To top
17 Shk

Nga fjalët, tek faktet; miqësorja për të permbyturit drejt realizimit

 

sporti

Shoqata “Club Italia” delegon ish-portierin Stefano Takoni që të merret me iniciativën: “Jemi në bisedime me disa sipërmarrës që do sponsorizojnë eventin”

Një miqësore që lindi si një ide, por që tani është kthyer më shumë sesa thjesht një ëndërr e bukur. Pas intervistës ekskluzive në “Sport Ekspres” të ish-portierit dhe kapitenit të Juventusit dhe të Italisë së viteve ’80-’90, Stefano Takonit, në lidhje me një miqësore ndërmjet veteranëve dhe figurave të nderuara të futbollit Italian dhe atij shqiptar për të ndihmuar financiarisht familjet shqiptare në zonat e përmbytura në jug të vendit, vjen edhe konfirmimi i parë. Është vetë shoqata “Club Italia” që ka nisur hapat e saj për të bërë realitet këtë dëshirë të ish-kampionit bardhezi. Madje, vetë Takoni ka dërguar një e-mail ku sqaron se tani “Club Italia”, Shoqata e çertifikuar (me president ish-kampionin e Botës, Paolo Rosin) për të përfaqësuar legjendat e Italisë në turnetë miqësorë që ata zhvillojnë në mbarë botën, e ka deleguar pikërishtn atë në rolin e organizatorit të evenimentit. Një hap i rëndësishëm që tregon se tashmë nga fjalët, gjërat kanë nisur të kalojnë tek faktet.

TAKONI – Ish-portieri i Juventusit dhe Italisë, Stefano Takoni, përmes një e-maili që ka dërguar në redaksi, sqaron se tashmë ai është i kënaqur që iniciativa, e nisur nga revista “Buongiorno Italia” dhe ai vetë, ka nisur të bëhet një realitet. “Jam i kënaqur, – thotë Takoni, – që iniciativa jonë, pra e imja dhe e miqve të mi të revistës “Buongiorno Italia”, ka bërë që tashmë gjërat të kalojnë nga dëshira tek faktet. Kështu, falë edhe intervistës me mikun tim, Gjergji Cicani, tashmë edhe shoqatës “Club Italia”, në të cilën aderojmë të gjithë ne ish-legjendat e Italisë, i ka pëlqyer kjo ide dhe ka vendosur të më delegojë mua për organizimin e këtij eventi. Sigurisht që kanë nisur bisedimet me sponsorë dhe sipërmarrës të ndryshëm, por ende asgjë nuk është përfunduar për momentin dhe shumë shpejt do të ketë edhe të reja në lidhje me këtë organizim. Unë dua të falenderoj gjithashtu mikun tim De Biazin që e ka përkrahur këtë ide, por edhe popullin vlla shqiptar dhe tani duhet të përgatitemi t’ia kthejmë nderin që na bëri në Xhenova”, ka thënë Takoni në e-mail.

CLUB ITALIA – Club Italia AC është edhe shoqata e çertifikuar pranë FIGC-it për të përfaqësuar ish-legjendat e Italisë në ndeshjet miqësore për bamirësi që ata zhvillojnë në të gjithë Botën. Një organizatë e ndërtuar në vitin 1982 falë avokatit Serxhio Azareto, me president aktual ish-legjendën Paolo Rosi. Këtu aderojnë 35 ish-futbollistë italianë me famë botërore, që, sipas një rregulli duhet të kenë luajtuar të paktën një ndeshje zyrtare me kombëtaren axurre në karrierë për të qenë pjesë e skuadrës “master”. Pra, përveç Takonit, në këtë skuadër janë edhe Kabrini, Tardeli, por edhe lojtarë më të rinj në moshë si Broki, apo Amoruzo, Kieza edhe Dino Baxhio.

 

Sponsorët

Aktualisht Stefano Takoni si përfaqësues i “Club Italia”-s është në tratativa me sponsorë të ndryshëm dhe sipërmarrës që janë afruar për të sponsorizuar eventin, por, siç sqaron vetë ai, deri tani nuk ka përfunduar ende asgjë, pasi janë ende në kuadrin e bisedimeve.