To top
30 Jan

Aida Repishti rrëfen rrugën e“Lincoln”-it

Që në takimin e parë, Aida Repishti të lëpërshtypjen e një zonje tepër fisnike dhe të imponon respekt. Në profesion është arkitekte, zanat që nuk ka mundur ta ushtrojë gjatë, ndërsa veten e ka gjetur, pikërisht në një tjetër fushë të bukur, pikërisht atë përhapjes së dijes dhe kulturës. Ka jetuar shumë vite në Njy – Jork e në këtë intervistë sjellë panoramën e bukur dhe të papërshkrueshme të atij vendi magjepsës e gjigan…por jo vetëm kaq, Aida rrëfen rrugën e gjatë e të suksesshme të “Lincoln”… 

Znj. Aida mund të më thoni si lindi “Lincoln” dhe përse?

 Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të kthehem në mesin e viteve 90. Shqipëria kishte disa vite që kishte hedhur tutje petkun e diktaturës e përpiqej të shëronte një nga një plagët që kish lënë ky sistem. Arsimi ishte një aspekt me mangësi të dallueshme, veçanërisht në zhvillimin e aftësive për të qenë i suksesshëm në një botë të re që po hapte dyert për shqiptarët.
Sa po fillonin idetë dhe shenjat e para të shkollimit privat. Pikërisht në vitet 1996-’97, një grup profesorësh amerikanë, me dëshirën për të ndihmuar shqiptarët në këtë moment të veçantë të historisë, krijuan mundësinë për hapjen e “Linkoln”-it. Fondacioni Linkoln ishte një nga institucionet e para arsimore private në Shqipëri, që kishte si qëllim pajisjen e shqiptarëve me aftësi për të përballuar me sukses ekonominë e tregut. U fokusuam në dy aftësi parësore për kohën: mësimi i gjuhëve të huaja dhe aftësitë kompjuterike.
Më kujtohet takimi i parë në Tiranë me z. Robert Provost, themeluesin e këtij institucioni. Ishte fundviti i 1996-s. Kisha vetëm disa javë që isha kthyer nga Nju-Jorku, ku jetoja prej disa vitesh së bashku me familjen. Shumë njerëz çuditeshin se si ne ishim kthyer familjarisht, kur shumë vraponin për të shpëtuar nga trazirat që ndiheshin diku në horizont. Robi kishte disa vite që jetonte në Shqipëri. Ishim ulur në një nga kafenetë e pakta në kryqëzimin e Rrugës së Dibrës me Rrugën e Barrikadave. Ishte një mëngjes nëntori dhe i ftohti kishte filluar të zbriste në rrugët e Tiranës. Ishim ulur si miq të vjetër e po pinim kafene turke. Robi, papritmas më drejtohet duke më thënë: “Si të duket ideja për të hapur një qendër për mësimin e gjuhës angleze në Tiranë? Mendoj që kjo është një nevojë imediate, shumë nuk e flasin mirë anglishten; e pa gjuhën angleze është vështirë të komunikosh në botën e sotme”.
E ndjeva menjëherë seriozitetin e këtij propozimi, si dhe faktin që duhej të kishte kohë që bluhej në kokën e tij. Mbrapa kësaj pyetjeje fshihej dëshira e madhe për të dhënë një ndihmë sado modeste në këtë botë të re. U entuziazmova dhe e pranova propozimin e tij për të punuar së bashku, megjithëse isha në një fushë krejt tjetër, në atë të arkitekturës.
Ishte viti i trazirave të mëdha në Shqipëri. Ne arritëm të siguronim një grant nga Fondacioni Soros. Një bord profesorësh amerikanë na ndihmuan mjaft me idetë e ekspertizën e tyre. Me gjithë vështirësitë e mëdha, në shtator të 1997-s i hapëm dyert e “Linkoln”-it për herë të parë në një vilë të bukur të stilit italian pranë Pazarit të Ri. Brenda disa ditëve, hynë në “Linkoln” më shumë se 400 persona që donin të mësonin anglisht. Shumë nga ata ishin figura të njohura në Shqipëri, që nuk u ishte dhënë mundësia të mësonin anglisht, ose që donin ta përmirësonin atë. Ka qenë privilegj i veçantë për mua të njoh shumë nga këta persona gjatë viteve.
Disa vite me vonë, në vitin 2003, ne hapëm edhe një qendër të re tek ish-Blloku, në një vilë ku më parë kish jetuar ish-diktatori. Ironi e fatit… apo jo? Sot aty studiojnë me qindra fëmijë, studentë e profesionistë nga të gjitha anët e Tiranës.
