Të shkosh në skajin më të largët verior të vendit nuk është më një mision i vështirë. Të gjendesh në Alpet shqiptare, në qytetit verior të Bajram Currit, dhe sigurisht oazës së papërshkrueshme të luginës së Valbonës, tanimë nuk të duhen të udhëtosh shumë orë. Për të mbërritur në Bajram Curri janë dy mundësi rrugëtimi. Rruga që të çon më shkurt është sigurisht nga territori i Kosovës, duke përshkruar një pjesë të saj. Kështu mënjanon sakaq dy mundësitë tradicionale, atë me traget nëpër rrëshqitjen ledhatuese të Drinit magjik dhe Qafën e Malit, ku të pret e të përcjell një prekje ngjethëse e mrekullisë së bjeshkëve. Falë Rrugës së re të Kombit dhe përqasjes pranë Kosovës, nuk të merr më shumë se 5-6 orë udhëtim.
Itinerari ynë, në fakt, është një prej eventeve më të mëdha të artit në qytetin e Bajram Currit. Mbrëmjen e 15 qershorit, “Sofra dardane” e hapi siparin për tri net rresht në qytetin e malësorëve. Edicioni i 12-të i festivalit folklorik mbarëkombëtar “Sofra Dardane”, themeluar prej presidentit të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar Azgan Haklaj, nën kujdesin e bashkisë së qytetit, u zhvillua në stadiumin e lojërave me dorë, në “Amfiteatrin e Tropojës”, nën peshën e një atmosfere festive, gjëmimit të tupanit e piskamës së curleve. Kështu e nisi dhe e sosi rrugëtim e vet kjo sprovë e folk-ut gjithëshqiptar. Kostumet dhe ngjyrat, hareja dhe galdimi, ndriçuan tablonë e murrme të kohës së vrenjtur e fillërimit të halorëve që qarkojnë qytetin e vogël verior.
Qindra banorë të qytetit e të zonave përreth, të ftuar e dashamirës të folk-ut, kësaj pasurie shpirtërore të kombit shqiptar, u bënë gjerdani më i shndritës i mikpritjes së mbi 500 këngëtarëve, valltarëve, instrumentistëve dhe rrugëtuesve artistikë që kapluan Tropojën, për të kumtuar jo dhe aq pjesëmarrjen sesa dëshmimin e trupëzimit arbëror 800-vjeçar, me vullnesën e artit, këtij visari estetik, kësaj memorie të bashkëjetesës ndër shekuj të shqiptarëve me të bukurën.
Në një klimë të tensionuar harrimi dhe mospërfilljeje, bojkoti shtetëror dhe anateme krahinore e politike, kjo sofër ia doli ta shtronte gostinë e vet të 12-të, të çelte zemrën dhe konakun për krejt ata që gazmuan me pjesëmarrjen e tyre dhe lumnuan me vullnesën kombëtare.
“Sofra Dardane”, festivali folklorik i Tropojës
Festivali “Sofra Dardane” ka si qëllim kryesor hulumtimin, ruajtjen dhe pasurimin e vlerave folklorike dhe etnografike mbarëkombëtare të trevave të Veriut të Shqipërisë dhe të atyre të Kosovës, që gjeografikisht përbëjnë Rrafshin e Dukagjinit.Për të krijuar një atmosferë sa më festive dhe për t’u ndjekur nga të gjithë artdashësit tropojanë dhe me gjerë, shfaqjet e konkurrimit dhe ato të përshëndetjes zhvillohen në sheshin qendror të qytetit, si dhe në sheshin karakteristik në Luginën e Valbonës, në funksion edhe të turizmit kulturor. Kjo veprimtari, përveç pasurimit dhe gjallërimit të jetës artistike-kulturore të qytetit, shërben edhe për zhvillimin e biznesit vendas, si dhe për ndërthurjen e vlerave të trashëgimisë shpirtërore me vlerat e turizmit dhe të bukurive natyrore të kësaj treve.
Pothuajse të gjithë qytetarët kanë dalë në shesh të presin grupet folklorike. Ajo që të bën përshtypje është se Tropoja ka mbetur një qytet i largët i tejskajshëm, ku shikon se nuk ka investime. Lokalet nuk janë luksoze, madje dhe në pjatat që shërbehen kjo gjë bie dukshëm në sy, por kanë një mikpritje dhe një shpirt të madh, ndryshe nga skaji tjetër jugor. Godinat kryesore, po ashtu ndërtesat dhe banesat, lënë për të dëshiruar. Duket qartas se është një vend i lënë pas dore, i varfër dhe i harruar… pse jo, edhe i braktisur. Shumë qytetarë janë dyndur drejt metropolit e më gjerë në Europë dhe botë. Të paktë janë ata që kanë preferuar të qëndrojnë aty, por edhe këta të rinjtë që kërcejnë duket se, me t’u dhënë mundësia, do ta braktisin vendin.
Lugina madhështore e Valbonës
Valbona ndodhet 25 km larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në Kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushtë, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ahe e bredha, ndërsa rruga është e paasfaltuar. Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit pasohen nga gryka e ngushtë me shpate të thepisura e Klisyrës. Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, me kulla guri 100- e 200-vjeçare, madje edhe më të vjetra. Gjatë rrjedhës së Valbonës ndodhet një ujëvarë disa dhjetëra metra e lartë, që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë, në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi ndodhet shpella e Bajram Currit. Valbona ka mahnitur shumë vizitorë të huaj, të cilët, për të pranuar magjepsjen janë kthyer ta vizitojnë atë sërish. Por deri më tani nuk kishte ndodhur ndonjëherë që vizitorët të mbeteshin përgjithmonë aty, gjë që ka ndodhur me një turiste amerikane si Catherine Bohn, që erdhi nga Amerika e largët dhe u vendos në vendin e zanave, ku u dashurua me djaloshin shqiptar, me Alfredin.
Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në Rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8 000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Që të bësh një udhëtim në Luginën e Valbonës, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por, në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale bukuritë befasuese të këtij parku kombëtar verior të Shqipërisë. Shumë prej nesh (mes të cilëve kishte edhe nga ata që nuk e kishin vizituar më parë një perlë të tillë) nuk e dinin se në këto skaje të largëta gjendet një oazë kaq e rrallë. Të huajt bujtin aty në çdo stinë dhe kohë. Është një peizazh që të fut në një botë të magjishme dhe të bën të harrosh çdo gjë. Të thith si me magji me bukuritë madhështore dhe kaq të rralla të kësaj lugine, e cila mbahet edhe për ujin e pijshëm dhe të freskët të bjeshkëve.