Një nga legjendat e rrokut shqiptar, Gentjan Demaliaj, mbylli sytë në përjetësi. Vokalisti i rrok – bandës më të njohur “Djemtë e Detit” e humbi betejën me jetën në moshën 40 -vjeçare. Prej kohësh rrokstari shqiptar vuante nga një sëmundje e rëndë, duke lënë pas bashkëshorten dhe vajzën Edean. Gentjan Demaliaj e nisi rrugëtimin muzikor në vitin 1989. I lindur dhe i rritur në qytetin e Lezhës, Pozdravi Jugosllav dhe popstari amerikan, Micheal Jackson, ishin frymëzimi që çuan këngëtarin, në atë kohë 17- vjeç, të krijonte një nga grupet më të famshme të rrokut. “Djemtë e Detit” ngjizën një mendësi të re në muzikën shqiptare të viteve ‘90. Tekstet e këngëve, shumë prej të cilave mbajnë autorsinë e Gentjan Demaliaj i këndonin fatit të një brezi të rinjsh me shpirt të trazuar dhe me sytë nga perendimi. “Ëndërrat që për ty i thura” përbëjnë debutimin e parë para publikut. Në vitin 1991 gjashtë të rinjtë e Lezhës, prekën skenën e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Me flokë të gjata, veshur me lëkurë të zezë, “Djemtë e Detit” morën çmimin e dytë për të rinjtë. Ky trofe do të pasohej edhe nga shtatë të tjerë, si grupi më i mirë rrok, interpretuesi më i mirë, mikrofoni i artë e shumë të tjerë. Krijime si “Mos qaj”, “Jo tani”, “Kohe pa ty” apo unikja në llojin e saj “Baladë për Jakup Ferrin”, përbëjnë sot albumin e artë të rrokut shqip. Në albumin “Epos” është debutimi i fundit i Gentjan Demaliaj, që diplomimi për aktor i dha kënaqësinë të jetë pjesë e dy musikaleve, “Moulin Rouge” dhe “Romeo dhe Zhulieta”. Pikëtakimet e Gentjan Demaliaj me median janë të pakta. Intervista e tij e fundit ishte për programin “Jo vetëm modë” në ekranin e Televizionit Klan, në një rrëfim mbi karrierën, familjen dhe jetën që e jetoi si një rrokstar.