To top
10 Nën

Studimi i Oksfordit: Brenda tre muajsh nga testimi pozitiv, 1 në 5 të prekur me Covid-19 diagnostikohet me…

Afërsisht 1 në 5 persona që kanë kaluar Covid-19 janë diagnostikuar me çrregullime psikiatrike si ankth, depresion apo pagjumësi, brenda tre muajsh nga testimi pozitiv. Në këtë përfundim, ka dalë një studim i realizuar nga Universiteti i Oksfordit dhe Qendra e Kërkimit Shëndetësor dhe Biomjekësor.

Si rezultat, shkencëtarët kërkojnë që të ndërmerren hapa konkretë për të luftuar mbingarkesën mendore te personat e prekur nga koronavirusi.

Analiza, gjithashtu, doli në përfundimin se personat që kishin një diagnozë ekzistuese të problemeve të shëndetit mendor, kishin 65% më shumë mundësi që të prekeshin nga koronavirusi, pavarësisht faktorëve të tjerë, si mosha, gjinia, raca, apo gjendja fizike.

Llogaritjet u bënë duke u bazuar te rreth 70 milionë të dhëna shëndetësore në SHBA dhe më shumë se 62 mijë të prekur nga Covid-19 të cilët nuk ishin shtruar në spital dhe as nuk kishin bërë qoftë edhe një vizitë në urgjencë. Prej tyre, 18,1% pati një diagnozë të një sëmundje të shëndetit mendor 14 deri në 90 ditë nga diagnoza e Covid-19.

 

 

Megjithatë, Paul Harrison, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Oksfordit tha se duheshin bërë edhe më shumë kërkime për të përcaktuar përfundimisht se ka një lidhje direkte mes çrregullimeve psikiatrike dhe koronavirusit.