Klajda Gjosha: Viti im i artë
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ndodhet në katin e dytë të godinës së ministrisë që ajo drejton prej një viti, shumë pranë Kryeministrisë, dhe po na pret për të realizuar intervistën dhe setin e fotove. Mban veshur një bluzë të bardhë të lirshme, pantallona po të bardha klasike dhe një palë këpucë të kuqe, disi për thyerje, me pakës takë. Shfaqet tepër elegante dhe serioze, me gjithë finesën dhe seriozitet që e përshkon (këto karakteristika e kanë shoqëruar edhe më parë, kur nuk ishte ministre). Është një ditë e veçantë për të dhe për ne (e kemi përzgjedhur për të qenë në kopertinën e revistës “Elite”, pasi një ditë më parë ka festuar përvjetorin e 31-të të saj. Në tryezë gjenden plot lule dhe mbishkrime ku e kanë uruar për ditëlindje, ndërsa ministrja është treguar tejet e kujdesshme për të mos bërë bujë në media. Pret fëmijën e saj të parë. Na zbulon se është djalë. Është një nga ministret më të reja dhe, pse jo, më e suksesshmja. Nuk ka se si të mos ndihet e lumtur dhe e qeshur, edhe pse mbi supe mban përgjegjësi të mëdha. Me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Integrimit nga ana e saj, ne më në fund morëm statusin e shumëpritur për t’iu bashkuar familjes së madhe europiane.
Jemi në ditët e nxehta të verës dhe ministrja e Integrimit gjendet në punë. “Nuk ka asnjë dallim axhenda, si në dimër edhe tani”,- shpjegon ministrja, duke më sqaruar se ritmi i punës është po i njëjtë, udhëtime nëpër Europë, takime dhe biseda rreth punës. Në fakt, ashtu duket. Ministrja është tepër e qetë dhe gjendet në krye të punës në muajin e shtatë të shtatzënisë, dhe tregon se ka fluturuar deri tashmë nëpër Europë pa e penguar fare fëmija që pret të lindë për pak kohë, ndërsa emocionet, kënaqësia dhe lumturia janë të papërshkrueshme me fjalë. E thënë ndryshe, vetëm një nënë e re mund ta kuptojë. Ndihet e lumtur, edhe pse tregon se në fillim ka dashur një vajzë, duke qenë se ajo vjen nga një familje prej dy vajzash, por, mbi të gjitha, e rëndësishme është që ajo dhe fëmija gëzojnë shëndet të plotë. Kjo gjë e gëzon dhe e bën të ndihet mirë. Pohon se mezi pret ta mbajë fëmijën e saj në duar, e natyrisht që ky mund të jetë një emocion i papërshkrueshëm. Fëmija i saj do të jetë fëmija i rëndësishëm mediatik, pas atij të Kryeministrit që lindi vetëm pak ditë më parë, e padyshim do të jetë një fëmijë që do të rritet pranë këtij institucioni, ku Klajda s’ka ndër mend të pushojë gjatë, në shtëpi.
Nuk është aspak dakord se karriera dhe familja nuk mbahen pranë; mbahen dhe madje mirë, pasi Klajda është e guximshme dhe një femër e fortë që do t’ia dalë. Këtë e tregon më së miri edhe linja e saj perfekte prej një nënë të re, ku tregon se puna dhe lëvizjet e kanë mbajtur kaq në formë, ndërsa nuk ka mundësi të ushtrojë ndonjë sport. Gardëroba e saj është e pasur, por nuk është se pas fshihet ndonjë stilist. Klajda tregon se është vetë ajo me stilin e saj, pa harruar dhe mami Meritën që shpesh tregon kujdes dhe njihet si një zonjë me tepër shije. Tregon se më stinën e verës do të pushojë disi kur të marrë pushimet vjetore, pretendon të kalojë disa ditë në bregdetin shqiptar, por edhe deri në ishujt e Greqisë.
