Këngëtarja Elhaida Dani, përfaqësuesja e vendit tonë në Eurovision, pasi fitoi festivalin e RTSH me këngën “Diell” ka njoftuar që nuk do të shkojë me këtë këngë në Vienë. Arsyeja është që kompozitori, Bruno Shllaku, për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka tërhequr këngën nga konkurrimi. Edhe pse vetë kengetarja nuk jep spjegime të mëtejshme për këto arsye, duke thënë që vendimi zyrtar do të shpallet në ditët në vijim nga RTSH, problemet duhet të kenë lindur në fazën e përpunimit dhe përshtatjes që këngëve iu bëhen zakonisht para nisjes për në kompeticionin evropian. “Mendoj se është e drejtë t’ju komunikoj personalisht vendimin e marrë që më është komunikuar së fundmi. Këtë vit do të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision me një këngë tjetër nga ajo me të cilën u shpalla fituese e Festivalit të Këngës në dhjetor të vitit të kaluar. Ky lajm do bëhet publik dhe zyrtar së shpejti, por dëshiroja që të isha une ajo që jua komunikoj për herë të parë. Autori i këngës Diell, për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka vendosur të tërheqë këngën të kompozuar nga ai dhe do jetë për fat të keq e pamundur te kendohet nga une ne Eurovision Song Contest 2015. Duke respektuar këtë zgjedhje të tijën personale dhe në dakordësi me RTSH, e mbi të gjitha duke respektuar rregullat e vendosura nga ESC, më është komunikuar që si fituese, une duhet të përfaqesoj vendin tim në Vienë me një këngë të re. Urimi dhe dëshira ime është që ky vendim i papritur që më është bërë i ditur të mos sjellë pakenaqësi dhe polemika. Qëllimi mbetet ai që Shqipëria të ndahet me një rezultat sa më të mirë dhe të gjithë do punojmë sa më shumë për ta arritur”, ka shkruar Elhaida në profilin e saj në Facebook.