To top
16 Shk

860 mijë euro për rroba? Del procesverbali i agjentëve të BKH-së: Ajola Xoxa kliente e rregullt e “Zara-s”

SPAK ka ngritur dyshime për shpenzime të mëdha të bëra nga bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa, duke pretenduar se ajo ka blerë online mbi 860 mijë euro veshje dhe bizhuteri të firmave luksoze, të cilat nuk janë deklaruar.

Sakaq, ne procesverbalin e BKH-së, ku shkruhet se gjatë kontrollit në banesën e Ajola Xoxës, janë gjetur kryesisht rroba të markës Zara, një markë “fast fashion”, e aksesueshme dhe ekonomike.

“Në këtë dhomë, përballë me dollapët metalikë, gjendet dollapë material druri në brendësi të së cilës gjendet rroba kryesisht të markës Zara, këpucë femrash,” shkruhet në dokumentin e agjentëve të BKH-së.

Edhe kryebashkiaku Veliaj ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat, duke theksuar se vlera reale e shpenzimeve është disa herë më e vogël se ajo që SPAK pretendon.

“Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që neveriten kur shikojnë se si dalin nga gjirizet mediatike fustanët e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion Euro mall?

Se për 1 milion Euro mall duhet një dyqan si ai i brekëve dhe sutjenave të nuses së Sali fundërrinës në Bllok apo jo? Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në gjithë ambientet në Tiranë e në Golem, për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, në mure e dysheme, ku dihet botërisht se jetojmë në pallat të ndërtuar në vitin 2012 (kam hyrë në atë apartament kohë më parë se sa të bëhesha kryetar bashkie, leje e Komunës Farkë e Bardh Plakut, as e dhënë nga unë vetë), atëherë duhet t’i kishin provat materiale besoj, apo jo? Kanë blerjet online do thoni ju.

Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”.

Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq”, shkruante më herët Veliaj.