Teksa realizojmë setin e fotove, është shumë komode. Pozon në aparatin fotografik lirshëm, por është “e vështirë” për ta nxjerrë jashtë kuadratin të saj zyrtar. Nuk do të humbasë kohë shumë për setin e fotove, aq më tepër të pozojë jashtë ministrisë, por mundohemi t’i shkëpusim disa foto ekskluzivisht për revistën “Elite”, në ditët më të lumtura të saj. Pikërisht në ditët e verës, si një nga ministret më të suksesshme, në ditët më të lumtura për një zonjë e cila pret të gëzohet me lindjen e fëmijës së saj të parë. Mundohemi në blicin e aparatit fotografik të fiksojmë lumturinë që i shoqëron portretin, buzëqeshjen karakteristike dhe këtë kohë të bukur, por edhe ndonjë “goditje të vockël”, ku shumë vite më pas për të dhe birin e saj do të jenë të paharrueshme dhe do të kujtohen me shumë nostalgji.
Përpos këtyre emocioneve, Klajda nuk mund të shmangë edhe emocionet e integrimit të vendit tonë në familjen europiane, duke vlerësuar gjithë kabinetit qeveritar për punën e palodhshme që ka bërë për të bindur vendet skeptike që s’kishin besim në plotësimin e kushteve të kërkuara për Shqipërinë. “Europën nuk do të na e dhurojë askush, duhet ta ndërtojmë brenda vendit tonë”,- e përmbledh bisedën rreth kësaj çështjeje ministrja Gjosha, rrugën jo shumë të gjatë për anëtarësinë në BE.
Klajda, e cila vjen nga një familje me dy prindër dhe një motër që jeton jashtë vendit, rrëfen lidhjen e ngushtë me ta, si dhe kohën që kalon me bashkëshortin Adrian.
Shqipëria merr statusin e vendit kandidat për të qenë pjesë e familjes europiane, ç’do të thotë kjo për vendin tonë?
Marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është një arritje e madhe historike për vendin tonë. Është një arritje e të gjithë shqiptarëve. Do ta konsideroja gjithashtu përmbushje të dëshirës së përbashkët për të qenë më pranë familjes së madhe europiane. Ky hap është një dëshmi e progresit që ka bërë vendi, në kuadër të procesit të integrimit në BE. Përpjekja e nisur dy dekada më parë u kurorëzua më 24 qershor me vendimin pozitiv, i cili për të gjithë ne duhet të jetë një shtysë e fortë, në mënyrë që të japim kontributin tonë për të transformuar vendin, për ta zhvilluar atë në të gjitha fushat. Vendimi pozitiv i vendeve anëtare padyshim që na ka dhënë optimizmin për të vazhduar përpara, pasi sfidat që na presin janë shumë herë më të mëdha se kjo që sapo kaluam. Dua të theksoj se për të çuar përpara këtë prioritet kombëtar nuk mjafton vullneti dhe puna e një qeverie, duhet kontributi i të gjithëve çdo ditë, në mënyrë që të arrijmë ato standarde që kanë vendet e Bashkimit Europian. Vetëm kështu do të mundemi me integritet të jemi pjesë e tij, pasi të kemi kaluar këtë sfidë, të cilën e kemi në radhë të parë me veten. Jam e bindur se Shqipëria e ka merituar marrjen e statusit të vendit kandidat, ashtu sikurse duhet të meritojë kapërcimin e të gjitha hallkave të tjera të këtij procesi kompleks.
Çfarë përfitojnë shqiptarët nga marrja e statusit?
