë të duken si shok në rrugë.
Po për flokët? Ju nuk jeni vetëm një make- up artiste. Flokët janë një tjetër pikë e fortë e juaja. Çfarë tendencash kanë flokët këtë vit?
Për flokët do doja të mos kishte tendenca që i shkatërrojnë ato. Ka vetëm një modë që nuk ikën kurrë dhe ai është floku i shëndetshëm. Në punën time përpiqem t’i këshilloj klientët që të mos bëjnë aventura me flokët. Kjo nuk nënkupton mos të bëjnë ndryshime por duke mos i dëmtuar flokët. Vajzat shohin Kim Kardashian dhe motrat e saj, por a i keni parë disa foto paparacësh ku duken tre qime flokë në kokë. Dhjetë femra janë gjithsej në botë që zgjohen me parukier në shtëpi ndaj këshillat e mia janë që të tregohemi të zgjuar dhe të trajtojmë flokët sipas jetës që kemi. Flokët duhen trajtuar si fytyra. Asgjë nuk e bën një femër më të bukur sesa ajo fija e flokut që shkëlqen. Edhe flokët është si me jetën ku ke periudha që eksperimenton por gjithmonë kthehesh tek familja bazë. Dhe unë besoj që ngado të shkojmë të gjithë ne do kthehemi tek ngjyra jonë natyrale.