 Cila qe risia që “Lincoln”-i solli dhe përse studentët duhet të zgjedhin pikërisht këtë qendër? Çfarë ofroni ju ndryshe nga të tjerët?
 Sikurse e thashë më sipër, e filluam gjithçka me dashuri të madhe: krijuam Fondacionin Linkoln, një institucion për t’u shërbyer shqiptarëve në fushën e arsimit e veçanërisht trajnimeve, duke sjellë një kombinim të eksperiencës së arsimit shqiptar me ekspertizën e njohur amerikane.
Përzgjodhëm e mblodhëm rreth vetes mësues nga më të mirët në Shqipëri, që kishin pasionin e dëshirën për të mësuar mënyrat e reja të mësimdhënies e për t’u shërbyer studentëve. Sollëm ekspertë të njohur të arsimit amerikan, për të trajnuar këtë grup mësuesish. Mësuesit tanë sot janë me eksperiencë në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze, me trajnime të vazhdueshme e një pjesë e tyre me tituj shkencorë.
U përzgjodhën programet e metodat më të mira të Shtëpisë Botuese të Universitetit të mirënjohur të Kembrixhit. Sollëm mendësinë e një të mësuari të ri të gjuhës angleze, nëpërmjet kursesh të hartuara posaçërisht për të plotësuar nevojat e studentëve tanë, duke zhvilluar aftësitë në katër elemente kryesore: në të lexuar, shkruar, kuptuar e dëgjuar, nga anglishtja për fëmijë deri në anglishten e biznesit.
Çdo person që ka mbaruar me sukses kursin pajiset me Certifikatën Linkoln, që përmban vlerësime të krahasuara me standardet europiane. Mësimi zhvillohet në dy zona në qendër të Tiranës, në vilat “Linkoln” te Pazari i Ri dhe tek ish-Blloku, ku studentët gjejnë një ambient familjar të ngrohtë e mikpritës. Duhet të theksoj se vlera më e madhe e “Linkoln”-it është stafi ynë profesionist e me integritet. Ne kemi krijuar një grup njerëzish që u shërbejnë me përkushtim e dashuri studentëve tanë, për t’i ndihmuar të realizojnë synimet që i kanë vetes në “Linkoln”. Ne përpiqemi çdo ditë ta bëjmë më të mirë organizatën tonë, u ofrojmë studentëve atë që u kemi premtuar apo dhe më shumë, nëse mundemi. Ne ndihemi të nderuar kur studentët tanë gjatë viteve na thonë se si “Linkoni” ka ndryshuar jetët e tyre.
 Dihet tanimë që “Lincoln” është një emër prestigjioz, të cilën e frekuentojnë shumë, di që ka dhe shumë individë të njohur që kanë studiuar këtu, mund t’i përmendni?
 Nga viti 1997, në qendrën “Linkoln” kanë studiuar mëse 50.000 individë, nga fusha të ndryshme të jetës, me mosha e profesione të ndryshme. Në dyert tona erdhën grupe të tëra intelektualësh të fushës së arsimit, gazetarisë, politikës, artit, si dhe mjekësisë, inxhinierisë, por dhe studentë e fëmijë.
Veçanërisht në vitet e para dukej qartë një uri e madhe për gjuhën angleze veçanërisht, e shpjegueshme kjo, duke kujtuar që mësimi privat i gjuhës së huaj sapo kishte filluar (akoma kujtonim metodat klasike të Essential.) Në shkollat e para viteve 90 ishim të lumtur kur kishim ndonjë mësues të pasionuar të anglishtes, që na bënte të mësonim përmendësh ndonjë poemë të Robert Burns. Mbaj mend që në ato vite, shumë nga ne lexonim çfarëdo që gjenim në anglisht, por rrallë gjenim mundësinë e komunikimit apo të të dëgjuarit (ndoshta me përjashtim të këngëve të Beatles apo Rolling Stones, që i dëgjonim fshehurazi.)