Me marrjen e statusit, Shqipëria vendos një marrëdhënie të re me Bashkimin Europian. Vendi ynë tashmë konsiderohet një vend i besueshëm, dhe kjo është diçka mjaft pozitive, për sa i përket thithjes së investimeve të huaja. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, sa më shumë investime të ketë në Shqipëri aq më shumë vende pune do të mund të krijohen, aq më shumë zhvillim ka vendi. Përfituesit e drejtpërdrejtë sigurisht janë qytetarët. Si vend kandidat, Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga fondet e BE-së, në kuadrin e fondeve IPA, me qëllim që të kryejë reforma gjithëpërfshirëse dhe investime strategjike, si dhe do të përfitojë nga pjesëmarrja në programet e BE-së. Me marrjen e statusit çdo qeveri ka përgjegjësi më të madhe në përmbushjen e detyrimeve dhe reformave, çka do të thotë se angazhimi do të jetë disa herë më i lartë për të forcuar demokracinë dhe shtetin ligjor në vend.
Ka qenë një rrugë e gjatë për ne, për të çelur rrugën drejt BE-së, dhe kjo falë lobimit thuajse së bashku me ministrin e Jashtëm, për të bindur vendet skeptike për integrimin tonë. Si u bindën fuqitë e mëdha europiane që të votonin projektrezolutën për Shqipërinë?
Së pari, nuk do doja të veçoja punën e ministrave të veçantë në këtë proces. Për të bindur vendet anëtare, se Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në muajin dhjetor, angazhimi ka qenë maksimal nga gjithë kabineti qeveritar, duke filluar nga Kryeministri i vendit, roli i së cilit ka qenë deciziv. Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e Kuvendit dhe punën e bërë nga Kryetari i tij për këtë proces, ashtu sikurse të gjithë ministrat. Ne për herë të parë hartuam një plan masash që ishte ai për pesë prioritetet me afate të qarta dhe detyra për secilin nga institucionet. Prezantimi i këtij plani masash, shoqëruar me aksionet e njëpasnjëshme në luftën sidomos ndaj krimit të organizuar, besoj se kanë qenë dëshmia më e qartë e angazhimit të qeverisë. Aksioni i Lazaratit gjithashtu ishte tregues i vendosmërisë sonë për tolerancë zero ndaj të gjitha atyre fenomeneve, të cilat kanë cenuar rëndë imazhin e Shqipërisë. Duke iu rikthyer faktit se përpjekja jonë për t’u afruar me Bashkimin Europian ka qenë vërtet një rrugë e gjatë, dua të theksoj gjithashtu se nuk duhet hedhur poshtë kontributi i të gjitha qeverive të mëparshme, të cilat gjithashtu e kanë pasur prioritet procesin e integrimit të vendit.
Cilat nga vendet e Bashkimit Europian kanë qenë më të vështira për t’u bindur, në lidhje me progresin që ka bërë dhe do të bëjë vendi ynë për t’u anëtarësuar në BE?
Vendet, të cilat kërkuan më shumë kohë në dhjetor të 2013-s, kur Shqipërisë nuk iu dha statusi i vendit kandidat, sigurisht që kanë qenë ato më striktet, me të cilat ne kemi komunikuar më intensivisht gjatë gjashtë muajve që lamë pas. Por në përgjithësi vendet anëtare kanë reflektuar një frymë dashamirëse ndaj Shqipërisë, ndaj qeverisë, e cila me masa konkrete dëshmoi se ka përgjegjshmërinë, vizionin dhe vendosmërinë maksimale për ta çuar përpara axhendën evropiane.
Sa larg është realizimi i ëndrrës së shqiptarëve për në BE?
Mendoj se nuk kemi të bëjmë më me një ëndërr, por me një realitet të prekshëm, të cilit ne po i afrohemi çdo ditë e më tepër. Varet nga të gjithë, nëse me çfarë ritmesh duam të ecim në këtë rrugëtim tonin. Europën nuk do të na e dhurojë askush, duhet ta ndërtojmë brenda vendit tonë. Shqipëria duhet të realizojë reformat e nisura, duhet të përmbushë detyrimet e saj në të gjitha hallkat e procesit të integrimit. Nuk është e lehtë, por jam e bindur se kemi gjithë potencialet për t’ia dalë në përmbushjen e aspiratës sonë.
