To top
17 Jan

Xhevdet Ferri, humbja parakohe, e papranueshme e një aktori brilant të artit shqiptar!

Nga Anila Çuli

Aktori i njohur Xhevdet Ferri mbylli sytë përgjithmonë, mbrëmjen e 16 janarit në një dhomë në një spital, të kryeqytetit. Një lajm tmerrësisht shumë i hidhur më tingëlloi, madje më i hidhuri e ditëve të fundit,  sapo mu shfaq në ekranin e celularit nga rrjetet sociale. Nuk po i besoja syve teksa po e lexoja, por me siguri vërshimi i njëpasnjëshëm,  i opinioneve dhe statuset më bënte ta besoja këtë lajm të kobshëm. Shumë miq, kolegë, artistë të ndryshëm nisën të shprehnin dhimbjen, tronditjen, vlerësimin, fjalët më të mira për një aktor, regjisor dhe pedagog të veçantë dhe me mjaft vlera si njeri dhe intelektual.

Duke qenë prej vitesh gazetare kulture, më ishte dashur të ndeshesha shpesh në intervista, konferenca sapo shfaqej një film i ri, ku ai sigurisht do të ishte një prej aktorëve kryesorë dhe brilantë. Portreti i butë, i një aktori durrsakë,  qytetarë, intelektualë, i qetë, i komunikueshëm, i  një profesori që studentët e tij veçse flasin fjalët me të mira me superlativa,  por dhe një aktori brilant i cili numëron mjaft role mbi supet e tij. Bashkëshorti, i Rozetës, një aktore dhe ajo tepër e njohur dhe e veçantë, ku ne të medias na kishin rënë në sy si  një prej çifteve të artistëve perfektë dhe të bukur. Babai ideal i Borës (fëmijës së vetëm të dy artistëve) e cila transmeton cilësitë më të mira të trashëguara nga të dy prindërit artistë dhe që kohët e fundit i kishte lumturuar me një pasardhës të denjë, shqiptaro-francez.

Përpos të gjitha këtyre vlerave më erdhi keq për moshën!!! Tepër i ri, vetëm 59 vjeç. U nda nga jeta pas një sëmundje të pashërueshme. Me siguri po të kishte qenë jashtë spitalet dhe mjekësia ndërkombëtare do t’ia shtynin jetën, por qëlloi në Shqipërinë e varfër, në katraurën e Ballkanit ku në spital nuk pretendohet të gjenden ilacet më të thjeshta, jo më fjala e fundit e mjekësisë botërore.

Më erdhi keq se po të ishte në një vend tjetër mbase do të ishte gjallë edhe disa ditë, disa javë, muaj për të afërmit e vet, familjen, miqtë, shokët dhe për të gjithë ne. “Kur je në atë shtrat, – më kujtohet thënia e një doktori të njohur, – edhe një ditë, edhe një javë, edhe një muaj,  vlejnë shumë, por shumë për të sëmurin)…!

Por jo, s’qe e thënë ai i’u shtua listët së artistëve të tjerë të shuar në të tilla rrethana dhe moshe aq të re, si Gjergj Xhuvani, Agim Qirjaqi, Artan Minarolli, Françesk Radi, Gilman Bakalli, Andrea Stefani  etj.. etj… E rëndë, tepër e frikshme dhe e papranueshme që në ditët e sotme njerëzit të shuhen në moshën 59-65-70- ndërkohë në vendet fqinje shohin dhe dëgjojmë njerëz që jetojnë mbi 90 vjeç. (Përfshirë këtu jo vetëm spitalet por  dhe mënyrën e të jetuarit, e të ushqyerit në një vend si Shqipëria që mban kampion për ushqime të pakontrolluara, por kjo është një temë tjetër por që sigurisht lidhen kaq ngushtë me të jetuarin dhe cilësinë e tij).

Por vdekja nuk pret thonë, ajo vetëm zgjedhë!

Të qoftë dheu i lehtë Xhevdet Ferri! Ke lënë pas mjaft role të bukura, (njërin të cilin po e shijoja gjithë ëndje këtë fillim viti, një ditë janari teksa interpretonte përkrah Ndriçim Xhepës dhe Eva Alikaj, ku ndryshe nga jeta reale atje shfaqej me një personazh negativë,  por të interpretuar kaq mjeshtërisht dhe bukur nga ai vet).  Ka lënë pas një thesar të çmuar  me shumë role që ne ende i shohim me një nostalgji të madhe, filmat e tij, e mbi të gjitha një familje të mrekulleshme me vlera të veçanta!