Sikurse e përmenda dhe më sipër, në Linkoln kanë studiuar persona nga fusha të ndryshme të jetës. Pa përmendur emra, mund të them që janë plot politikanë, artistë të shquar, gazetarë e profesorë, mjekë e mësues, si dhe shumë studentë që studiojnë jashtë apo janë të punësuar me anglishten e mësuar në “Linkoln”. Fëmijët fillojnë në moshë të vogël e pastaj u hapën dyert në shkolla nga më të mirat në botë, për shkak dhe të përvetësimit të anglishtes së tyre. Çfarë përpiqet “Linkoln”-i të bëjë, është t’i pajisë studentët e tij me një armë të fuqishme në jetë, që është gjuha e huaj. Mund të them se sot takojmë kudo studentë të “Linkoln”-it që kanë qenë apo janë bërë të suksesshëm. Këtë gjë e kanë vënë në dukje edhe shumë miq amerikanë që vizitojnë Shqipërinë herë pas here dhe kanë pasur mundësinë t’i takojnë. E, më besoni, është kënaqësi dhe privilegj i veçantë!
Njëkohësisht, doja të theksoja që prej shumë vitesh, ne gjithashtu, bashkëpunojmë me kompani të njohura të fushës së biznesit, si dhe organizata ndërkombëtare për trajnimin e punonjësve të tyre.
 Sa kohë i duhet një studenti për ta perfeksionuar më së miri gjuhën angleze pranë qendrës tuaj?
 Mendoj që pyetja më e saktë në këtë rast është sa i përkushtuar është dhe sa kohë do të investojë një student për të mësuar gjuhën angleze. Do të sugjeroja të zgjidhej një synim realist, si dhe një kufi kohor i përcaktuar, dhe të punohet fort për ta arritur atë.
Megjithatë, kohëzgjatja e mësimit të gjuhës varet nga niveli i gjuhës që ke, mosha, qëllimi që i ke vënë vetes etj. Një fëmijë mund të studiojë nga 2-5 vjet. Një nivel gjuhe për të rritur është 4 muaj, kështu që varet çfarë niveli kërkon të arrish në anglisht. Të mos harrojmë që anglishtja është gjuha dominuese e diplomacisë, biznesit e shkencës, kompjuterit e internetit, është gjuha e artit, e industrisë së filmit, muzikës e librit. Ajo që ne përpiqemi të bëjmë është të gjejmë gjithmonë arritjet më të fundit në fushën e mësimdhënies së anglishtes e gjuhëve të tjera, metodat më të reja e të suksesshme e t’ua përshtatim kërkesave specifike të studentëve tanë.Me dëshirë do të flas pak për programin më të ri të fëmijëve në “Linkoln”.Për të gjithë ata prindër që kërkojnë suksesin e fëmijëve të tyre, “Linkoln”-i solli dy vjet me parë Grape SEED, një program të gjuhës angleze për fëmijët e moshës 4-9 vjeç, rezultat i një bashkëpunimi të studimeve të profesorëve amerikanë e teknologjisë japoneze.Rreth 100 fëmijë të moshës 4-8 vjeç studiojnë sot me këtë program. Veçantia e tij është që këta fëmijë e mësojnë anglishten si gjuhën e nënës, janë të aftë të komunikojnë lirisht e në mënyrë të natyrshme. Mendojnë anglisht, flasin anglisht.Këta fëmijë e dashurojnë anglishten e u krijohet vetëbesimi qysh në moshë të vogël. Ne të “Linkoln”-it i duam fëmijët dhe shohim një sukses të garantuar me këtë program.
 Përveçse gjuhës angleze, për çfarë mund të trajnohen studentët këtu?
 “Linkoln”-i është një institucion trajnimi që bashkëpunon me partnerë në ShBA. Krahas gjuhës angleze, ne ofrojmë prej vitesh edhe gjuhë të tjera: italisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht etj. Është kënaqësi e veçantë të shohësh në qendrën tonë të huaj në Shqipëri që mësojnë me pasion gjuhën tonë të bukur shqipe.Aftësitë e kompjuterit, sidomos Microsoft Office, kanë qenë një nga trajnimet tona më të kërkuara për vite me radhë. Por Shqipëria është zhvilluar gjatë këtyre dy dekadave. Biznesi privat ka bërë hapa të rëndësishëm për t’u afruar me tregun ndërkombëtar, po kështu shumë biznese të huaja apo organizata ndërkombëtare punojnë sot në Shqipëri. Kjo ka sjellë nevojën imediate të një sërë trajnimesh të reja në fushën e biznesit, soft skills, menaxhim, leadership etj.Pikërisht vitet e fundit, “Linkoln”-i ka filluar të prezantojë më shumë nga këto trajnime për biznesin, për ta aftësuar atë të konkurrojë në mënyre të suksesshme në tregun botëror. Ne u mundësojmë njerëzve jo vetëm aftësi për të gjetur punë, por dhe se si të jenë të suksesshëm në punën e tyre. Ndërsa aftësitë tuaja teknike mund të hapin derën për një punë, etika juaj e punës, qëndrimi juaj, aftësitë tuaja të komunikimit, të inteligjencës tuaj emocionale dhe një mori e tërë atributesh të tjera personale janë aftësitë vendimtare për të pasur sukses e për të bërë dallimin si udhëheqës.Ne po bashkëpunojmë me trajnerë të njohur nga ShBA-ja e Kanada për të trajnuar me sukses biznese të fushës së financës, telekomunikacionit e fushave të tjera, administrata si dhe organizata ndërkombëtare.