Një ministre që pret të bëhet nënë për herë të parë. Si e keni përjetuar këtë periudhë, ndonëse angazhimet tuaja kanë qenë fokusuar edhe tek integrimi i vendit?
E përjetoj me emocion dhe, të them të drejtën, e pres me padurim momentin kur do të mbaj tim bir në duar. Ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar me punë, dhe koha për të menduar apo përjetuar intensivisht çdo moment të shtatzënisë ka qenë e kufizuar. Për këtë më vjen pak keq, pasi është një ndjesi unike, të cilës në një moment tjetër do t’i përkushtohesha totalisht. Kënaqësia, herë-herë edhe habia që të jep fakti se një krijesë tjetër po rritet brenda teje është diçka që zor se mund të përshkruhet me fjalë.
Do të shkëputeni nga angazhimet e shumta për t’iu përkushtuar jetës së re, pas ardhjes së fëmijës suaj në jetë, apo i qëndroni thënies suaj se ky fëmijë do të rritet në “zyrat e ministrisë”
Do të marr aq kohë sa merr çdo nënë e re, e cila duhet t’i rikthehet punës. Unë i qëndroj thënies sime që bebi do të qëndrojë vazhdimisht në Ministrinë e Integrimit, duke marrë përkushtimin dhe dashurinë që duhet të marrë çdo foshnjë, pavarësisht impenjimit që kanë nënat.
Ndiheni njeri me fat për çfarë keni arritur?
Sigurisht që ndihem me fat! Ndiej mirënjohje për besimin dhe mbështetjen që më është dhënë. Ndihem e vendosur për ta bërë më mirë punën time, për t’iu përkushtuar gjithashtu familjes sime të re, duke u përpjekur të jap një kontribut sado të vogël në ndryshimin e asaj mendësisë së vjetër që ne kemi, se femra shqiptare duhet të zgjedhë o punën, o familjen, dhe nuk mund t’i bëjë mirë të dyja.
Si jeni jashtë kornizës si ministre? Një bashkëshorte e përkushtuar? Një amvisë e shkëlqyer? Një mike e motër shumë e mirë…?
Këto nuk mund t’i them unë për veten. Për këtë duhet të pyesni njerëzit e mi të afërt. Por ajo çka them me siguri është se jashtë kornizës së ministres jam një person që jap shumë dashuri për njerëzit e mi të afërt, pasi mendoj se kënaqësia e të dhënit është shpesh më e madhe sesa kur t’i merr. (E, në fakt, Klajda është një vajzë tepër e dashur për prindërit e saj. Një vajzë dhe një motër model që të afërmit e saj e adhurojnë, por jo vetëm, një model për të gjithë bashkëmoshatarët e saj, të cilët e duan dhe e ndjekin në hapat e jetës. Një mike e mirë dhe e dashur. Një bashkëshorte e mirë dhe e përkushtuar, një shoqe e mirë prej shumë vitesh e Adrianit, bashkëshortit të saj, me të cilin ka vite që është lidhur, gjë që vërtetohet më së miri nga veçantia dhe karakteri i Klajdës).
Miku juaj më i mirë mbetet ende qenushi yt, për të cilin keni folur përherë me shumë dashuri?
Po, jashtë pune ai është në pjesën më të madhe të kohës me mua. Më fal shumë qetësi.
Sharmi dhe finesa ju kanë shoqëruar në daljet tuaja në media apo dhe në jetën e përditshme, kush kujdeset për gardërobën tuaj?
Nuk kam stilist personal. Përgjithësisht, kujdesem vetë, por meritë të madhe ka nëna ime, e cila edhe kur unë nuk mendoj për gardërobën gjen gjithmonë diçka të re me shije.
Keni menduar për sezonin e pushimeve?
Ende nuk kemi vendosur përfundimisht, por do të jetë një miks pushimesh në jug të vendit, me ndonjë shkëputje të vogël jashtë.