 Ju jeni arkitekte me profesion, por e pasionuar pas mësimdhënies. Si janë këto dy raporte te ju?
 Është e vërtetë që unë jam diplomuar në arkitekturë dhe vij nga familja Daja, me traditë në fushën e arkitekturës e ndërtimit. Por, megjithëse babai dhe xhaxhai kanë qenë projektues, ata ishin edhe profesorë të njohur që kanë edukuar breza të tërë inxhinierësh dhe e arkitektësh.Në njëfarë mënyre, arsimi ka qenë një pjesë e rëndësishme për shumë pjesëtarë të familjes sime. Me sa kam kuptuar, arsimi ka qenë gjithmonë një dëshirë e fshehtë brenda meje, e unë kam hyrë në një fushë që e dashuroj dhe e vlerësoj pa masë. Të edukosh breza të tërë që do të ndryshojnë nesër botën, është privilegj i veçantë. Sigurisht unë jam një pjesë shumë modeste e këtij investimi, pasi unë merrem me administrim, e jo mësimdhënie.Personalisht, i shoh shpesh arkitektët dhe edukuesit si liderë të shoqërisë. Drejtuesi në edukim si dhe arkitekti kanë shumë për t’i ofruar shoqërisë, për të zgjidhur probleme të shoqërisë, për të influencuar në kulturë, biznes, organizata e shoqëri. Duhet të jenë vizionarë e të kenë aftësinë për të përkthyer vizionin në realitet.Por këtu vlen një këshillë nga Ajshtajni i madh: “Përpiqu jo për t’u bërë një njeri i suksesshëm, por më mirë një njeri me vlera”.
 Për shkak të profesionit të bashkëshortit tuaj si diplomat, ju keni jetuar disa vite në Nju-Jork. A e vizitoni shpesh këtë vend?
 Udhëtimi e njohja me botën të bën një njeri më të mirë e më të mençur. Shumë nga paragjykimet për njerëzit e botën zvogëlohen ose zhduken; mund të lexosh sa të duash, por është ndryshe kur e prek dhe e sheh një vend. Im shoq është diplomat. Në vitet ‘92-‘96 ne jetuam për katër vite në Nju-Jork dhe krijuam një lidhje të veçantë me të. Vajzat ndiqnin shkollën në Manhatan, ndërsa unë punoja në një zyrë projektimi.Pas kthimit nga Nju-Jorku, unë i kam mbajtur lidhjet gjithmonë me këtë qytet, pasi është një nga dashuritë e mia. Mbledhjet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të tim shoqi apo mbledhjet e bordit të “Linkoln”-it na kanë çuar çdo vit në Nju-Jork, pa përmendur që vajzat e mia kanë jetuar për disa vite aty. Është një qytet që të sfidon çdo ditë me qiellgërvishtësit e tij, zhurmën e vazhdueshme në mëngjes, gjatë ditës, madje dhe në darkë, prandaj e quajnë edhe qyteti që nuk fle kurrë. Dashuroj muzetë pa fund të artit, Gugenheim, MOMA apo Metropolitani, shfaqjet mahnitëse në Broadway, parqet publike, aromën e oqeanit apo të kafesë me bagel në mëngjes. Modën e 5th Avenue apo pazarin për të gjetur dhe firmat më të njohura me çmime fantastike.Çdo mëngjes, kur shkoja në zyrën time në katin e gjashtëmbëdhjetë të godinës, mahnitesha nga pafundësia e njerëzve që vraponin në rrugët e gjera, që hipnin e zbritnin nga taksitë e trenat e metrosë dhe, mbi gjitha gjuhët pa fund që flisnin. Jam e sigurt që aty ka njerëz nga e gjithë bota, çdo një është i ndryshëm e jo i paragjykuar nga të tjerët. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë që vijmë nga një vend pothuajse gjithmonë i paragjykuar.Por gjithmonë kthehem në Tiranën e dashur, që është jo vetëm vendlindja, por dhe vendi i ëndrrave të realizuara e të parealizuara.